Shkruan: Florim ZEQA
Degradimi i shtetësisë ka filluar 12 vjet më parë me të filluar dialogu në Bruksel, me heqjen e akronimit të Republikës për Kosovën, gjegjësisht zëvendësimi me fusnotë, për të vazhduar me marrëveshjen fatkeqe për Asociacionin të nënshkruar nga dy ish kryeministrat e vendit tonë, përkatësisht nga binomi më fatkeq për shtetin e Kosovës Thaçi-Mustafa, të cilët me marrëveshjet antikushtetuese me Serbinë e futën në rrugë pa krye shtetin e Kosovës, dialog i cili vazhdoi nga të gjithë pasuesit e tyre dhe po vazhdon edhe me këtë të fundit, me të cilin po rrezikon të përmbyllet dialogu në mënyrën më fatale për shtetin e Kosovës.
Plani franko-gjerman më i dëmshëm sesa Marrëveshja e vitit 2013-të
“Platforma e re e dialogut” apo i ashtuquajturi “Plan Franko-Gjerman nuk ofron asgjë më mirë për Kosovën, por akoma më keq sesa marrëveshja e nënshkruar më 2013, përkatësisht 2015 në Bruksel. E keqja e madhe e planit franko-gjerman është se në të është futur edhe zyrtarizimi i statusit të Manastireve dhe Kishave ortodokse serbe me nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe të zgjeruara me territor dhe kompetenca të avancuara shtetërore!
Përderisa Ligji dhe as Kushtetuta nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, edhe kryeministri aktualë, Albin Kurti e shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën e vendit me pajtimin për zgjerimin e kompetencave (Autonomi) për “Zajednicën” dhe fuqizimin akoma më të madh të Kishave dhe Manastireve serbe në Kosovë!
E keqja tjetër e madhe është se, “Plani Franko-Gjerman” nuk do të ratifikohet në Kuvend, për shkak se marrëveshja ratifikuar më 2013 për Asociacionin konsiderohet e përfunduar, por Kuvendit do t’i kërkohen ndryshimet e akteve ligjore dhe nënligjore në Kushtetutë, për t’i hapur rrugë implementimit të marrëveshjes së dakorduar të 27 Shkurtit 2023 në mes të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel!
Kjo është mënyra më perfide përmes të cilës po tentohet që Kuvendi i Republikës së Kosovës të sillet para aktit të kryer, duke u thirrur në ratfikimin e vitit 2013-të dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjerimin territorial të Manastirit të Deçanit, vendim i cili e lë rrugën hapur edhe për Manastiret dhe Kishat tjera në Kosovë.
Marrëveshja e dakorduar e 27 Shkurtit në Bruksel, në mënyrë eksplicite e bën Serbinë hisedare në Kosovë. Në njërën anë me “Zajednicën” në veri dhe në tjetrën në brendi me Kishat dhe Manastiret serbe. Kur kësaj t’i shtohen edhe enklavat serbe të shndërruara në komuna përmes decentralizimit etnik, atëherë rreth apo mbi 35 % e territorit të Kosovës do të kontrollohet nga Serbia!
Si pasojë e interpretimeve të dyfishta dhe dykuptimësisë së përmbajtjes së planit franko-gjerman, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk guxojnë të rrijnë “duarkryq” përballë rrezikut të tkurrjes më të madhe territoriale dhe të ndarjes së sovranitetit në dysh, por të kërkojnë ndihmë ligjore nga bashkësia ndërkombëtare për mbrojtjen me të gjitha mjetet demokratike pavarësinë, Kushtetutën dhe territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht mbrojtje nga GJND-ja, e cila e ka verifikuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 të bazuar në “Pakon e Ahtisarit”. /2LONLINE/