/2L ONLINE/ – Policia ka njoftuar për rastin e plagosjes me thikë të serbit Zoran Kostiq nga fshati Pasjan i Gjilanit. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në raportin e vet të sotëm për ngjarjet në vend në 24 orët e kaluara, ka njoftuar për rastin e plagosjes me thikë të serbit Zoran Kostiq nga fshati Pasjan i Gjilanit, duke hedhur poshtë pohimet e medias serbe se incidentin e kanë shkaktuar shqiptarë me qëllim të frikësimit të popullatës serbe të këtij rajoni. Rasti, sipas policisë, ka ndodhur për shkak të një tejkalimi në komunikacion.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi i njëjti ka goditur me thikë një mashkull/ Serb. Rasti ka ndodhur për shkak të një tejkalimi në komunikacion. Vlen të ceket se rasti nuk ka lidhje ndëretnike por ka ndodhur spontanisht. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje”, është raporti i plotë i MPB-së.
Agjencia serbe Tanjug, në lajmin për incidentin, ka pohuar se “sulmi mbi serbin në Pasjan ka shqetësuar bashkëkombasit e tij në Anamoravën e Kosovës.
Gjithashtu, është cituar edhe kryetari i komunës së Partesh-Pasjanit Dragan Nikoliq, i cili për agjencinë ka deklaruar se “incidenti ka për qëllim frikësimin e serbëve në këtë pjesë të Kosovës”.
Incidenti, siç i ka deklaruar Kostiqi radios lokale serbe të Çagllavicës, “Kim”, ka ndodhur kur makinës në të cilën ka qenë ai me familjen, ia ka prerë rrugën një makinë tjetër, në të cilën kanë qenë dy sulmuesit, të cilët i ka identifikuar si banorë të fshatit fqinj Vllashticë, të banuar me shqiptarë.
Kostiq është goditur me thikë në pjesën e kraharorit dhe në duar dhe pasi i është dhënë ndihma e parë në spitalin e Gjilanit është lëshuar në shtëpi./2L ONLINE/
/fotoilustrim/