Faruk TASHOLLI
(Pak fjalë për poetin Xheladin Rexhepi dhe poezine e tij, i cili shpërfaqet me librin e tij të parë: HERBARIUM I BUBULLIMAVE, përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”)
/2L ONLINE/ – Kanë kaluar mbi 40 vjet që kur e njoh Xheladin Rexhepin. Që në takimin e parë e njoha si poet. U njohëm në një orë letrare në Ferizaj , atëherë kur ëndrrat na shtynin drejt malit të madh të lertërsisë, pa e ditur pafundësinë e plotnisë së këtij mali.
Por, Xheladin Rexhepi si poet i ri, kishte pretendime shumë të mëdha: të mbërrinte kulme ku thuhet fjala bukur, të këndojë i lirë dhe kënga, të mos ndryshojë përmbajtje për shkak të „shtratit të Prokrustit“ ku gjeneronte sistemi shoqëror i kohës.
Vetëm mungesa e njërit nga keto elemente, bënte që ky poet i ri, aso kohe, të mos e botojë ndoshta edhe një varg të vetëm. Ai shfaqej dhe errësohej, herë i pakënaqur me poezinë, herë me jetën, qoftë ajo personale apo shoqërore, herë me atmosferën letrare që mbretëronte në fund të viteve shtatëdhjetë dhe në vitet tetëdhjetë.
Thashë se e njoha që në takimin e parë si poet. Po çfarë poeti se? Një poet kryeneç në raport me poezinë e vet. Një poet që deri në kult e ngriste punën për vargun, por që kur ky kult merrte formën dhe përmbajtjen e dukshme, vetë autori grindej me krijesën e vet, poezinë dhe, i prishte marrëdhëniet me të.
Edhe kur ishte çështja e botimit, Xheladin Rexhepi shfaqej me ndonjë cikël poezish në shtypin letrar, shumë premtues, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit të sinqertë të poezisë, që ishin letrarët dhe kritikët e kohës dhe, kohë të gjatë heshtte.
Shumica prisnin se do të botonte një libër, por ky prapë humbej si poet, sikur të kishte dashuri dhe armiqësi të vazhdueshme me poezinë e tij. Te pjesa më e madhe e poetëve në botë, ose më thjeshtë në shpirtin e tyre të bartur në poezi, ndikim vendimtar ushtron ambienti gjeografik.
Si dihet, poeti Xheladin Rexhepi, i lindur n’ Kashtanjevë, në gjirin e Sharrit, një nga malet më të mëdha shqiptare, ku bota shpirtërore dhe mendore ka një frymë krejtësisht të veçantë. Pesha e baladave popullore, jeta mistike, fuqia e legjendave, përjetimi konkret i përrallave, domosdo që fisnikërojnë shpirtin krijues.
Zbritja nga amienti i ashpër malor në rrafsh ku gjëllonte jeta urbane, me infrastrukturë shkollore dhe adminstartive, po ashtu, interferojnë në hapësirat shpirtërore të njëriut të mësuar me lartësitë, që vështirë përshtatet në fushë. Mes urbanes së dukshme dhe mistikës malore, poeti do ta krijojë një harmoni të shkëlqyeshme në poezi, plot rrezatim artistik.
Ai me këmbëngulje do t’i bëjë vend gjuhës poetike, në lartësitë e ëndërruara, me besimin e pathyeshëm në të, duke e fokusuar si apoteozë. Shqiptimi i fuqishëm i ndjenjave dhe mendimeve përmes gjuhës poetike, në fillimin e viteve tetëdhjetë, Xheladin Rexhepin do ta shquajnë si një poet të veçantë, me një liri të jashtëzakonshme të brendshme krijuese.
Pikërisht në vitin 1980, ai do të vërshojë faqet e shtypit letar në Kosovë, duke kënduar motivet e njohura si:dashuria, liria, flijimi, vetëflijimi etj., me një figurshmëri harmonike në mozaikun poetik. Nuk mund të ikë me këtë rast nga një baladë e ndarjes, me titullin „Ku e lë kitarën pas të vie kënga“, kushtuar poetit të arratisur nga Kosova, Jusuf Gërvallës, të botuar në gazetën e studentëve „Bota e re“.
Në këtë poezi ishtë i shtrydhur gjithë ai pikëllimi i proviniencës krijuese të Kosovës për një ikje që ishte politike, për një poet shumë premtues, por edhe një shpresë e madhe se në fushën politike për liri kombëtare po ndodhte diçka.
Të kësaj kohe janë një sërë sonetesh nga poeti Xheladin Rexhepi, i cili do të vazhdojë herë më dendur e herë më rrallë, por që deri tash nuk bëri ndonjë vëllim poetik të përmbledhur brenda kopertinave.
Thjesht, ai për kaq vite nuk bëri libër, por vargjet i la të shpërndara, madje në rrugën kah kaloi Kosova për këto vite të shkuara, një pjesë e tyre edhe humbën përjetësisht. Por esenca e gjuhës poetike të Rexhepit, ka mbetuar. Ajo ende tingëllon bukur, me lojën e figurave të zgjedhura, që krijojnë një harmoni të ngjeshur kuptimore.
Baladat e ndarjes, ku mbi një flijim ndërtohet një vlerë ose perëndon përgjithmonë një ëndërr jetësore ose bashkë me të edhe jeta. Poezinë e këtij poeti e shquajnë me një gjuhë sublime. Duhet shtuar tash se Xheladin Rexhepi, hyn në grupin e poetëve të „vonuar“ të Kosovës të viteve tetëdhjetë, siç ishin Sabit Rrustemi, Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Bajram Kosumi e ndonjë tjetër, që angazhimi për liri kombëtare ( të kujtojmë demoinstratat e vitit 1981) do t’i heshtë pas gjendjes së nderë politike të krijuar atëherë.
Disa do të treten burgjeve e disa do të anatemohen, por mbi të gjitha, anatema do të bie edhe mbi poezinë, ku ata kishin dhënë shenja serioze. Në këtë atmosferë të rëndë krijuese e jetësore, Xheladin Rexhepi do të kthehet për vite në fshatin e lindjes, të jetojë me legjendat dhe të komunikojë në mënyrën e vet me të vetmen ngrehinë natyrore, majën e Lypetenit, si një murg, por me ketë rast, artistik.
Ai tash, me maturinë artistike,para lexuesit shfaqet me librin e parë poetik, HERBARIUM I BUBULLIMAVE por unë do thosha, shfaqet triumfalisht. Poezi te shkruara dhe pjesa dermuese te botuara ne harkun kohor (1980-90), pjesa dërmuese e tyre e botuar asokohe në revistat : ”Bota e re”, ”Zëri i Rinisë”, ”Flaka…”, ”Shkëndija” , ”Fjala”.
Vetë mënyra e jetës së tij, ashtu si edhe e shokëve të tij, bëri që shumë poezi të humben, ose të mbesin të pashkruara, derisa edhe toka u dogj nga lufta e fundit në Europë , në vitin 1999. Ky libër shënon fillimin e mozaikut poetik të Xheladin Rexhepit, grumbullimi i pjesëve të të cilit ende kërkon kohë dhe mund./2L ONLINE/