Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira, ka mbajtur sot një konferencë shtypi me gazetar, ku ka njoftuar për punën dhe aktivitetin e Asamblesë Komunale për gjatë vitit 2019.
Duke elaboruar punën e organit më të lartë komunal, Pira ka vlerësuar përkushtimin e anëtarëve të Kuvendit, në marrjen e vendimeve shumë të rëndësishme për komunën.
“Për gjatë vitit 2019, Kuvendi Komunal i Vitisë ka zhvilluar gjithsej 11 seanca të rregullta, 2 seanca të jashtëzakonshme dhe 2 seanca solemne. Gjatë seancave të rregullta, janë aprovuar 67 vendime dhe janë nxjerrë 5 rregullore. Ndër vendimet më të rëndësishme do të veçoja aprovimin e buxhetit komunal, mandej vendimin për thellim të bashkëpunimit me komunën e Kirchainit të Gjermanisë, si dhe komunën e Velika Pisanicës në Kroaci. Në përgjithësi, vitin 2019 do të vlerësoja si një vit shumë të suksesshëm që ka rezultuar me punë efikase dhe të mirë të Kuvendit Komunal”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Naim Pira.
Njiherit, ai ka falënderuar gjithë këshilltarët komunal për angazhim dhe punë gjatë vitit që po e lëmë pas, e po ashtu edhe mediat lokale që kanë qenë objektiv në përcjelljen, si të seancave por edhe të aktiviteteve që kanë të bëjnë me Kuvendin Komunal.
Një falënderim të veçantë, Pira i ka adresuar edhe donatorëve të ndryshëm, që kanë kontribuar me mbështetjen e tyre që të rrisin efikasitetin në punën e Kuvendit. Në fund, Pira u ka uruar gjithë qytetarët e komunës së Vitisë, Vitin e Ri 2020, duke dëshiruar realizim të aspiratave dhe dëshirave të tyre.