Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me datën 12.03.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Mitrovicës Jugore dhe Prishtinës, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme, ku ka rezultuar me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për trafikim me armë.
Të dyshuarit në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 277
lidhur me veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 dhe veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366.
Gjatë operacionit janë arrestuar pesë (5) persona me inicialet S. S., S. S., E. Xh., Sh. D. dhe Sh. J., si dhe gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
• njëzetë (20) armë (AK-47),
• njëzetë (20) karikatorë AK 47,
• dy automjete,
• gjashtë (6) telefona si dhe
• dokumente relevante për rastin.
Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë të këtij rasti, si dhe të gjitha rasteve të cilat janë në kompetencë të kësaj prokurorie.
Me vendim të prokurorit kompetent pesë (5) të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës Prokurorisë Speciale /2LONLINE/