Më datë 14.05.2023 rreth orës 09:00, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetim e Trafikimit me Narkotikë, Sektori Qendror pas pranimit te informatave përmes rrugëve operative, trajtimit të tyre dhe punës operative në terren, në bazë të dyshimeve se i dyshuari mund të këtë në posedim një sasi të substancës narkotike, në koordinim me Policinë Kufitare në Han të Elezit është ndaluar i dyshuari dhe i është kontrolluar automjeti.
Në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit dhe Gj. E P. Paraprake) në Prishtinë është realizuar Plani Taktik policor i koduar me emrin ‘’KTHESA’’, ku gjatë kontrolleve të zhvilluara në tri (3) lokacione: një banesë në Fushë Kosovë dhe dy shtëpi dhe objekte përcjellëse në fshatin Breznicë të Obiliqit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar mbi njëzet e pesë kilogram (25 kg 134 gr.) substancë e dyshuar narkotike të llojit Marihuanë, të ndara në pesë (5) paketime.
Sasia e sekuestruar dyshohet se ka qenë e destinuar për tregun vendor dhe që kap vlerën rreth njëzet e shtatë mijë e pesëqind euro (27.500 euro).
Gjithashtu, gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe automjeti/vetura Ford Focus ngjyrë hiri me targa vendore si dhe një telefon.
I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës me vet autorizim, ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje duke mos dhënë asnjë detaj për rastin.
Sektori Qendror i Hetimeve kundër Narkotikëve (SQHN) është mbështetur edhe nga: Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë, Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSH) në Prishtinë, Patrulla Policore e stacionit policor në Obiliq dhe Patrulla Policore e stacionit policor në Fushë Kosovë.
Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Hetimet janë duke vazhduar nga Drejtori për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), Sektori Qendror. /2LONLINE/