Nuk gaboj nëse ripërsërisë atë që kisha shkruar më parë se shqiptarët që për shekuj të tërë ishin banorë autoktonë në pjesën më të madhe të Ballkanit, edhe pse dikur kishin territor aq të gjerë sa u kishin zili shumë popuj përreth, edhe pse njiheshin për luftëtarë të paepur, territoret e tyre vazhdimisht janë tkurrur. Ky fat i cili përcolli shqiptarët që nga koha ilire, vazhdon të na përcjellë edhe sot e kësaj dite. Muri që po ndanë në dysh Mitrovicës, është vazhdimësi e kësaj tragjedie.
***
Në fakt, kjo teme nuk është shkoqitje nga historia e humbjeve tona, por është diçka që flet mbi një të keqe më të madhe. Është pyetje që kërkon përgjigje se përse vazhdon kjo e njëjta tragjedi me shqiptarët. Dhe, pyetjet si kjo, kërkojnë përgjigje adekuate që të ndalen humbjet, fillimisht duke zbuluar shkaqet e humbjeve, dhe nëse nuk zbulohen, humbjet do të vazhdojnë.
Për çudi, shqiptarët ende nuk kanë gjetur shkaqet e paaftësisë për t’i ruajtur, e lëre më për t’i zgjeruar tokat e tyre. Ky është realiteti jonë, që po manifestohet edhe nëpërmes gjendjes së tanishme. Në vend të përpjekjeve për të shëruar këtë damkë që e bartim me vete, sikur më parë sikur edhe sot, ne mjaftojmë duke arsyetuar papërgjegjshëm faktin e hidhur të historisë sonë. Në rrugën për të njohur mirë e drejtë të kaluarën tonë, ato studime që i janë bërë dokeve, zakoneve, motiveve e sidomos mënyrës së të menduarit rezultojnë të jenë të cekëta dhe të pamjaftueshme. Të pamjaftueshme janë, pra, edhe studimet mbi kulturën shqiptare, sepse, kulturën tonë e përkufizuam vetëm brenda aktivitetit klasik kulturorë. Këto studime do të duhej të ishin bërë mbi gjithë opusin e jetës shoqërore. Do të duhej të shikoheshin dhe rishikoheshin të gjitha refleksionet e segmenteve përbërëse të jetës së shoqërisë shqiptare. Edhe mënyra e të menduarit edhe mënyra e manifestimit të atij mendimi në proceset e jetës do të duhej të ishin studiuar. Deri më sot, studimet e mirëfillta shkencore mbi etnogjenezën dhe etnopsikologjinë shqiptare mungojnë. Jemi mjaftuar me përshkrime romantike të së kaluarës, apo, nëse kemi folur për dështime, jemi mjaftuar duke i hedhur fajin të huajve. Vetëm një studim i gjithanshëm dhe analitik do të mund të qiste në dritë shkaqet e pasojave të një historie siç është historia shqiptare. Gabim është nëse edhe më tutje lejojmë që vetëm historianët të flasin për të kaluarën e vetëm politikanët të vendosin për të ardhmen. Historia si shkencë, merret kryesisht me përshkrimin e ngjarjeve në formë pasojash, sepse ajo nuk është e zonja t’i hulumtojë shkaqet si shkaqe të ndodhive që sjellin pasojat e mundshme. Sintetizimin e së kaluarës me të tanishmen, historia mund ta bëjë vetëm kur bashkëvepron me profilet tjera relevante, jo si e vetme. Përndryshe, ngjarjet që na transmeton ajo, mbeten përshkrime të së kaluarës, por jo më mësim si të ndërtojmë diçka tjetër, më mirë, për të ardhmen.
“Historia” që flet mbi historinë e shqiptarëve nuk duhet të përkufizohet vetëm brenda parametrave deskriptiv të ngjarjeve, personaliteteve, vendeve apo datave. Ajo, pra, duhet të hulumtojë faktet, arsyet dhe motivet që i paraprinin ngjarjeve historike. Në këtë rrafsh, arsyetimet pseudoshkencore të kinse njohësve të historisë, e sidomos deklarimet shterpe të asaj klase politike të paarsimuar, donë një intervenim kirurgjikal. Është momenti të bëhet kthesë në ri-shikimin dhe analizimin e përgjithshëm që historisë sonë, jo si histori, por si mënyrë jetese, si mënyrë reaksioni ndaj momenteve dhe fenomeneve me të cilat jemi ballafaquar. Po nuk e bëmë këtë, ne nuk do të jemi në gjendje në njohim të kaluarën, rrjedhimisht nuk do të jemi në gjendje të njohim as tani vetveten. Çështja është se a kemi vullnet dhe gatishmëri që ta bëjmë këtë!
