(2L ONLINE) – Policia e Kosovës me shqetësim po i përcjell informacionet se këto ditë është në rritje e sipër largimi ilegal i pjesëtarëve të komuniteteve Rom, Ashkali, Egjiptas dhe të tjerëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Sipas, tij largimi i prestarëve të këtyre komuniteteve që jetojnë në Kosovë nuk është rrugë e duhur për zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e një mirëqenie dhe një jete ma të mirë sociale.
“Qëllimi i grupeve kriminale që e organizojnë këtë dukuri padiskutueshëm është për përfitime personale të tyre përmes rrugëve të paligjshme. Kushdo çoftë nga Kosova që si individ apo edhe grup, ku do çoftë në shtetet e Evropës nuk ka mundësi që të fitoj të drejtën e azilit, dhe të gjithë ata me procedura të përshpejtuara do të kthehen mbrapa”, ka thënë toger Hashani.
Ai tha se policia e Kosovës apelon dhe i thërret grupet apo individë që mos të bien pre e premtimeve dhe futjes në lajthitje nga grupe të organizuara kriminale.
“Në as një rrethanë mos bini pre e këtyre premtimeve të rrejshme sepse mënyra e migrimit ilegal është e paligjshme, bart rreziqe të pa parashikueshme për ata që marrin këto rrugë aspak të lehta dhe të pa sigurta për jetë, dhe padiskutueshëm edhe ma tepër na varfëron në aspektin ekonomik, gjersa mundësia e fitimit të statusit për azil është zero”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. /2L ONLINE/