Pas 30 javësh, lider i Superligës së Kosovës është Feronikeli me 70 pikë, kurse vendin e dytë dhe tretë e ndajnë Llapi dhe Prishtina me nga 69 pikë.
Për titullin kampion ende nuk ka favorit apsolut dhe të trija skuadrat po ‘luftojnë’ kokë më kokë për triumfin, i cili ua sguron bletën për në Ligën e Kampionëve.
Së fundmi, janë ‘Plisat’ ata që po mobilizohen për ndeshjen ndaj Llapit, duke ftuar përkrahësit e tyre që të jenë në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të shtunën.
Në njoftimin e tyre, ata kanë shkruar se Evropa do të dëgjojë dhe kuptojë zërin e tyre.
“Krejt bashkë për një qëllim… Champions League !!! Prishtinës tonë , i duhemi më shumë se kurrë. Ka ardh koha që t’i tregojmë europës kush jemi. Edhe dy ditë.”
Ajo që bie në sy, është fotografia me mbishkrimin: Për Prishtinën Kampion!
Kjo fjali është përdorur me te madhe vitin e kaluar nga ‘Intelektualët’ e Dritës, ku qytetarë e përkrahës të shumtë të kampionit në fuqi kishin realizuar video me po të njejtën fjali: Për Dritën Kampion.
Duket se kjo fjali i ka frymëzuar edhe ‘Plisat’ të cilët do e dëshironin një titull për Prishtinën, të cilin po e synojnë me vite dhe që do t’i dërgonte në garat e Ligës së Kampionëve.