Në Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, në praninë e adhuruesve të fjalës së shkruar, është përuruar libri i parë me poezi, “Dy lulet e mia”, i autores, Shqipe Isufi, për të cilën libër me referimet e tyre janë paraqitur: recensenti, Faik Shkodra dhe Sulejman Dërmaku, redaktor i librit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Përmbledhja me titull “Dy lulet e mia” është libri i saji parë. Poezitë për tema e motive kanë dashurinë ndaj atdheut, mallin e nostalgjinë ndaj nënës, babit, për të cilët thur vargje me ndjenja të pastra të shpirtit”, thotë në fjalën e tij, recensenti i librit, Faik Shkodra.
Ai shtoi se autorja e këtij libri, duke hedhur vargje për atdheun, nënën, për Gjilanin, për kohën, për kurbetin, si njërën ndër plagët më të dhimbshme të shqiptarëve, Shqipja ka shprehur botën e pasur shpirtërore, botë që shquhet për ndjenja të ngrohta e të sinqerta dhe se në qendër të poezisë ka vënë realitetin e kohës.
Sipas recensentit Shkodra, ndër tjerash, vargjet e poezive të këtij libri, mbi të gjitha reflektojnë një realitet të dhimbshëm jetësor e historik, transmeton 2LONLINE.com.
Ndërsa, redaktori i librit, Sulejman Dërmaku, i ka cilësuar vargjet e kësaj autore, si vargje të ngrohta, të ndjeshme, e të afërta.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Dërrmaku ka thënë se edhe titulli i librit është një metaforë në vete, sikurse që është edhe e tërë poezia në brendi të librit kushtuar dy fëmijëve të saj. Ata i identifikon me lule, për të cilët ka dashuri të pakufishme…
“Secili autor, përmes formave të ndryshme të artit, mund të shprehet në mënyrën se si e sheh dhe se si e ndjenë, këtë botë dhe këtë jetë. Si gjini e letërsisë, poezia përpiqet ti jap përgjigjen e saj rimuese pyetjes së përjetshme, se: Çfarë do të thotë kuptimi i jetës sonë?! Në këtë vazhdë, disa poezi të Shqipes janë vërtetë rezultat i reflektimit të autores për jetën në përgjithësi dhe për jetën e saj posaçërisht”, shprehet shkrimtari Dërrmaku.
Ai tutje thotë se në këtë libër lexuesi do të gjejë një larushi poezish nga jeta dhe për jetën, që në njëfarë mënyre mund të jenë edhe reflektim vetijak i vet lexuesit. Autorja duke qenë edhe vet mërgimtare, pothuajse në të gjitha vargjet e poezive të saja, ndihet, malli, dashuria e madhe dhe e çiltër për atdheun, për vendlindjen, për prindërit…, transmeton 2LONLINE.com.
Në fund të këtij përurimi, autorja e librit, Shqipe Isufi ka falënderuar të pranishmit që morën pjesë në këtë përurim të përmbledhjes së saj të parë me poezi.
Pasi ka lexuar edhe një poezi të saj, të papërfshirë në këtë vëllim, ka evokuar kujtime se si është lidhur me poezinë, si fëmijë, inspiruar nga nëna e saj, dhe ndriçimi i hënës…, pastaj ka folur për jetën e saj në mërgim, peripecitë e një mërgimtareje, angazhimet profesionale, dashuria për poezinë, vargjet që i ka shkruar në gjuhën gjermane, e deri te shpërfaqja e krijimeve të saja në gjuhen amtare, e cila ka kulmuar edhe me këtë përmbledhje poezish “Dy lulet e mia”.
Përndryshe, Shqipe Isufi ka lindur në Gjilan, ka jetuar në Gjermani dhe tani jeton dhe vepron në Zvicër. Ajo ka bërë me dije se në proces ka edhe krijime të tjera, që mund të derivojnë në libra të tjerë, duke përmendur këtu edhe një libër në gjuhën gjermane që iu dedikohet më të vegjëlve, e që mund ta jetësojë shumë shpejtë. /2LONLINE/