(Për poezinë e zgjedhur të Ibrahim Kadriut, “UDHËKRYQE” ,botuar në gjuhën suedeze si dhe në gjuhën shqipe, “Faik Konica”, 2018)
“Çdo ndërtese i vîhen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandaj në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.
Atë Anton Harapi
Nga: ANTON NIKË BERISHA
Vijimësi e traditës
Shumica e intelektualeve dhe e shkrimtarëve tanë veprim-tarinë e ndërlidhën me botën e tyre dhe me atdheun. Nga të dhënat që njihen deri më sot mund të thuhet se kjo dukuri fillon me Gjon Bdek Buzukun, autorin e librit të parë në gjuhën tonë “Meshari”, të botuar më 1555. Në këtë vepër Buzuku botoi edhe katër poezi, në shëmbëllesë të psalmeve, ku, pos të tjerash, përmend se lutet edhe “për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim ”.
Një qëndrim i tillë dëshmohet edhe në poezinë e Pjetër Budit “Këtu apmë lavd Tinëzot për të mëdhāt mëshërrier të tij” të botuar më 1618 në veprën “Doktrina e krishtenë”, ku poeti e falënderon Hyjin që e frymëzoi dhe i dha mundësinë të shkruante në gjuhën shqipe .
Edhe Pjetër Bogdani në veprën “Cuneus Prophetarum” (1685) shkruan se atë e hartoi për të qenë një dritë për njerëzit e botës së Arbënit të tij: “[…] ashtu qi kur të kthenjë prej dheut sinë te keshë një Qirí ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek dhé t’Arbënit…”
Kjo traditë, që shkrimtarët tanë të vjetër e përmblodhën me togfjalëshin Atme e fé, vazhdoi edhe tek shkrimtarët e Rilindjes dhe tek ata bashkëkohorë. Shumë prej tyre këtë togfjalësh e këmbyen me Atme e art, që dëshmohet me veprat e tyre të rrafshit të lartë poetik.
Shkrimtarët tanë e dëshmuan zotimin përballë atdheut dhe njerëzve të tyre edhe përmes veprimit shoqëror dhe politik. Pa dashur të zgjatëm rreth kësaj dukurie po përmend se, fjala vjen, Fishta mbrojti interesat e popullit tonë në Konferencën e paqes në Paris (1919) dhe në një takim letrar botëror në Nju Jork. Njëjtë vepruan dhe Fan S. Noli, Faik Konica e të tjerë.
Kjo gjë ndodhi dhe me shkrimtarët e letërsive të tjera.
Në rrethin e ngushtë të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë të rëndësishëm, poezia e të cilit ndërlidhet ngushtë me atdheun dhe fatin e njeriut tonë është ajo e Ibrahim Kadriut , dëshmuar që me përmbledhjen e tij të parë poetike “Netët e Karadakut” (1969). Pra, përcaktimi që ky krijues veprimtarinë e vet poetike ta lidhë me atdheun dhe me njeriun e tij nuk është e rastit, po brenda traditës sonë letrare dhe dëshmohet mirëfilli edhe në këtë vëllim me poezi të tij të zgjedhura .
Atdheu – amzë jete e mendimi
Ibrahim Kadriu lindi, krijoi dhe krijon brenda botës shqiptare dhe përmes veprave poetike llojesh të ndryshme e shprehu dhe e përjetësoi këtë botë, qoftë për virtytet që e cilësuan, për dramat e fatkeqësitë, qoftë për të metat që e përcollën në të kaluarën, po edhe në të tashmen.
Poeti ynë u bë i vetëdijshëm që në fillim të veprimtarisë letrare se, siç thoshte gjermani Teodor Strom (Shtrom), “Kein großes Dichter ohne Vaterland” (Asnjë poet i madh pa atdhe), prandaj fatin e vet si krijues e lidhi me fatin e njeriut të tij e të botës që i takon; secili individ, secila etni dhe secili popull e ka të kaluarën e vet, i ka rrënjët e veta të mëvetësishme të lindjes e të rritjes edhe pse për shumëçka afrohet edhe me të tjerët.
