Poezi tjetërlloj për një “Paqe të brishtë”

Poezi tjetërlloj për një “Paqe të brishtë”

(Përsiatje për vëllimin poetik të Sabit Rustemit “Paqja e brishtë”, Gjilan, 2007 )

Nga: Fatmir MINGULI

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë?
Shko në shtëpi dhe dashuro familjen tënde”!
NËNA TEREZE

Të shkruash për poezinë e poetit Sabit Rustemi nuk është e lehtë. Ky konstatim rrjedh nga njohja e vazhdueshme e poezisë së tij në rrjedhat e viteve. Është një konstatim që krijohet bindshëm kur shikon kronologjinë e botimeve të tij jo vetëm tё librave me poezi. Koha e poezive të botuara e ka burimin shumë herët por lexuesit mund ta shijonin që nё fund vitet shtatëdhjeta – shekulli i shkuar dhe të vazhdonin këtë shijim gjer nё ditët e sotme ku burimi rrjedh e rrjedh pa pra.

Edhe nё librin “Paqja e brishtë” do të gjejmë kronologjinë e shkruarjes se poezive që prej vitit 2000 e deri nё 2007, e që do t’i hapte udhë dhjetëra veprave të tjera të këtij poeti origjinal. Poezitë e librit “Paqja e brishtë” e meritojnë plotësisht këtë titull.

Brishtësia është e veçantë, është e thyeshme, e diskutueshme nё qëndrueshmëri që kërkon t’ i ngjajë luleve të majës së Cepurit, që i qëndrojnë erërave të forta dhe ndriçimeve të befta te rrezeve diellore.

Sabit Rustemi nё këtë libër është një poet si më vete, del pak nga ato poezi që nё penën e tij prekin gjithçka jetësore. Poezitë e tij né “Paqen e brishtë” janë poezi të forta, kanë zemërimin e poetit, kanë hidhërimin e tij për prapësitë e disa njerëzve dhe gjithçka përmblidhet nё idenë madhore të dashurisë për atdheun.

Më mirë e shpjegon vetë Sabit Rustemi nё një intervistë që ka bërë nё media:

– Cilët janë heronjtë e tu të vërtetë?

-Ata dhe ato që çdo ditë angazhohen për mirëqenien e këtij vendi, njëjtë si thenglat.”

Dhe për ta plotësuar këto okielo që mbulon të gjitha poezitë e librit “Paqja e brishtë” është fjala e Papa Xhiovani Paolo i dytë ku thuhet:

“Paqja kërkon katër kushte esenciale, të vërtetën, drejtësinë, dashurinë dhe lirinë.”

Jo më kot vëllimi “Paqja e brishtë” fillon me poezinë “Atdheu i rilindur”, poezi prelud i një udhëtimi ku spikat zemërimi i poetit shoqëruar me guximin për të demaskaur ato veti të disa njerëzve jo të vërtetë që nё vend të fytyrës vendosin maskat.

Atdheu -thotë Sabiti nё këtë poezi prelud – u rilind edhe pse këto maska ekzistonin:

Atdheu im s’u derdh nё det
Në fund gote s’mbet
As u pi me një gllënjkë
As u thye si kockë
Mbeti arrë e vogël po e fortë
Nё këtë botë
U rilind për të satën herë.

Poeti Sabit Rustemi e shikon né këtë libër ngjarjen, emocionin, jo si fenomene të zakonta por ai nëpërmjet poezisë sё tij origjinale shpreh ato që ka nё zemrën e tij atdhetare. Ai e shikon lirinë e Kosovës, paqen e brishtë dhe njerëzit që jetojnë brenda kësaj lirie dhe paqeje të brishtë me kundrimin filozofik duke kërkuar ta perceptojë lirinë nё mënyrë të hollë dhe të thellë.

E shkruajta që nё krye të këtij shkrimi se Sabit Rustemi, vjen krejt ndryshe nga librat e tjerë të tij të botuar mbas vitit 2007. Ajo që e ka detyruar atë të jetë krejt ndryshe nё mendime por jo nё stilin e poezisë, është ndikimi i realitetit tek njerëzit, tek vetë poeti.

Ai duke iu shmangur né mënyrë stoike rutinës popullore të poezisë masive, banalizimit të temave dhe prodhimit të poezive si simitet e furrës, arrin që duke ruajtur origjinalitetin e tij poetik, duke ruajtur vargun e tij të shkurtër, strofën tre vargëshe apo dy vargëshe dhe rrallë herë vargun e gjatë por dhe kёtё tё futur nё kornizat metrike.

