Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, në një intervistë për të përditshmen sportive spanjolle “AS”, ka folur për shumë gjëra, por ndër temat më të nxehta pa dyshim është ajo për “Topin e Artë”. Ish-sulmuesi francez ishikon si favoritë vetëm tre lojtarë, ndërsa nuk polemizon rreth vendimit të FIFA-s për të rihapur afatin e votimit, shkruian RTK.
“Mesa duket, favoritë mbeten Messi, Cristiano Ronaldo dhe Ribery. Dy të parët janë lojtarë shumë të mirë por Ribery ka fituar gjithçka. Tre lojtarë të mëdhenj dhe në këtë aspekt mendoj se vendimi i këtij edicioni është edhe më i paparashikueshmi. Vendimi për rihapjen e votimit koincidoi me ndeshjet e ‘play-off’-it. Në vitin 2010 këtë çmim për mendimin tim e meritonin Xavi ose Iniesta, por Messi mbetet një kampion i madh”, ka theksuar Platini, i cili ka fituar 3 ”Topa të Artë” në karrierën e tij dhe ky është një emocion unik që e pranon vetë ish-sulmuesi i Juventusit. “Ky trofe të jep një krenari të madhe personale. Gjithsesi, bëhet fjalë për një çmim që e meritojnë të gjithë shokët e skuadrës me të cilët ke luajtur sepse në futbollin e sotëm mund të fitosh vetëm falë lojës së grupit. Për të tre trofetë kam ndjerë të njëjtin emocion. Në shtëpi kam vetëm dy prej tyre sepse njërin ia dhurova presidentit Gianni Agnelli për muzeun e Juventusit”, ka shtuar Platini.