Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës, lëvizje që i grumbullon shqiptarët e shpërngulur nga ajo pjesë në Kosovë, ka komentuar në profilen e tij në FB, rreth “turit të dëgjimit” të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, duke parashtruar edhe pyetjen se:
”Përse ai nuk pati asnjë interes t’i takojë banorët e Kosovës Lindore, shumica e të cilëve janë shpërngulur e jetojnë në Kosovë pa vullnetin e tyre e për shkak të politikave gjenocidale të shtetit Serb që zbaton në trojet tona etnike?!”
Kadri Vesli ka bërë të ditur se ka përfunduar të ashtuquajturin “turi i dëgjimit” me qytetarë nëpër gjithë Kosovën dhe ka paralajmëruar tani turin e konsultimeve me ekspertë me të cilët do t’i bisedojë problemet e identifikuara gjatë turit të dëgjimit.
Duke qenë i bindur se çdo njeri i ndërgjegjshëm edhe për pjesët e tjera të trungut tonë, ndan po të njëjtin shqetësim, do të doja ta shtroj pyetjen që rëndon mbi mua, edhe në emër të tyre:
Përse ai nuk pati asnjë interes t’i takojë banorët e Kosovës Lindore, shumica e të cilëve janë shpërngulur e jetojnë në Kosovë pa vullnetin e tyre e për shkak të politikave gjenocidale të shtetit Serb që zbaton në trojet tona etnike?
Kosova e ka për detyrë të merret edhe me shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, e të mos bëjmë fjalë për shqiptarët e Kosovës Lindore që jetojnë brenda kufijve aktualë të këtij shteti.
KATËRDHJETË E PESË MIJË (45 000) NUK JANË NUMËR I VOGËL PËR T’U INJORUAR E NEGLIZHUAR.
Pa mos dashur t’i mbaj ligjëratë historie atij dhe të gjithë politikanëve të Kosovës e Shqipërisë, Kosova Lindore siç e quajmë ne dhe na e pranojnë të tjerët (psh. Bob Churcher nga Qendra hulumtuese për studime të konflikteve) apo Lugina e Preshevës, historikisht ka qenë pjesë edhe e Vilajetit të Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë kur Kosova Lindore bashkë me pjesët e tjera të banuara me shqiptarë u bënë pjesë e shtetit shqiptar të 1912.
Kadri Veseli dhe të tjerët, kur bëhet fjalë për Kosovën Lindore/ Luginën e Preshevës apo banorët e saj, përveç historisë sonë kombëtare e cila duhet të jetë udhërrëfyes i politikës së tyre, le ta kenë parasysh edhe mendimin e njërit ndër diplomatët më me përvojë të këtij rajoni Gert Arens, i cili është shprehur:
“Historia e kësaj hapësire duhet parë në kontekstin e Kosovës.”