28 Nëntori nga viti 1912 u bë Dita e Flamurit, Dita e Shtetit Shqiptar të ri dhe Dita e Republikës nga viti 1945 e shtetit atëherë socialist.
Kjo ditë e dashur ishte e respektuar e tillë edhe tek të gjithë shqiptarët që ishin atdhetarë dhe që e donin e ëndërronin lirinë jashtë kufijve të Shqipërisë së atëhershme. Një Shqipëri e Londrës u krijua më 1912 nga trojet e pakta të popullit, me aq sa lejuan Fuqitë e Mëdha. Po mos të ishte intervenimi i kreut politik amerikan, nuk do të kishte as aq Shqipëri sa u nxor më 1913.
Ne tani në Kosovë kemi Ditën e Republikës së Kosovës më 17 Shkurt, që erdhi me krijimin edhe të një shtetit shqiptar, pasi nuk na lejuan armiqtë serbë e tjerë të konsolidohemi si kishim të drejtën për atdheun tonë unik. Pasi nuk lejuan një shtet shqiptar, u bënë dy shtete, por me kohë do të kthehen të dy shtetet në një shtet, që veçse ka nisë të bëhet me integrimet e reja ndërmjet vete.
Shumë ndarje e përçarje dalin nga këto ngjarje, përkthehen forcat dhe energjitë për të spjeguar se a janë drejt a nuk janë këto ngjarje dhe realitete, porse e vërteta është kjo, që kemi shtetin e Kosovës dhe se përmes të drejtës kësaj të shtetësisë kosovare, kemi të drejtën nga Ndërkombëtarët edhe të gëzojmë lirinë.
Në këtë vigjilje të kësaj feste të madhe kemi edhe një festë përkujtimi, të Demonstratave të vitit 1968, për ne në Gjilan që ndodhën më 27 Nëntor 1968. Viti 1968 erdhi befas dhe fuqishëm në vetëdijen dhe frymën e kombit këtu në Kosovë, duke ngritur popullin këtu atëherë një shkallë më lart në të drejta dhe në autoritet.
Në atë vit mandej, veç demonstratave në të gjithë qytetet e vendit, ndodhën edhe ndryshime të mëdha në të drejtat dhe liritë e popullit tonë, anise pati arrestime, dënime e burgosje të shumta, me pak o me shumë kohë burg të rëndë politik, po mbi të gjitha pati edhe vrasje shumë, plagosje të rënda të atdhetarëve e të tjerëve, si dhe pasoja të rënda sociale.
Dënimi politik, përveç hetuesisë, tmerrit të torturave, pasojave, burgut të rëndë e me kohëzgjatje të madhe, kishte edhe një ndëshkim tejet të rëndë vdekjeprurës: ai ndëshkim merrte të gjitha të drejtat civile e njerëzore të të ndëshkuarit dhe pushteti atë e shpallte “të vdekur”. Ishte një “vdekje civile”, e transmetuar nga koha e Romës së Vjetër. Ashtu i dënuari politik pas vuajtjes së burgut, nëse dilte gjallë nga burgu, nuk mund të punësohej kund me ligj, as pa ligj, as të punonte as argat kund, as edhe dy ditë të vetme. Nëse gjente një punë ndokund, fizike, të argatit, të nesërmen kur shkonte në punë, i zoti i shtëpisë me keqardhje i ankohej se kishin intervenuar ata të sigurimit dhe se ia kishin tërheqë vërejtjen e se i kishin thënë që më mos ta lejonte argatin e djeshit të vazhdonte punën, sepse ishte armik i shtetit, -e tjera.
Shumë ngjarje të mëdha ndodhën atë vit dhe shumë shqiptarë u fikën, u vranë, u burgosën, u ndoqën jashtë vendit nëpër botë dhe shumë kuadro të arritura në të gjitha fushat e arsimit e administratës publike u ndërruan, anise edhe ashtu ishin shumë pak me përqindje. Serbët me malazezët përfshinin 95 % të punësimit dhe administrimit, kurse ishin me 20 % popullsi në këtë vend tonin. E të tjera…
-II-
Demonstratat e vitit 1968 ishin masive edhe nëpër Evropë dhe ajo gjendje e tillë ndihmoi dhe krijoi rrethana të favorshme për shqiptarët në Kosovë, për ata shqiptarë që punonin për atdhe, që të organizonin demonstrata për të drejta dhe liri kombi, sikur të tjerët. Të tilla demonstrata pati edhe në Jugosllavi, të përqendruara në Beograd, me fuqi të madhe, pjesërisht të përhapura edhe në Sarajevë, Zagreb dhe Lubjanë. Ato demonstrata pushteti atëherë jugosllav i quajti “kryengritje”, ngjarje kundër pushtetit, së pari herë të hapura dhe masive që prej Luftës së Fundit atëherë, Botërore dhe pas konsolidimit të shtetit të ri jugosllav, të konsideruar ideal për drejtësi ligjesh!?
