Më datën 03.10.2021, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Njësia Rajonale në Prizren, përmes rrugëve operative ka pranuar informata relevante nga terreni se i dyshuari S.T (1976) në Prizren, në shtëpinë e tij ka në posedim substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa me pëlqimin verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi dhe bastisja e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe automjetit të të dyshuarit të lartshënuar. Kontrolli është realizuar me asistim edhe të njësive të antidrogës në Gjakovë dhe në Prishtinë, NJRSH-së në Prizren, Forenzikës nga DRP në Prizren si dhe DKKO-së në Prishtinë.
Gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë e poshtëshënuara si provë materiale:
- Dy (2) pushke gjuetie dhe pesëmbëdhjetë (15 ) fishekë
- Një (1) pistoletë, me karikatorë të zbrazët
- Një (1) thes i bardhë dhe një (1) thes i zi me trupa të bimës dhe gjethe të cannabis sativa-së me peshe totale 2200 gramë.
- Një (1) thes i zi me gjethe të bimës cannabis sativa me peshë totale 2100 gramë
- Substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë (me trup të bimës ) me peshë 1000 gramë
- Një (1) thes i zi me trupa të bimës dhe gjethe të cannabis sativa-së me peshë 1900 gramë
- Substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 900 gramë
- Bimë e dyshuar cannabis sativa me peshë totale 3000 gramë
- Dymbëdhjetë (12) bime të cannabis sativa-së të mbjella në zonën e quajtur “LAKE “ afër fshatit Tupec afër lumit Drini i Bardhë.
- Një (1) veturë ‘WV pasat’ me targa vendore
- Një (1) telefon mobil ‘samsung’
- Një (1) telefon mobil ‘ONXA’
Në total gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 11.kg dhe 100 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë si dhe dëshmitë e lartshënuara.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit në Prizren është iniciuar rasti “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh ndërsa rasti mbetet nën hetime nga njësitë relevante policore. /2LONLINE.com/