Kadriu e çmon dhe e don para së gjithash atdheun – mëmëdheun e vet për arsye se, siç thekson me të drejtë Derek Welcott, “Mendoj se dheu (toka) prej nga je është nëna jote, nëse ia kthen krahët dhe e mallkon, atëherë e mohon dhe e mallkon nënën tënde”.
Në poezinë e Kadriut ky njësim dhe kjo dashuri shprehen sa në mënyrë të thellë, aq edhe të natyrshme.
Në trajtimin dhe shqiptimin e dukurive Poeti ynë niset nga bota e brendshme dhe nga e veçanta e asaj që ndjen dhe përjeton, po në të njëjtën kohë shpreh të përgjithshmen, që lidhet me botën e njeriut cilindo qoftë dhe kudo qoftë ai. Vepron në këtë mënyrë për shkak se, siç theksonte Freud-i (Frojdi), “Shqiptimi i botës së brendshme të njeriut është pikërisht fusha e veçantë e poetit dhe ai është përherë pararendës i shkencës, pra dhe i shkencës psikolo-gjike ”. Në botën e brendshme fshihen dhe gjallërojnë dukuritë më të qenësishme dhe më të fshehta dhe kur ato shprehen përmes artit të fjalës, përmes leximit, kthehen, sërish tek njerëzit dhe bëhen pjesë e botës mendore e shpirtërore të tyre. Duke i mishëruar e shprehur në poezinë e tij këto veçanti, Kadriu bën të mundur që ajo të receptohet më plotësisht dhe të bëjë ndikim më të madh te njerëzit e brezave, të kulturave e të periudhave të ndryshme.
Poeti ynë bën objekt trajtimi artistik të tashmen dhe të ka-luarën. I kthehet të kaluarës për arsye se, siç thotë shkrimtari ita-lian, Francesco Grisi (Françesko Grizi), ajo “është një e tashme që duhet zbuluar ”. Pikërisht pse e kaluara bën bazën e ekzistimit të së tashmes, njohja dhe zbulimi i veçantive të saj përmes tekstit poetik të hartuar, kushtëzon njohjen e mirëfilltë të së tashmes (e cila, në një mënyrë ose tjetër, e përcakton dhe të ardhmen). Kështu poezia e Kadriut bëhet mjet i pasurimit shpirtëror dhe i gjakimit të vetëdijesimit të njerëzve për vetveten dhe për botën që i përkasin, përkatësisht për domosdonë e vijimit të mbijetesës përkundër vështirësive dhe pësimeve me të cilat ballafaqohen në jetën konkrete.
Në poezinë e vet Kadriu bën objekt trajtimi poetik para së gjithash kohën në të cilën jetoi dhe jeton, që është krejt e natyrshme; i ndjen për së afërmi rrjedhat e saj, pësimet dhe vuajtjet e njeriut të tij. Kjo nuk do të thotë se ai është imitues i realitetit (“Arti asnjëherë nuk është dyfishim i reales ”), po e shpreh dhe e ndërton (e krijon) atë përmes strukturës gjuhësore poetike. Ky veprim është i qenësishëm për shkak se përmes mesazheve artistike mundësohet komunikimi më i gjerë dhe njohja më e thellë e gjërave: kur diçka njihet përmes artit të fjalës, bëhet më mirëfilli pjesë e botës së brendshme të njeriut.
Shqiptimi i vuajtjeve dhe i pësimeve shpirtërore
Poezia e Ibrahim Kadriut, siç u tha, nisët nga e veçanta, nga individi, nga mjedisi ku lindi dhe jeton, nga atdheu, po e shpreh dhe botën e njeriut në përgjithësi, siç vepruan e veprojnë të gjithë krijuesit e mëdhenj.
Kadriu i trajton sidomos vuajtjet, pësimet dhe fatkeqësitë e botës që i përket për arsye se ato janë edhe të tijat. Ai u qaset dhe i shqipton ato pa zbukurime, ashtu si i ndjen dhe si i përjeton. Në to poeti është ai që është: Kam provuar të jem unë. Kjo nuk është as mendjemadhësi, as kryeneçësi, po aftësi të ballafaqohet me veten dhe me ashpërsitë e jetës e të botës në të cilën jeton.
