Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha ka mbajtur konferencën e parë për media para dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024 kundër Zvicrës dhe Rumanisë.
Në prag të fillimit të përgatitjeve për këto dy ndeshje, Gliha ka thënë se detyrë e tij është ta ndryshojë mentalitetin e ekipit në mënyrë që lojtarët ta japin maksimumin në fushën e gjelbër, njofton FFK.
Ai përballjen me Zvicrën e ka vlerësuar si shumë të vështirë, por ka thënë se do të bëjnë çmos për të marrë rezultat pozitiv, duke pasur parasysh se do ta kenë edhe përkrahjen e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sipas Glihas kjo ndeshje mund të kthejë entuziazmin në ekipin kombëtar, por ka pranuar se sa i përket këtij cikli kualifikues situata tashmë është shumë e komplikuar. Gjithsesi, ka thënë ai, është obligim i secilit që është pjesë e kombëtares që të jetë i gatshëm të japë gjithçka nga vetja për fanellën e Kosovës. Ai ka thënë se në ekipin kombëtar nuk luhet për para, por për krenari.
“Ne duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar dhe për një futbollist profesionist, nuk ka gjë më të rëndësishme. Nuk luajmë për para, por për dinjitet e krenari dhe duhet ta tregojmë këtë në fushë. Duhet të ndryshojmë disa gjëra në ekip dhe gjëja e parë që duhet ta ndryshojmë është mentaliteti”, ka theksuar Gliha, njofton FFK.
Ai ka thënë se në këtë grumbullim do të jenë edhe disa futbollistë të rinj, por ka insistuar se do të luajnë më të mirët dhe se fokusi do të jetë rezultati pozitiv në këto ndeshje.
Ai foli edhe për rastin e Arbnor Mujës dhe Mirlind Dakut, të cilët së fundi vendosën të luajnë për Shqipërinë, teksa tha se lojtarë të tillë nuk duhet t’i humbasim në të ardhmen. /2LONLINE/