Përmes një tubimi përkujtimor në Sadovinë të Çerkezve, u nderua jeta dhe vepra e dëshmorit Florin Maliqi, i cili ra në betejën e Koshares, para 24 vitesh, ku me këtë rast u bë edhe përurimi i bustit të këtij dëshmori.
Për veprën e dëshmorit Maliqi, folën nënkyetari i komunës Hasan Aliu, ish-komandanti i Brigadës 138, Rrustem Berisha, kryetari i Organizatës së familjeve të dëshmorëve, Qemajl Rexhepi, përfaqësuesi i këshillit të fshatit, Rexhep Osmani dhe nëna e dëshmorit Maliqi, Mevlide Maliqi. Të gjithë folësit lartësuan veprën dhe sakrificën e dëshmorit Maliqi për atdhe.
Ndërsa, pjesa e dytë e këtij tubimi përkujtimor u karakterizua me program artistik, ku me disa pika u paraqitën kori i qytetit të Vitisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” në Viti, këngëtari Mehmet Zuka dhe dy poezi.
Ky organizim u mbajt në kuadër të Ditës së Dëshmorëve të Vitisë, e cila shënohet me datën 5 maj. /2LONLINE/