Duke i trajtuar dhe shprehur dukuritë e botës shqiptare përmes artit të fjalës, poeti nga një anë gjakon t’i bëjë njerëzit të vetëdijshëm për vështirësitë, për pësimet dhe të këqijat që i përjetojnë ose t’i lëkundë nga hutimi, nga letargjia; t’u thotë të kenë kujdes për çdo veprim që bëjnë për arsye se prej veprimit të tyre varët çdo gjë, ndërsa nga ana tjetër të mbërrijë katarsën shpirtërore, që njëherit nënkupton dhe katarsën e secilit që e lexon dhe njësohet me poezinë e tij.
Është e njohur se vuajtjet dhe fatkeqësitë u përkasin të gjithë njerëzve, të gjitha kohëve dhe të gjitha vendeve. Rreth kësaj Nëna Tereze thoshte: “Vuajtja kurrë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë (…). Vuajtja është një përçues i dashurisë nëse e shfrytëzoni dhe, para së gjithash, ia kushtoni paqes së botës ” dhe “Kur na godet vuajtja, ta pranojmë me buzëqeshje. Dhurata më e madhe e Zotit: të kesh guximin ta pranosh me buzëqeshje gjithë atë që të shkakton vuajtja dhe gjithë atë që ajo të mëson ”.
Kadriu ka besim në fjalën poetike dhe në forcën e mesazhit të saj; përmes saj ai mendon e vepron, ballafaqohet me atë botë e me fatkeqësitë që i përjetojnë ai dhe njerëzit e tij. Përballë jetë së rëndë Poeti nuk mundi të heshtë; heshtja do të nënkuptonte dorëzimin para të keqes e dhunës. Shkrimtari Azem Shkreli, bashkëkohës i Kadriut, thoshte se kur heshtet fjala artistike është e barabartë me vetë tmerrin pse “as nuk vdiqët, as nuk ka shpëtim ”.
Shqiptimi poetik i dukurive të tilla mundëson të vihen në lëvizje fuqitë e brendshme të individit, që njëherit nënkuptojnë edhe njësimin me botën e me njerëzit dhe kalitjen për t’i ballafaquar vuajtjet dhe pësimet siç shprehet Kadriu në poezinë “Toka ime”: e lënduar shpirtërisht dhe e mbështetur / në durimin tim të gjatë. / Imazh i ethshëm më mban të plagosur.
Kadriu bën objekt trajtimi poetik dramën dhe tragjiken e thellë të jetës. Ai është i ngjizur shpirtërisht me tokën e vet, me botën ku gjallërojnë njerëzit e tij që kanë vuajtur e pësuar në rrjedhë të shekujve – peng i kohërave në gjunjëzim – dhe ku ka gjalluar fjalë e plagosur, e përgjakur si koha (f. 84) dhe vazhdojnë të ballafaqohen me të papriturat dhe me tragjikë të shkaktuar nga të tjerët.
Në vizionin poetik të Poetit atdheu ka përmasa të tjera në krahasim me ato konkrete, me atdheun e kohës së tij, të kushtë-zuar e të ndarë politikisht dhe gjeografikisht. Në perceptimin poetik të tij atdheu shtrihet në diakroni e sinkroni të pafund, që dëshmohet me Ulpianën e lashtë, me Shkodrën, me Karadakun, po edhe me “Mesharin” (librin e parë të botuar në shqip të njohur deri më sot), me Pjetër Bogdanin (në Abetaren e birit tim betohem dhe në Prophetarum), me Vitin 1912 (shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar), me Hasan Prishtinën, me Agneze – Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze, të cilën bota e quajti NËNË etj. Këto janë vetëm disa nga shenjat – qenësitë e trungut të botës shqiptare si tërësi, që gjallon në mendjen dhe në zemrën e poetit, nga i kanë rrënjët dhe nxiten krijesat e tij poetike.
Meqenëse mëmëdheu i tij është tkurrur, është copëtuar nga të tjerët, nga pushtuesit dhe nga fuqitë e mëdha, Kadriu e krijon hartën shpirtërore të mëmëdheut të vet, që askush nuk mund ta ndryshojë e as ta shkatërrojë:
Shqipëri është edhe ku s’është
me kot është ndrydhur harta
është tkurrur atdheu në acar
(Gjeografi e etur)
Kohë e djegur në bebëza
Ibrahim Kadriu i shqipton sidomos fatkeqësitë dhe vuajtjet që e kanë cilësuar kohën e vrarë në bebëza, siç shprehet ai metaforikisht, kohë që e jetoi edhe vetë, për arsye se i ndjeu pandërmjetësisht në kurriz dhe në shpirt dhunën dhe pësimet e saj: në shikimin tim të bërë viktimë.
