Çasje e shkurtër për veprat e Fehime Selimit: “Fjala ime ka etje”, Shkup 1980, “Lule në ethe”, “Rilindja”, Prishtinë 1982 dhe “Dita e trembëdhjetë”, “Rilindja”, Prishtinë 1990)
Shkruan: Hysen KËQIKU
Arti poetik buron nga shpirti i prirur për të bukurën, për estetikën, për të mahnitshmen e cila gjithmonë na shoqëron dhe frymëzon këndshëm, na i çel shtigjet për të hyrë në krijimtarinë imagjinative, në poezi e cila meriton epitetin “mbretëresha e arteve të bukura”. Kjo mrekulli që mrkullon kurdo, kudo njësoj si këtu, si atje, si gjithkund në këtë planet.
Poezia kjo madhështi artistike na ka takuar ende pa u mësuar të flasim. Ende e gjithë ditën na kujtohen vargjet që nënat tona na i pëshpëritën kur ishim në djepin e rritës, me lutje të përzemërta për një të ardhme, me kënaqësi shpirtërore, që na i paloi në kujtesën tonë duke na mbetur të pashlyera dhe duke na lënë porosinë që ato madhështore t’ua përcjellim gjeneratave që do të lindin, për ta ecur rrugën dinjitetshëm, moralshëm, fisnik e bujar, padjallëzueshëm me rrethin ku jetojmë e ku do të na shpie nevoja e gjallërimit nëpër hapësirat gjithandej.
Gjuha e poezisë është si buzëqeshja – kjo gjuhë kuptohet nga të gjithë njerëzit e botës, kjo gjuhë nuk do përkthyes as komentues. Komentues është pranimi i të bukurës që fisnikëron, që të rrëmben me magjinë e intuitës, kësaj perendeshe që na e pjek bukurinë poetike për ta bërë pozinë.
Fehimja ajo që e kërkoi poezinë kahdo dhe e gjet kudo – Fehime Selimi poetja jonë preshevare dhe ajo… ishte vetë poezia… si të gjithë krijuesit “bashkë me bukën, në sofër edhe me emrin e saj në ballë”. Ajo poezinë e merrte me vete, jetonte me të dhe e kishte në sy e zemër, e merrte me vete dhe e kishte pjesë të trupit e kishte “Sa ngrohtësia e votrës, sa ëndrrat e blerta, sa dashuria ime për ty, sa blerimi i emrit tënd dhe sa rrasa e varri tim”.
Kopshti i parë, me dekorin më të larmishëm me lule, do ta pagëzojë: “Fjala ime ka etje”. Në mesin e kësaj etjeje, Fehimja shihte përtej të vërtetës, përtej asaj që e quajmë fantastike, përtej realitetit. Ajo e shihte atë që e tha në mënyrën më artstike: “Era lodron mbi pullazin tënd rrëmujë, Në fushën time gjurmët e kuajve të huaj” dhe “pranë burimit si përherë blerimin e ëndërruar”.
Metaforat e kësaj poetje janë të ngjeshura me plot gjetje artistike të cilat si të tilla shkëlqejnë me madhështinë dhe forcën që e tha me aq patos dhe elegancë, njëkohësisht: Në poezinë e saj nuk gjejmë banalizma, pos ngashërimave të ndjeshme, as narracion por shprehje që rrjedhin poetikisht fuqishëm dhe dashurisht:
Sytë e ballit, gurrë në majën e bjeshkës, t’i dua.
Jam me Ty
E në këtë natë çdokund hija jote
Çdokund dashuria
Çdokund trolli.
E vetmja kërkesë e poetes tonë është që ta lëmë të qetë në botën e cila, me fantazinë poetike, është “Lule në ethe”, duke na e shpaluar një personifikim të dhembshëm,dhe real sepse në kohën kur ishte në këtë botë “edhe lulja në pikë vere ishte e mbshtjellur me ethe”… e dhimbshme kjo apo jo!? Por njëkohësisht edhe madhështore sepse me një apostrofë poetike na e paraqet në varg dhe në hapësirë artistike. Ajo këtë apostofë, këtë thirrje, këtë zë metaforik e shihte në “rudhat e ballit të saj”, “në muranat e rrënuara”, në “netët pa gjumë”, në “kafkat” dhe “blerimin e kullave”, në “kullosat e bardha”, në “driën e pishës”, në “maje të kokës sime” edhe në “forcën e emrit”.
Ecim nëpër hapat e gjurmshëm të poetes: “Kujtimi”, “Heshtja”, “Soditja”, dhe “Sërish kujtimi”
Shumë e ngjajshme kjo me urtinë popullore “Ec, kshyr dhe mbaj në mend” e ndërtuar me një gradacion të natyrshëm dhe logjik:
Ec: “rrugëve të jetës”, “netëve me shi”,
Kshyr: “Peshën e një nate me zjarrin e kujtimit”,
Mbja në mend: “Këngët që u kënduan padashur”.
