Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Viti, një zyrtar i kësaj qendre ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Për shkak rrezikut nga përhapja e COVID-19 është marrë vendim që Qendra e Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendra për Pajisje me Dokumente të pezullojë ofrimin e shërbimeve me palë. Stafi i dy qendrave janë duke iu nënshtruar testit për COVID-19 dhe deri në marrjen e rezultateve dhe konfirmimit nga QKMF në Viti dhe nga Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike, këto dy qendra do të jenë të mbyllura.
Deri në përfundimin e këtij procesi të gjitha shërbimet e Regjistrimit të Automjeteve do të bëhen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në qytetin e Gjilanit, ndërsa shërbimet për Pajisje me Dokumente do të bëhen në qendrat e komunave më të afërta.
Me këtë rast kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve të komunës së Vitisë, thuhet në njoftim. /2LONLINE.com/