(2L ONLINE) – Ka marrë pjesë në tri beteja të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por emri i tij mungon në listën e 310 veteranëve të Zonës Operative të Karadakut, të cilëve iu është njohur ky status. Nehat Ibrahimi ndihet i zhgënjyer me komandantët e tij dhe kërkon t`i sfidojë ata publikisht, për t`iu treguar se kush dhe kur kishte arritur në ZOK. Thotë se ditën kur i ishte bashkuar Zonës, aty nuk i kishte gjetur as 20 veta.
Ai nuk është asnjëherë pishman pse e ka bërë këtë sakrificë, të cilën, thotë se do bënte përsëri nëse do ta kërkonte nevoja, por ndihet shumë keq që emri i tij nuk gjendet mes shokëve, me të cilët në luftë ka ndarë bukën e plumbat, ka ndarë jetën dhe vdekjen. Akoma nuk beson se injoranca e dikujt mund të shkojë kaq larg.
Ibrahimi e shpjegon edhe rrugën dhe momentin si i është bashkuar ZOK-ut. “Kur kam mbërri në këtë Zonë, në Zllash të Malësisë së Marecit, ku ishte e vendosur komanda e ZOK-ut), aty i kam gjetur jo më shumë se 20 veta”, thotë Ibrahimi.
Ai flet edhe për kalimin nga një zonë në të tjetër dhe përmend emra konkretë. Kalimi im nga ZOP (Zona Operative e Pashtrikut) është bërë përmes Nazmi Bekteshit nga Gjilani, ndërsa Besimi më ka përcjellë me automjet deri te lagja Mihir e Bresalcit, te Vebi Kqiku. Të dy këta tani janë në listën e veteranëve.
Kqiku më ka përcjellë deri te Mala në fshatin Mramor dhe prej aty kam vazhduar me Malën deri në Zllash. Ibrahimi dëshmon se ka qenë pjesëmarrës i dy ofensivave në këtë zonë. “Jam pjesëmarrës i ofensivës së Zhegocit edhe te asaj të Marecit, pjesëmarrës i drejtpërdrejt në vijën e parë të frontit”.
Ai habitet kur në listën e veteranëve sheh emra që nuk i ka takuar asnjëherë në luftë. Disa prej tyre janë fytyra politike, ish-funksionar dhe disa tani në funksione. “Si është e mundur të jenë në rangun e parë të këtyre listave, kur drejtpërdrejt nuk kanë pas kontakt as me armë e lere mëme vijën e parë të frontit”, pyet ai komandantët e tij.
Ibrahimi kërkon debat publik me komandantët e ZOK-ut, për listat e publikuara. “Publikisht kërkoj nga Komanda e Zonës Operative të Karadakut që të debatojmë në një tryezë të hapur në lidhje me listat e publikuara”. Nehat Ibrahimi ndihet i prekur shpirtërisht jo vetëm për veten e tij, por edhe për disa persona të tjerë, me nevoja të veçanta, deri tani përfitues të ndihmës invalidore, të cilët janë lënë jashtë këtyre listave.
Njëra nga betejat ku ka marrë pjesë Ibrahimi është edhe ajo e Pashtrikut, e zhvilluar më 27 janar të vitit 1999, krahas eprorëve Abdullah Shasivari dhe të tjerëve. Pashtriku ishte “betejë pa viktima” në anën tonë dhe “betejë me shumë humbje” në anën e armikut, falë planifikimit të mirë që kishte bërë udhëheqësi i kësaj beteje Abdullah Shasivari dhe bashkëpunëtori i tij Nehat Ibrahimi. “Suksesi jonë në këtë betejë ishte i jashtëzakonshëm dhe i kalon kufijtë e artit ushtarak”, thotë Shasivari, shok i Ibrahimit. Përndryshe, në ZOK ka edhe persona tjerë që janë të pakënaqur me listën. /2L ONLINE/