/2L ONLINE/ – Falë njerëzve të përkushtuar dhe talentëve që ka Komuna e Gjilanit, këtu sporti i boksit, dita-ditës po avancon dhe se shumë shpejt këtij sporti do t’i kthehet nami i dikurshëm, sepse parametrat janë por duhet vetëm mbështetje. Gjilani përherë ka pasur boksierë që janë dëshmuar edhe në gara ndërkombëtare me rezultate dhe edhe tani ka të rinj, talentë që po shkojnë asaj rruge.
Në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, janë dhjetëra boksierë, të udhëhequr nga trajnerët Nazim Halili dhe Musli Zymberi, që ushtrojnë e punojnë dhe se rezultate të mira nuk po mungojnë. Ata janë kryesisht boksier të rinj, të cilët nga çdo turne kosovar sjellin medalje të arta, kurse boksieri i ri 15- vjeçar, Erdonis Maliqi, ishte përfaqësues i kombëtares së Kosovës, i cili ka marrë pjesë në Kampionatin Evropian për të Rinj në Hungari. Ai është fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare.
Pastaj, është Violant Sylejmanit, i cili tashmë ka bërë emër në boksin evropian dhe është shpallë sportisti më i mirë i qytetit, ai ishte edhe pjesëmarrës i rregullt në Turneun “Adem Jashari”, ku për të tretën herë u stolis me medalje të artë, si dhe në “Gongun e Artë” në Shkup, ku mori medaljen e argjendtë. Ai ishte edhe pjesëmarrës në turnetë më të forta evropiane.
Trajnerët Nazim Halili dhe Musli Zymberi, theksojnë se talente si këta dy boksierë ka në Gjilan, mirëpo duhet një përkrahje më e madhe institucionale për ta, që së paku t’u ndahet nga ndonjë bursë, apo edhe ndonjë formë tjetër e ndihmës financiare, ngase është dëshmuar se Kosova e me këtë edhe Gjilani, më shpejt mund të vije te sukseset nëpërmjet sporteve individuale, siç është edhe boksi.
“Te ne po punohet shumë, me përkushtim të madh, kurse edhe boksierit nuk po kursejnë mund e djersë përkundër temperaturave tani të ulëta që mbretërojnë në palestër. Ne nuk do të ndalemi, ngase na presin në vitin e ardhshëm turne ndërkombëtare evropiane e botërore, ku do të jemi pjesëmarrës me këta dy boksierë”, thekson trajneri Halili.
Halili nuk lë pa veçuar edhe emrat e boksierëve Albin Sejdiu, Leotrim Rexhepi, Blend Kqiku dhe boksierë të tjerë nga të cilët pritet në të ardhmen.
Përkundër vështirësive materiale që përballet klubi, ka njerëz dhe dashamirë të boksit, të cilët i kanë dalë në ndihmë siç është rasti me “Vali Ranch”, pronari i së cilës e ka pajisur këtë klub me veshje sportive. Por, ajo që kërkohet në ktë rast është mbështetja e rregullt institucionale /2L ONLINE/