“Pranvera e Pragës” si u quajt dy vjet më parë në ish Çekosllovakinë, e sulmuar edhe ushtarakisht më 1968 nga rusët dhe pakti i Varshavës, që ishte përballë Paktit Atlantik, si dhe shumë lëvizje të mëdha në botë në Perëndim dhe në SHBA, që lidheshin kryesisht me të drejta njerëzore dhe në rend të parë sociale, e ku prinin rinia, -ndihmoi të tjerët në Evropë për të ngritur zërin e arsyes për të drejta njerëzore e kombëtare dhe në këtë edhe shqiptarët në Kosovë shfrytëzuan rastin e volitshëm.
Atë vit, pas trazirave të mëdha në Çekosllovaki, pasi Sllovakia e Çekia ishin një shtet unik, ndërhyri Bashkimi Sovjetik -Rusia me Trupat e Paktit të Varshavës dhe e okupoi Çekosllovakinë, me arsyetim se kishte të drejtë dhe se për atë e kishin thirrë vetë komunistët vëllezër të pushtetit çekosllovak. Pranvera e Pagës ndërkaq artistikisht u quajt nga perëndimorët, si një risi e freski e re në kohën e atëhershme, pas një shtangieje politike nga Lufta e Ftoftë nëmes dy superfuqive, që kishin ndarë botën në sfera interesi për vete dhe kur bëhej luftë e madhe ekonomike për pozicione në botë nga të dy superfuqitë.
Ato rrethana ishin shumë të favorshme edhe për shqiptarët në Kosovë në rend të parë, e që i shfrytëzuan dhe në nëntor të atij viti edhe ndodhën ngjarjet e përmendura, të cilat njësoj ishin edhe në Kosovë një pranverë kombëtare, me aromë vjollcash gjaku, që pastronin varrët e shëmtinë e robërisë dhe përhapnin erë të këndshme lirie!
Pas atyre demonstratave, u bënë shumë risi për të mirë në Kosovë. U lejua bashkëpunimi ndërshtetëror me Shqipërinë, këtu erdhën në vizitë shumë personalitete, mësimdhënës e trupa artistike, deri edhe vetë trupa e Radiotelevizionit të Tiranës dhe Orkestri Simfonik Shtetëror. Këto trupa ishin edhe në Gjilan. Mbi të gjitha filmi artistik për Gjergj Kastriotin u dha në Kinemanë e Qytetit në Gjilan për rreth tri javë rresht pa ndërprerë dhe kjo ngjarje me filmin e tillë bëri bujë të madhe në popull!…
Pasi se ngjarjet me demonstratat në Kosovë ndodhën ngjitas me Ditën e Flamurit dhe të Shtetit Shqiptar më 1912, pra më 27 Nëntor, tani festohen ngjitas, me çka krijojnë një atmosferë të tërë kombit këndej e andej për mirë dhe mbarë. Për më tepër manifestimet e gëzimit për këto festa nisin edhe para këtyre datave dhe vazhdojnë edhe pas përfundimit me datë të manifestimeve.
Në këtë kohë, përkrah këtyre datave të mëdha të kombit, ndodhi edhe Kundërshtia e Madhe që iu bë qeverisë serbe lidhur me shantazhet e pareshtura në të gjitha anët ndaj shtetit të Kosovës dhe kombit tonë, me çka kjo kundërshti solli disa vendime shumë të gjalla dhe të freskëta lirie kundër pushtuesit që don të kthehet sërish pushtues, duke kulmuar me kufizimin ekonomik –tregtar të Serbisë në Kosovë, -e kurorëzuar me rritjen e taksës 100 % për produktet serbe që hyjnë në Kosovë.
Kjo taksë ka një forcë të madhe kufizimi të fuqisë serbe që ushtrohet dhunshëm në Kosovë, e që mund të jetë me veçori të embargos, që mund të ndodhë lehtë nëse acarohen marrëdhëniet më tutje. “I kthyer nga vdekja”, siç thotë populli për një të sëmurë para vdekjes që kthehet në jetë, -populli në Kosovë, kur ishte mu ashtu në prag të sfilitjes për vdekje, u përmblodh në luftë për jetë ndaj një armiku të pa skrupull e gjë njerëzore, -dhe u kthye, me triumf!
Një kundërshti, e vogël në shikime të para, u kthye shpejt në rënie të fuqishme ndaj armikut dhe e trandi fuqishëm, sa ai e humbi kontrollin. Kjo ngjarje, tani vështirë e dukshme, me kohë do të tregon se u bë nismë për kundërshti dhe në luftë për mbijetesë, për popullin tonë këtu në Kosovë. Me këtë nismë kundërshtie të duhur, gjithçka që ishte në paralizë të tërë përbrenda, u hoq, dhe një frymë e re gjallëri e vetëdijeje u kthye së rish në popull!
Është kjo udha tani, në të cilën do të ecë e vargohet populli, drejt së ardhmes!
Urime 28 Nëntori!