Të përmendim edhe këtë. Kur kemi folur për nevojën e reformës në fe, përveç tjerash, kemi menduar gjithashtu edhe për nevojën e ri-interpretimit të këtyre çështjeve edhe nga këndvështrimi fetarë. Leximi i drejtë i rolit të fesë në historinë shqiptare ka rëndësi të madhe. Ligjëruesit fetarë duhet të njohin logjikën e njerëzve që kanë përpara, duhet t’i dinë rrugëtimet e formësimit të asaj logjike, si dhe, duhet të dinë nevojat e njerëzve, motivet e tyre, si dhe problemet me të cilat përballen ata njerëz. Thjeshtë, ligjëruesit duhet të jenë në një paralele me audiencën të cilës i flasin, përndryshe, ligjërimet e tyre tek ta nuk paraqesin fuqinë lëvizëse për të ecur përpara. Feja për shqiptarin ka qenë dhe ende është e rëndësishme. Nga këtu, ne edhe më tutje do të flasim për nevojën e përgatitjes së kuadrove të reja, jo vetëm në vendet arabe, por gjithandej nëpër botë. Forcimi kadrovik dhe intelektual i Fakultetit të Studimeve Islame është në dobi të kësaj shoqërie. Edhe krijimi i katedrave përkatëse në te, dhe, si nevojë kohe, krijimi i një Universiteti Teologjik për gjithë shqiptarët, është mase i domosdoshëm. Ndërlidhja e fortë mes logjikës së pranimit me formën e shpjegimit është mënyra më e mirë e promovimit të fesë, rrjedhimisht, e ndihmesës që duhet t’i ofrohet dëgjuesit. Fetë e shqiptarëve sot duhet të “zbresin” në tokë dhe të merren edhe më shumë me njerëzit e kësaj toke. Ato duhet t’i shërbejnë këtij nënqielli para se të promovojnë qiellin dhe vendet tjera që kaq shumë i kanë promovuar. Është i çuditshëm fakti se si ne edhe më tutje emërtojmë xhamitë dhe kishat tona me emra të huaj por jo me emra shqiptarë. Shtëpitë e Zotit tek ne mbajnë emra të huaj, sepse ne edhe më tutje të huajën e mbiçmojmë ndërsa tonën e nëpërkëmbim. Ky mentalitet skllavi nga i cili vështirë të çlirohemi, është pasojë e mosnjohjes së drejtë të fesë, e mos leximit të drejtë të historisë, e mos shtrimit të problemeve mbi bazën e logjikës së pranueshme, aq më keq, e mungesës së ndjenjës për promovimin e identitetit tonë.
Për të njohur edhe më mirë realitetin, shqiptarët kanë nevojë për enciklopedi të veta që ende nuk i kemi përpiluar. Kemi nevojë për strategji, për memorandume dhe për programe afatmesme dhe afatgjata. Duhet t’i lexojmë dhe të mësojmë nga përvojat e akademikëve dhe shkencëtarëve të popujve përreth, pastaj edhe të shoqërive që patën fate të ngjashme me tonat. Përkthim i atyre akademikëve dhe shkencëtarëve është mase i nevojshëm. Ato përkthime duhet t’i lexojë klasa jonë politike për të mos marrë vendime të pamatura. Elita intelektuale i ka shumë borxh popullit shqiptar. Kjo elitë do të duhej të përgatiste materiale me vlerë nga të cilat do të mësonte pikërisht klasa politike. Kjo e fundit, për shkak të natyrës së punës që bënë, nuk mund të veprojë drejtë, as mençur, nëse ato materiale nuk i posedon, nëse nuk i lexon dhe nëse nuk i ka kuptuar. Pyes: sa studime shkencore deri më tani i janë vënë në dispozicion parlamentit tonë dhe sa të tilla i ka kërkuar parlamenti? Apo, sa herë ju ka rënë të dëgjoni deputetët teksa flasin me gjuhën e fakteve shkencore që eventualisht i ka shkruar elita jonë intelektuale? Dyshoj nëse është bërë diçka e tillë. Në mungesë të një konsolidimi të mirëfilltë të radhëve mes këtyre dy elitave, nuk bënë çuditemi me gjuhën politike si e për çka flet, si ndërhynë politika në arsim, në shkencë, në shkrimin e historisë, aq më keq, si etiketojnë njëri-tjetrin dhe si arsyeton qëndrimet e veta. Është koha kur duhet ndryshuar kjo gjendje, gjithsesi të ndryshojë logjika e të menduarit tonë.
E ardhmja jonë varet kryesisht nga gjithëpërfshirja jonë në krijimin e historisë, nga mënyra e leximit të saj, nga ajo se kush do ta shkruaj të sotmen dhe si do ta bëjë atë. Përndryshe, vazhdojmë të humbim territore, sepse, edhe kur në oborrin tonë të tjerët ndërtojnë mure, ne deklarohemi se jemi për paqe, jo për të treguar muskuj. /2L ONLINE/