Mirëpo, edhe brenda kësaj jete të vështirë – kohë të vrarë, poeti këmbëngul të ruhet drejtpeshimi i veprimit dhe i frymëmarrjes; njerëzit duhet të qëndrojnë dhe të ballafaqohen dhe me rrebeshet që e godasin atdheun, i cili është strumbullari i çdo gjëje; pa të je si pa diell, je i pa jetë:
Të lus prandaj të qëndrosh gatitu
para syve e zemrës
të më qëndrosh
ashtu siç je
me plagë
Pa ty si pa diellin
akulli zë në prit zemrën
(Atdheu)
Tragjikja që e ka cilësuar atdheun dhe njerëzit e tij në të kaluarën, pra dhe Kosovën, përsëritet edhe në kohën e poetit. Kjo dëshmohet nga bubullimat e rrufetë, nga kamxhiku, nga shpimet në kurriz, ku as ëndrrat nuk janë të lira. Kanë ndërruar vetëm brezat e personat: ata që i nxitin të këqijat, që ushtrojnë dhunë, dhe ata që i përjetojnë ato. Secili i huaj që e ka mësyrë atdheun e poetit, ka ardhur “me uri ujku” dhe ka bërë gjithçka që ta gjymtojë e ta shkatërrojë atë. Me një fjalë, t’i zhbëjë njerëzit dhe historinë e tyre, edhe Kosovën e tij të dashur: në Kosovë kur arrin e ke të cunguar historinë[…]dhe erërat përplasin dyert / bubullimat janë të zhurmshme dhe rrufetë (Me dyer të hapura).
Poeti rrëfen për “rrugëtimin dymijëvjeçar” me Shikime të ngrira, me Heshtje të ndrydhura dhe me mote Kur kallet heshtja. Në vizitën që u bën qyteteve të lashta të Atdheut të dikurshëm i ndjen Vite të strehuara në lotët e nënave. Qyteti iUlpianës së vjetër – e vejë e mijëra luftëtarëve – i del dëshmi e një historie sa krenare aq edhe të trishtë – kohë e plagosur ende më prish ëndrrën; dikur plot jetë, ai tashmë (si qytet rrënojë) e frymon vdekjen, ka mbetur pa njerëz, pa jetë: ke rënë në gjumë të thellë vdekjen e frymon (Ulpianë).
Edhe takimi me qytetin shekullor, Shkodrën, sa është ngushëllues, aq është dramatik dhe pikëllues; në të poeti ngarkohet me dhembje e me vuajtje të pafund – Kohë e murosur në bebëza ose Shi i vjeshtës pa gjethe – që e cilësuan rrjedhën e qytetit nëpër kohë. Kështjella e qytetit ndryn në vete histori të dhimbshme (kujto baladën e ndërtimit të Kështjellës së Rozafës), që nënkupton të kaluarën e hidhur dhe fatin tragjik të njerëzve: pas rrugëtimit që kisha bërë për dy mijë vjet / Rozafa ishte aty me shikim të mbytur në Bunë (Në Shkodër)
Jeta pa buzëqeshje e me shikim viktimë
Jetën me pësime dhe tragjikë të shumëfishta kur – njerëzve u është rrëmbyer koha, buzëqeshja (“Ethet e një dimri”) Kadriu nuk e shpreh në mënyrë të thjeshtë dhe të njëtrajtshme; ai nuk i pohon dukuritë dhe gjërat, po nëpërmjet rrëfimit poetik e ballafaqon lexuesin me to dhe e vë atë në komunikim; jep variante të asaj jete, kur, siç thotë poeti, Azem Shkreli, Kishte koha ethe, kishte koka frymë, që nuk ndërlidhen vetëm me një individ e me një kohë, por shtrihet e degëzohet në kohë, në rrafshe e në aspekte të ndryshme. Poeti Kadriu, nuk përqendrohet vetëm tek vetja, tek një dukuri ose tek një aspekt i jetës, qoftë ai dhe më tragjiku, po e degëzon qasjet dhe trajtimin e dukurive në vijën vertikale dhe horizontale.
