(2L ONLINE) – Është përuruar sot objekti i ri i shkollës fillore “Afërdita” në fshatin Kishnapole, e cila është bashkëfinancim i Komunës së Gjilanit, “Caritas”-it të Luksemburgut dhe qeverisë së Kosovës.
Prerjen e shiritit e bëri kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtorin e Arsimit Nazmi Musa, sekretaren e parë të ambasadës së Luksemburgut të Kosovë Marie-Anne Marx si dhe përfaqësues nga “Caritas”-i i Luksemburgut dhe ministria e Arsimit.
Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar qeverinë e Luksemburgut për ndihmën në ndërtim të kësaj shkolle si dhe për ndihmat e vazhdueshme në të gjitha resorët e rëndësishëm të shoqërisë.
“Jam i nderuar që sot po e përurojmë njërin nga investimet më të mira që populli mik i Luksemburgut, “Caritasi” i Luksemburgut dhe europianët e vjetër, të cilët kanë vendosur t’i ndihmojnë europianët e rinj, në veçanti Kishnapoles dhe këtij vendi, ku ata që kanë qenë para luftës edhe gjatë luftës këtu mund t’i gëzohen këtij investimi të madh edhe në shkollë, edhe në rrugë, infrastrukturë, bujqësi dhe shëndetësi dhe falënderimi i shkon të gjithë atyre që i kanë ndarë mjetet dhe taksat e tyre. Me këtë rast, dëshiroj ta falënderoj përfaqësuesen më të lartë diplomatike nga Luksemburgu për mbështetjen”, tha Haziri.
Kreu i Gjilani tha se ky është një hap i madh për ta barazuar Kishnapolen me vendet tjera në Kosovë.
“Ky model i Kishnapoles duhet të bartet në fshatrat tjera, vende tjera për të filluar për ta nderuar jetën. Natyrisht ky është vetëm hapi i madh për ta barazuar Kishnapolen dhe popullatën e saj me shqiptarët tjerë në vendet tjera në Kosovë sepse 20 vite prapa kemi mbetur si pasojë e moskujdesit dhe pasojë e problemeve të tjera. Me ndihmën e miqve, do t’ia arrijmë ta zhvillojmë këtë vend. Këtë bukuri natyrore vetëm Zoti e ka falë, e cila tash duhet të ruhet dhe duhet tu krijohet mundësi të gjithëve që ta shohin”, tha Haziri.
Sekretarja e parë e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë Marie-Anne Marx, tha se investimi në ndërtimin e shkollës tregon për një bashkëpunim të mirë në mes të qeverisë së Luksemburgut dhe qeverisë së Kosovës dhe këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen.
“Edukimi nuk është vetëm një e drejt themelore, por është një bazë e fortë për një perspektivë më të madhe. Projektet e tona të investimeve në Kosovë kanë qenë të një cilësie shumë të lartë me të cilat edhe qeveria e Luksemburgut është ndarë e kënaqur. Ju falënderoj të gjithëve për kontributin që kjo shkollë të ndërtohet”, tha zonja Marie-Anne Marx.
Fjalë rasti pati edhe drejtori i Arsimit Nazmi Musa, drejtori i shkollës dhe përfaqësuesi nga Këshilli lokal i fshatit, të cilët u shprehën të lumtur për ndërtimin e kësaj vatre të dijës.
“Ky objekt i shenjtë, i pajisur me të gjitha kushtet e një shkolle moderne europiane, do të jetë nxitës për rezultate sa më të larta dhe fisnike të dijës. Shkollimi në kushte të mira, në kushte të njëjta me bashkëmoshatarët evropian, na shpije në rrugën e integrimeve të një arsimimi bashkëkohor dhe integrues në Europën e bashkuar. Jemi të bindur se çdo qindarkë që investojmë sot në arsim, shumëfishohet në dhjetëra dhe qindra herë nesër, në dritë, për mbarë Kosovën në përgjithësi dhe Gjilanin në veçanti”, është shprehur drejtori i DKA-së, Nazmi Musa.
Në fund, Këshilli i fshatit të Kishnapoles i ndau mirënjohje kryetarit Haziri, “Caritasit” dhe qeverisë së Luksemburgut si dhe Ministrisë së Arsimit. /2L ONLINE/