Selvete ABDULLAHU
Poezi që ndriçojnë si llambë
( Përqasje librit poetik të Sabit Rrustemit, ZOTI NUK MË THOTË HARROJE, editoi Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, 2021 )
Dashuria është një bimë që kurrë nuk thahet
As kur bëhemi një me tokën
As kur shpirtrash tresim qiejve
Me këto vargje brilante do të nis vështrimin tim për një vepër poetike që meriton te lexohet dhe të mbetet në kujtesën tonë afatgjatë, si ylber pas shiut apo si diçka e bukur që ka freskuar trurin tonë drejtë ditës së nisur. Të futesh në botën e brendshme të poetit është si të futesh në kopshtin me lule dhe aty ke laramaninë e aromave e ngjyrave ku secila është më unike se tjetra poashtu me pamje dhe format dalluese e ndryshimet e tjera. Prandaj, nuk arrin te zgjedhësh se cila lule është më e mira, njësoj është edhe tek libri me poezi i Sabit Rrustemit, “ Zoti nuk më thotë harroje”. Në fakt nuk mund të caktosh se cila nga këto poezi është ajo që të rrëmben më shumë sepse secila e ka veçantinë e vet dhe është unike në sojin e vet, prandaj e kthej me kënaqësi në rilexim disa herë, si të ishte tablloja e një filmi të mirë në teatër. E sheh e nuk ngopesh asesi.
Njeriu nëpër kohë ka krijuar i pavarur dhe i varur poashtu ose nga faktorët e jashtëm apo të brendshëm varet prej shtytjeve dhe inspirimit të tij, prandaj e drejta e tij apo saj ka qenë dhe është e lirë në besimet dhe qëndrimet e përgjithshme. Kjo liri i gjason zogut në fluturim. Në këtë rast dua të bazohem prej titullit të librit që vërtetë len mbresa te lexuesi i çdo kohe ”Zoti nuk më thotë harroje”. Poezi me një përshkrim të thukët që gjason në një peisazh vjeshte që të mbërthen në vete me koloritin e pamjen që magjeps dhe të drithëron njëkohësisht. Plotë emocione, vuajtje, dashuri, guxim, vetmi, pritje, dhimbje, lot, humbje, rilindje, shpresa, ëndrra, mall, bukuri njerëzore, bukuri natyrore etj. Citoj:
Strukur rri
Thellësive te pafundme
Të shpirtit
Ajo vjen e ik si ëndërr
Poezi lirike të dashurisë plot afsh, përjetime, dhimbje, lot e gaz të realizuara mjeshtërisht nga autori ku në disa raste mund të themi se janë përjetime personale e në anën tjetër nuk përjashtohet mundësia e një imagjinate shumë të bujshme e të larmishme krijuese. Poezi me elemente të përziera, sa provokative aq edhe joshëse, sa që edhe vet lexuesi ndihet i relaksuar gjatë leximit. Autori shpesh përdor metodën krahasimore gjatë shkrimeve të tij poashtu hamendësohet me ardhjet dhe ikjet e dashurisë kështu që sa e pandeh të afërt ndjenjën aq edhe të largët. Krahasimet përputhen dhe shkojnë shumë mirë edhe me natyrën e cila na bën të mendojmë se ka një korelacion me jetën njerëzore si psh. citoj vargjet:
Hapat e mi lënë gjurmë
Mbi barin e thinjur nga bryma
Poezinë e Sabit Rrustemit e shoh si ngritet e zhvillohet gradualisht me një themel të fortë si një dashuri hyjnore që mbështetet me besimin në vetvete, por jo edhe tek pala e kundërt. Edhepse personazhi në fjalë nuk ka shpresa, ai lufton me heshtjen e tij përmes artit të krijuar duke pritur realizimin e ëndrrës së tij. Kjo metodë e përdorur e ka domethënien e vet, sinqeritetin dhe i fuqizon vargjet në përgjithësi.