Erdhën para derës
sollën pluhur nga troku i kuajve të sertë
derën s’e gjetën hapur
e thyen
copë-copë bënë krejt çka hasen përpara
u shtrinë si në odë të babës
s’lanë as ëndrrën të jetë e vetvetes
fytyra nga përrallat
deshën historisë faqet t’ia shqyenin
duke e futur gjithë epikën në varr
(Mysafirë të paftuar)
Brenda kësaj strategjie shqiptimi, veçohen dy rrafshe kryesore: a) shqiptimi i botës së brendshme, i shpirtit të njerëzve në kushte e rrethana të tilla jete dhe b) shqiptimi i botës së jashtme, ku dukuritë vërehen më lehtë, janë më të prekshme. Ky veprim i poetit është i menduar dhe shfaqet natyrshëm: njësohen e ballafaqohen gjërat e dy botëve për ta shpalosur e për të depërtuar sa më thellë në qenësinë e saj dhe ndikimin e kumtit poetik tek njerëzit.
I dalë nga harresa arriti si flamë
mysafir i zorshëm ky që kurrë s’ndalet
kur shan, kur vjell e kundërmon hukamë
sapo mbështet këmbët urrejtjes i falet.
(Trokitjet në derë vazhdojnë)
Natyrisht, pësimi nga veprimet e këtilla është shkatërrues, shpirtërisht dhe materialisht; vargu i poetit, fryt i gjendjes së tillë, përftohet i trazuar dhe i lënduar, merr cilësi të “gurëzimit”.
… njerëz pa të djeshmen
fillikat vetëm të ngatërruar në hapa
me gjuhën e nxjerrë sa krahu
edhe shkumën të shndërruar në gëlbaz
(Si ngufatje e ethshme)
Historitë e njerëzve të Poetit që vuajnë dhe pësojnë është e ngjashme, siç janë të ngjashme të papriturat, dhunimet dhe fatkeqësitë. Njerëzit janë sjellë në zgrip të rrënimit. Gjendja e tillë nuk është rrjedhojë e veprimit të pamatur e të papërmbajtur të njeriut të botës së tij, po rrjedhojë e lakmisë së tjetrit, e të huajit, për ta shtypur pa shkas e për ta shfrytëzuar në çdo pikëpamje, për t’u bërë pronarë i pronës së tij dhe për t’ia zhbërë dëshirën për atdhe dhe për jetë: Krejt ç’kishte iu shndërrua në varre / mandej qau fshehtas (Në armiqësi me gjumin).
Edhe pse e djeshmja ka kaluar, ajo është e pranishme në të tashmen, qoftë për pasojat, qoftë për tragjiken – është fytyra e saj e dytë e përsëritur. Cungu (lexo: trungu) vijimisht është pa degë, përkundër vuajtjeve dhe gjakut të derdhur. Ata që mund ta ndalonin këtë zezonë mbi atdheun dhe njerëzit e poetit, i bënë veshët e shurdhër, bënë sehire.
Rrethanat e tilla të veprimit, ku pësimet përligjen në forma të ndryshme, kushtëzuan shëmtimin e jetës e të shpirtit të njeriut të poetit – Për shembjen e murit në mes të shpirtit (“Në Shkodër”). Rrënimi i botës shqiptare ka qenë i menduar dhe i vijueshëm. Këtë e ka pësuar shpirtërisht dhe vetë poeti, gjë që shprehet qartazi dhe në vargjet e tij.
Afër gotës n’heshtje është vetja e brengosur…
Urren dhe varret më the, e gurët kafshatë në tryezë,
e mban mbi supe atë ç’është murosur,
futur në gjak me vapë zjarri ndezë.
(Kohë e murosur)
Nga gjendja e tillë e rëndë dhe nga pamundësia të veprojë, poeti ndihet i gjymtuar dhe i zhbërë edhe fizikisht: M’i thyejnë gishtat, këmbët / gurë të hedhur të pa gdhendur[…]rëndojnë mbi ditën time që s’ikën / që më bën lëkurë daulleje (Janë do gurë).