Ai vetëm se është origjinal nё poetikën e tij, arrin të përshkruaj portrete që s’kornizohen, shprehur aq bukur né poezinë “Portrete që s’kornizohen”. Janë ata që siç e përcakton Luigi Pirandelo , “ nё jetë do të ndeshesh me shumë maska dhe me pak fytyra.”

Dhe Sabiti shkruan:

Portrete që s’kornizohen
Janë shqiptarët
Ata që vetes nuk i thonë dikushi
Nëse bota rreth tyre
Nuk sillet.

Poeti atdhetar, kosovari i Gjilanit, Sabit Rustemi ka dy portrete të mirë përcaktuara shqiptarësh, të cilët janë i madhi Ibrahim Rugova dhe poeti bohem, i papari Mirko Grashi. Që nё vitin 2005 Sabiti i kushton poezinë Ibrahim Rugovës duke e quajtur shenjt dhe nëse poeti ta jep këtë njohje për shenjtë ajo është profetike. Ai “përkulet para tij dhe ndjek frymën e tij, deri nё amëshim.” Kjo poezi me vlera jo vetëm patriotike por për nga vlerat poetike merr formën antologjike.

Dua të theksoj këtu se Sabit Rustemi të trondit me ritmin goditës tё vargut të shkurtër, duke më sjellë ndërmend ritmin e Majakovskit, gjë që vihet re jo vetëm nё poezinë “Kosova me shenjtin e vet” por edhe nё poezinë “ Pika të rëndomta”.

Ndërsa nё poezinë kushtuar poetit bohem Mirko Gashi “ Baladë për ujin” ai e kthen poetin nё legjendë duke e krahasuar me vërshimin e lumenjve.

Është po Sabit Rustemi që me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes nё amëshim të Mirko Gashit, botoi vëllimin e këtij poeti “ Blegërimë resh” nё vitin 2020.

Po t’i shikosh poezitë e këtij vëllimi do të gjesh shumë poezi ku i këndohet shqiptarizmit, nëpërmjet figurave jo vetëm të Ibrahim Rugovës dhe Mirko Gashit, por edhe për qytetin e Gjilanit të cilit i qëndis portet, për Dokë Karadakun dhe pasardhësit e tij, etj.

Libri “Paqja e brishtë” merr vlerat e një hymni të madh për lirinë duke depërtuat thellë nё qelizat e lirisë e duke na argumentuar edhe thënien e Zhan Zhak Rusoit se “njeriu ka lindur i lirë dhe kudo është i lidhur me zinxhirë”. Poezitë si “Kodi mbrojtës i atdheut”, “ Përdredhja e botës”, dhe sidomos “Nga thellësia e heshtjes” janë argumentime të fuqishme ku shfaqen “ zinxhirët” modernë të lirisë apo të paqes. Janë meditime psikologjike për jetën e sotme nё Kosovë ku heshtja sillet si formë djallëzore e pseudoatdhetarëve ndaj shenjtit të lirisë sё Kosovës.

Ai i drejtohet shenjtit:

Gogol e goxhul
Me kokën tul
E kacul
Kryqojnë
E dredhojnë
Né emër tënd e për emër tënd
Një botë trazojnë.

Andaj dhe poezitë “Mbrapshtë”, “ Zvarranikët”, “ Epidemi e re”, “ Imazhi i përgjysmuar”, janë vazhdimësi e analizës psiko- analitike shoqëruar me sarakzëm të thellë, sarkazëm që del si vullkan nga zemra e poetit, zemër që rënkon për këtë paqe të brishtë.

Sabri Rustemi me këtë libër i ngjiti “Shkallët e Olimpit” poetik, atdhetar dhe intelektual, mirëfilli. Ky libër rri urë krahas librave të tjerë poetik ku dashuria e njeriut shfaqet në njëmijë pamje!

Zhak Prever njihet si poet i dashurisё nё letёrsinё moderne franceze, por mё shumё ai i kёndoi probleve sociale tё njerёzve tё thjeshtё. Sabri Rustemi mё shumё se kushdo nё Kosovё i ka kёnduar dashurisë, por me “Paqen e brishtë” i këndon qytetarisë sё ndershme atdhetare dhe liridashëse. /2LONLINE.com/

KOMENTE