Komuna e Vitisë, ka vazhduar me realizimin e projekteve të sigurimit të ujit të pijshëm në këtë komunë.
Me këtë rast sot është bërë përurimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Zhiti të Vitisë, projekt ky i përbashkët në kuadër të bashkëpunimit të komunës së Vitisë me Dorsch/CDI-në dhe Kompaninë Regjionale të Ujërave “Hidromorava” në Gjilan.
Përndryshe ky projekt bashkë financohet nga komuna e Vitisë me qeverinë Zvicerane dhe atë të Kosovës.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sot pjesë në përurimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Zhiti të Vitisë , ku edhe u prit nga banorët e këtij lokaliteti.
Kryetari Haliti ndër tjerash tha se kjo komunë në mënyrë intensive me partnerët e saj po punon në sigurimin e ujit të pijshëm.
“Komuna e Vitisë është e përkushtuar të ju siguroj qasje në ujë të pijshëm për të gjithë banorët e kësaj komune. Pas përurimit të rrjeteve të ujësjellësit në disa fshatrave tani po bëjmë përurimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Zhiti të Vitisë dhe pritet që së shpejti të bëhet edhe funksionalizimet e 11 rrjeteve të ujësjellësit në lokalitet e komunës së Vitisë”, u shpreh Haliti.
Kurse Astrit Vokshi nga Dorsch/ CDI tha se pas finalizimit të projekteve të ujësjellësit ato do të merren në menaxhim të Kompanisë Regjionale të Ujërave “Hidromorava” në Gjilan.
Burim Emini, kryetar i fshatit Zhiti, pos që falënderoi komunën dhe partnerët e saj për funksionalizimin në këtij rrjeti ju bëri thirrje banorëve që të bëjnë kyçjet individuale në rrjet.
Pas përurimit të këtij rrjeti ata kanë vizituar edhe rezervuarin e ujit që gjendet në pjesën e sipërme të fshatit Zhiti.
Përndryshe ky projekt është në kuadër të bashkëpunimit të komunës së Vitisë me Dorsch/CDI-në dhe Kompaninë Regjionale të Ujërave “Hidromorava” në Gjilan dhe që bashkë financohet nga komuna e Vitisë me qeverinë Zvicerane dhe atë të Kosovës. /2LONLINE.com/