Shqiptimi i së keqes që e goditi njeriun e poetit dhe atdheun e tij shprehet edhe përmes heshtjes: Brenda një jete të atillë poezia shfaqet si prehje dhe ngushëllim shpirtëror.
Lëreni le të flasë ashtu siç i flitet – në heshtje,
ai di ta shërojë shpirtin me ç‘i nevojitet;
di të krijojë botën në hir çfarë i duhet,
lëreni le ta përjetojë atë madhështi.
(Njeriu ecë vetëm)
Kështu ngjet edhe me shqiptimin e vetmisë e të shtegtimit (lexo: braktisjes së vendit e të vetvetes), që përshkohet nga dhimbjet, vuajtjet dhe fatkeqësitë e përjetuara në rrjedhë të kohëve: Njëmend jam fillikat me vetveten, s’di ç’bëj / kësaj rruge që e shtruam me durimin tonë (“Matanë lojës”).
Gjuha si përjetësi e dashurisë
Brenda poezisë së Kadriut dashuria zë një vend të veçantë. Ajo nuk bëhet objekt trajtimi poetik për vetveten, si akt dashurie, po si dukuri e qenësishme që e ka përcjellë njeriun nga fillimi i ekzistimit dhe do ta përcjellë deri sa ai të jetojë. Është pjesë e jetës që gjithmonë “mësohet mirë”: Edhe para mija vjetësh gjuhë e dashurisë / ishte po kjo me dialekt të njëjtë / nuk pat nevojë kurrë të përkthehet (E zakonshme). Dashuria si koncept është shumëkuptimore dhe lidhet me dukuri të ndryshme. Në pjesën e parë të punimit u dëshmua dashuria e poetit ndaj atdheut dhe ndaj njeriut të tij, ndaj vendlindjes, ndaj figurave të shquara, por edhe ndaj njeriut në përgjithësi. Mirëpo, do theksuar se në poezinë e Kadriut dashuria lidhet para së gjithash me bukurinë për arsye se të dyja kushtëzohen dhe plotësohen ndërsjelltas.
Në moshën e re, mbase i rrëmbyer nga imagjinata dhe nga ëndërrimet, poeti s’ka besuar në bukurinë dhe në dashurinë, po me kalimin e kohës, me pjekurinë fizike e mendore, gjërat kanë ndryshuar, sidomos kur, si shprehet ai metaforkisht, shfaqen “kalorësit e pranverës”.
Kam andrrue, e nuk kam besue n’bukuri
derisa kalorsit e pranverës luftuen pranë
dhe në mbrendinë e krahnorit tim
(Hijet e syve të saj)
Poeti e vështron dhe e shpreh dashurinë si një ndjenjë të fuqishme dhe gjithëpushtuese. Nuk e pohon me fjalë të mëdha, retorike, nuk e mishëron me ndjenja të forta e të papërmbajtura; e shqipton përmes rrëfimit poetik të mëvetësishëm e të ngritur.
E dashura e poetit është, sa e rëndomtë, aq dhe e veçantë. Ajo është e bukur dhe e dashur, dy tipare të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Poetit i bëhet se lahet në sytë e saj dhe pikërisht kaltërsia e syve i jep dashurisë përmasën e magjisë, por edhe të shprehurit poetik: më bahet se jam la në sytë e tu që kurrë s’janë shterrun (Nuk munda pa të quejtë dashuni)
E dashura dhe bukuria e saj, sa i zgjonjë Poetit ngushëllim dhe kënaqësi (sidomos kur është pranë saj): me gjithë atë magji pranvere / ku huajta aromën e barit…(“I përngjajmë rrugës sonë”), po aq (kur qëndron larg saj) i shkaktojnë brenga dhe vuajtje. Ngushëllimi dhe kënaqësia e dashurisë simbolizohen me lulet, me bukurinë e tyre, ndërsa brenga dhe vuajtja për të paarritshmen, me lojën me flutura (si këmbim i mungesës së të dashurës) dhe me lotin e vetvetishëm, që nuk mund të jetë tjetër pos vesë (e mëngjesit ose e mbrëmjes). Këto dy gjendje shpirtërore shpesh kushtëzohen dhe këmbehen mes veti, sidomos kur përshkohen nga shqetësimi dhe mëdyshja, kur poeti ballafaqohet ashpër me vetveten.