Janë aq të shumëta format shprehëse me figura sa mahnitëse po aq edhe tërheqëse. Vargu i saj është i gjallë, merr frymë dhe ec, vargu i saj është emocional që dënesë, loton, dhemb, miklon, ngashëron, thërret dhe trimëron.
Kështu është letërsia, poetika, përkatësisht poezia. Ajo rron në librat antologjike të poetëve tanë e të poeteve tona. Ata dhe ato që morën guximin të ecin rrugëve poetike, të shtruara me frymëzuesin, me muzën, kalëroi, flatëroi dhe notoi kudo e kahdo. Ajo edhe sot si dje rritet e kultivohet duke bashkëjetuar me krushq të librave, bibliotekave e shfletimeve nëpër hapësirat që librat dhe leximi i tyre, i bëjnë poetike.
Fehimja kjo poete e madhe, e cila heret, në lulen e rinisë, u nda nga bota e saj reale dhe poetike ,na ngazëllen duke na mbajtur pezull e në atmosferën fantastike e poetike, me artin e saj letrar në dimenzione të paparashikueshme duke e shtyrë në flatërim fantazia dhe intuita e saj.
Një shteg tjetër i hapur,, me dyer krah e krah, është përsëri “Lulet në ethe”, lulet që janë njësoj si vetëvetja e saj ,si dhimbja e dhembja, si me to, e kurrsesi jashtë vetëvetes. Aty ku gjeli lajmëron ditën e re, ku nëna, babai, dhe vëllai i saj ëndërronin fushën e blertë, aty ku peshonin dhembjen në qepalla për sofrën dhe, për sofrën luteshin, aty ku gjyshi bënte be në tokë dhe në bukën e motmotit për të cilat kishte dashuri të madhe.
Me këto përkushtime e dashuri, u krijua Letërsia jonë, poetika e cila rron në librat që poetja jonë, e lartësive artistike, na i la si një mrekulli që na fton me frymën krijuese edhe të poetëve tanë e të poeteve tona. Ata dhe ato që morën guximin të ecin rrugëve poetike, të shtruara me frymëzuesin, me muzën, kalëroi, flatëroi dhe notoi kudo e kahdo. Ajo edhe sot si dje rritet e kultivohet duke bashkëjetuar me krushq të librave, bibliotekave e shfletimeve nëpër hapësirat që librat dhe leximi i tyre i bëjnë poetike dhe shpirtërore.
Fehimja nuk hyri rastësisht në poezi. Atë e shtyri frymëzimi, intuita, këndimi i veçantë e etja e saj që mban “ngjyrë trëndafili”, e cila ditës i jep dimenzione, i jep “ngjyrë e freski shiu”. Në zemërn e poezisë së Fehimes, gjen vend lahuta e plisi. Zemra e poezisë së Fehimes është një vatër zjarri që nuk shuhet kurrë. Kështu me tërë madhështinë poetike bëhet “legjendë e populit tim o mik”.
Kjo rrugë nëpër të cilën ecim, me dashurinë e vargut poetik, me trokun e ritmit të pegazit, futemi në kthina të reja të një vepre “Dita e trembëdhjetë” me poezi ilirike me të cilat gjithkund e gjithkah e kërkon të Bukurën e Dheut e cila si motër e mirë lidhte nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë.
Duke ngarendur kështu me hapërimin flatërues e poetik kudo nëpër hapësirat tona reliefore shkollore, shoqërore e shtëpiake gjejmë laramani estetike, artistike, poetike e frymëzuese. Gjejmë miq e mikesha të cilët lanë, lënë dhe do ta lënë shpirtin e tyre magjik e fisnik në librat që i ruajmë e i kemi si pasurinë më të madhe kudo në shtigjet tona, tanimë të hapura, të magjishme, fantastike e bujare… hapësirat e ëndërrimeve tona nëpër kohë.
Në këtë rrugëtim tonin, të sërishëm, gjejmë thesare reliktesh e qëndismash që përmbajanë mahnitje nga bukuri të shoqëruara me mbretëreshën Teuta, me të Bukurën e fisit, me Ulpianën e Këngën e vashës, me Rozafën e këngën e maleve, me Doruntinën e Këngën e largët, për t’u kthyer edhe në “Psherëtimë për tokën” ku bashkë me të gjithë shkrimtarët e Luginës heqin vallen e pafundme të fitoreve e rritës sonë nëpër shkallët e mbrujtura me fjalën e zemrës, me këngën e fitoreve.
Dhe, çka të shtojmë tjetër për këtë dhunti e cila është aq afër shpirtit të njeriut, në buzë, në shpirt e në zemër. Sepse të tillë janë ata që krijojnë. I tillë ishte Naimi, Mjeda, Lazgushi, Aliu, Rexhepi, Rifati. E tillë ishte edhe Fehmija – Fehime Selimi, e cila na la vepra poetike të një madhështie fantastike që nuk mund të merret me mend pa e lexuar, shfrytëzueshëm e marramendshëm, përkushtueshëm dhe vëmendshëm mbi të gjitha.