Të rënda duart i ke mbi mua Tamara,
shikim të vdekjes a të lumturisë më fal;
me lodhje të vdekjes a të lindjes ushqehesh,
këngë a vaj, më thuaj, ç’djall të pushton?
(Shikimi i vdekjes)
Dashuria, fluturimi i zemrës dhe i shpirtit, në poezinë e Kadriut është, në qenësinë e saj, tundim, qoftë kur mbretëron kënaqësia, qoftë pikëllimi dhe shqetësimi. Ajo lidhet me pritjen dhe me durimin, me vuajtjen shpirtërore të pazëshme. Në shumë raste ajo di të bëhet e furishme. Nuk i përfill kompromiset, as rrafshin e ulët të shfaqjes. Synon skajshmëritë: krahas dashurisë shfaqet urrejtja, gjë që lidhet me vetë natyrën e saj. Mirëpo, edhe kur dashuria tundet midis dy skajshmërive, vargjet nuk reshtin, nuk ndërpritet komunikimi i poetit me të: moj andërr e lulishtes, e natës dhe e vuajtjes?! / …jashtë meje e teje vetëm shikimet dinë të flasin (Kam ndejtë me orë të tana)
Kërkimi i fjalës – përftimi i poezisë
Poeti Kadriu e ka fjalën të vetmin mjet të shqiptimit dhe të kundërvënies së kohës vrastare, ku mbisundojnë vuajtjet shpirtërore dhe trupore. Përmes saj ai e shpreh atë botë së pari për veten e pastaj edhe për tjetrin. Fjala e bën Poetin të jetë ai që është, por edhe të komunikojë dhe të ndikojë te njeriu i tij. Për këtë arsye, ai i kushton kujdesin e madh fjalës, përkatësisht poezisë. Ai e di se në procesin e të shkruarit gjithçka varet prej mënyrës së të shprehurit, prej tekstit. Fjala poetike është dashuria e tij më e madhe dhe përmes saj gjakon të mbjellë dashuri. Kjo dashuri nuk është e thjeshtë, po shprehet përmes figurash dhe metaforash, përmes tekstit poetik të shtjelluar me përkushtim, nga dalin shumësi kuptimesh, të cilat secili lexues i përfill sipas ndjeshmërisë shpirtërore dhe aftësisë mendore. Së këndejmi, në shtegtimin poetik, Kadriu gërmon pa reshtur për të gjetur fjalën e përshtatshme, për ta vënë atë në një marrëdhënie sa më të veçantë me fjalët e tjera, për të krijuar strukturën tekstore sa më të ngritur, që ngërthen mesazhe poetike që e shprehin botën e tij të brendshme, po që mund t’i përshtatet njëherit edhe tjetrit, në këtë mënyrë që të bëhen pronë e rëndësishme shpirtërore e lexuesit.
Fjala poetike, poezia, është pasuria dhe liria e Poetit tonë, është gëzimi, dashuria. Ai jeton e frymon me të, me harenë dhe me dhimbjen që i shkakton ajo.
gropuam shtatë pashë –
u ndalëm në fjalën tonë;
shprishëm rrugët dhe vazhduam
të rritemi me gostinë e fjalës.
(Meshari)
Fjala e poetit niset dhe lind nga dashuria për njeriun dhe botën e tij, për atdheun, po shtrihet tek secili njeri që vepron mbi parimin e mirësisë e të dashurisë së ndërsjellë. Për këtë arsye krijesa poetike e tij del sa e plotë dhe e çiltër, aq dhe fisnike dhe ngushëlluese: Vargjet zë e i gatuaj si bukën / dua t’i pjek me zjarrin që më shpërthen (Legjenda e bukës), prandaj
Nga ajo natë e te kjo ditë kërkoj të gjej ndonjë varg
nëse ka mbetur nën ndonjë gërmadhë
rima të shqelmuara u bënë pre lufte
u bënë plagë shpirti për jetë e mot.
(Elegji për vargjet)
Poeti ynë ia del të krijojë poezinë si dëshmi të dashurisë ndaj njeriut, kërkesë e botës së tij shpirtërore, brenda së cilës gjërat ekzistojnë dhe drejtohen nga parimet që mbështeten në mirësi dhe liri. Bota e brendshme është mbretëri e njësishme, tërësore, ku sundon dashuria; ekziston dhe funksionon para së gjithash mbi parimin e bukurisë dhe harmonisë dhe ku synohet që dukuritë dhe gjërat e jashtme të përkojnë e të përshtatën sipas atyre përcaktimeve dhe ndjesive.
Të jesh shkrimtar
e ke botën tënde të plotë
në të s’mund të futen kuvend as qeveri
as programe partish
as policë e administratorë
s’arrijnë t’i vënë gishtat as grushtet
(Të jesh shkrimtar)
Poezia, e shndërruar në dashuri, është pararojë shpirtërore e Poetit; ajo e mbron nga psherëtimat dhe nga rrënimi që i shkaktojnë rrethanat e jetës konkrete; edhe vargjet janë rrjedhojë dhe shqiptim i asaj gjendjeje, ato vargje ai i kërkon pareshtur.
E dija se ishin ndokund të shpërndara
mes librash e pluhurit lecka kohësh e zemre
që më ruajnë të paprekur në psherëtima vetmie
vargje për çastet që ma ngjyrosnin ditën
(Faqe fletoresh të vjetra)
Poeti ka detyrën dhe misionin e caktuar: të komunikojë dhe të veprojë me anë të poezisë, të kumteve poetike, përmes të cilave mbillet dashuri dhe mirësi midis njerëzve, siç thuhet në “Bibël”: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39). Pikërisht për këtë poeti s’ka kohë të vdesë: Të jesh shkrimtar / s’ke kohë të vdesësh
i ke të zëna të gjitha orët / me dashuritë […] dhe vetëm pena di të trimërojë / të ruajë pushtetin e plotë (Të jesh shkrimtar).
E kundërta e qëllimit dhe e funksionit të fjalës së krijuar dhe të përdorur nga Poeti ynë, është fjala e atyre që vijnë të pushtojnë dhe të sjellin të keqen, që krijojnë gjendje dhe adresa varresh; ata e këmbejnë fjalën me thikën, me plumbin, me gjakun: Ata s’kishin fjalë, por shqelma, thika, plumba […] kishin sjellë më vete të mesjetës urrejtje (Elegji për vargjet).
Natyrisht, gjendja e këtillë shkakton te poeti vuajtje dhe trazim: Ky varg i sontëm rrjedh si lumi që mbyt brigjet (“Sinekdotë”) dhe kjo e detyron t’i vihet asaj (të keqes) përballë Tek shfletoj me ngadalë varg pas vargu ngrenë kokë / të gjitha gatitu si ushtarët e gatshëm në rojë (“Faqe fletoresh të vjetra”) dhe ta kundërshtojë me mjetin e tij të vetëm – fjalën poetike: e t’ia jap kuptimin e revoltës / për ditën e thyer në gjymtyrë (Më duhet të shkruaj).
Përkundër gjendjes së këtillë, Kadriu ka kujdes mos ta rëndoj vargun me gjëmë e lot (“Qyteti që m’i rrahu kujtimet”), që ata të mos i përshkojë pikëllimi dhe ligësia: Ashtu të zorshme i dua dhe u përulem / ua fshi pluhurin si petaleve të luleve u marr erë (Faqe fletoresh të vjetra)
Është e ditur se poezia, si art, nuk zbulohet, nuk shfaqet menjëherë. Teksti poetik synon shumësinë kuptimore, herë – herë të pafund. Së këndejmi, për të kapur e veçuar të qenësishmen e tekstit me cilësi të tilla duhet lexuar derisa të njësohesh, ta ndjesh e të vihesh mirëfilli në komunikim me të. Pra, qëllimi kryesor i tekstit poetik nuk është kuptimi i mirëfilltë i tij, po vënia e komunikimit me shtresat e mundshme kuptimore që përmban ose mund të përmbajë ai: njësimi, ballafaqimi ose kundërvënia me të. Pikërisht brenda kësaj qasjeje dhe mënyre të komunikimit del në shesh qenësia e tekstit letrar dhe mundësia e ndikimit të tij estetik, siç ngjet edhe me poezinë e Ibrahim Kadriut të përfshirë në këtë vëllim.