Autori me shumë mjeshtri përdor metaforën duke provokuar mendimin kritik tek lexuesi në shumë poezi, por do t’i përmend tri prej tyre: “Rremb i prehjes sate”, “Vjeshtës sime” dhe “Mbeta vetëm me pritjen”. Në këto poezi mund të zbërthejmë dy mundësi të cilat konsistojnë mes shpendëve, stinëve dhe dashurisë, prandaj autori ka veçantinë e tij të shkrimit që e bënë ate të veçantë me lirikat e tij. Një ndërlidhje të plotë mes stinësh dhe personazhit fuqishëm e gjejmë pothuaj në të gjitha poezitë e librit në fjalë. Prandaj, duke e provokuar mendjen tonë vërejmë se autori merr elemente nga stinët e vitit dhe gjendjet shpirtërore të njeriut duke i kombinuar ato sa që lexuesi për një çast mund të mendojë se bëhet fjalë njëmend për një stinë të caktuar të vitit apo për një individ të dashur. Autori në këtë rast këtë kombinim e sjell të kamufluar në poezinë e tij, por duke lundruar diku në mesin e artë të shprehjes gjejmë vargjet kuptimplota që na diktojnë rrugën e dedikimit.
Nën kurora të blerta pishash
Trembet një grishë dhe ajo brymë ende e pa shkrirë
Prej teje nuk u ftoha as hoqa dorë
Pak punë pse s’bëmë kurorë
Në anën tjetër autori prekë temën e dashurisë dhe mëkatin në një kënvështrim të logjikshëm dhe të dhimbshëm njëkohësisht duke e përceptuar në mendjen e tij si përgjithësim dhe gjykim. E drejta e çdo autori është të jap konkluzionin e tij ashtu siç e sheh të arsyeshëm, mendon dhe e përcepton dukurinë e në këtë rast (jo bashkimin e çifteve që duhen), citoj:
Mëkate që nuk falen
Janë shpirtrat që duhen
E nuk bëhen bashkë
Autori mbështetet në besim dhe lutje gjatë prurjeve letrare, shih për këtë kemi poezinë “ Ditës sime” ku në një mënyrë të qartë dhe të drejtëpërdrejtë shpreh dëshirat e tij përmes lutjes së ditës së gdhirë që të shkrijë akujt e zemrës siç shprehet përmes vargjesh, ku thotë: “… vetëm një jetë kemi”, në kuptimin më të mirë që të jetohet me dashuri dhe të kthehet dashuria për të gjithë reciprokisht. Aty hasim në një metaforë plotë kuptim dhe alegori që të mbërthen në vete me parandjenjat e pathëna, por me një intuitë e shpresë që të jep vrull jete. Në jetën reale shpeshë e takojmë edhe ne pothuaj të gjithë me të pathënat dhe ndrydhjet tona. Me fshehjen e ndjenjave dhe kalimin e tyre në disa raste. E gjejmë si muzikalitet me ritëm, si dramë teatrale, si pikturë, poezi apo si vetë ndjenja e dashurisë me përpikmërinë dhe jehonën e saj në vargjet e fuqishme. Citoj:
Kot i (k)thejmë kokat
Në cilëndo anë
Sytë
Si pasqyrat na përcjellin
Sa bukur e ndërlidh ndjeshmërinë, inteligjencën dhe prurjet përmes artit të stërholluar dhe kuptimit që i jep vargjeve. Mes një realiteti dhe një imagjinatë ndryshe, por që në esencë përsëri del në pah figura kryesore që ka krijuar muzën e gdhendur në çdo varg ashtu siç gdhendet dashuria në zemrën e njeriut. Poezi që shpeshë të nxjerrin nga brendia dhe të fusin në kontest të kohës ose si thotë populli ” Herë në breg e herë në kodër” e përsëri të ulin me këmbë në tokë. Kjo formë e krijimit e bën autorin të thellë në prurjet dhe ndjesitë që assesi nuk nuk mund t’i mohosh në jetën reale dhe imagjinare poashtu. Fuqia e vargjeve nuk ka gjuhë tjetër për të shprehur brendësinë e një shpirti pos në këtë formë:
Rron ti
Rron deri në pafundësi
Se përnjëmend je dashuri
Si vet titulli i veprës poetike ” Zoti nuk më thotë harroje” poezitë në vete bartin vulën e kohës dhe frymën e besimit në Zot. Disa nga vargjet: Një Zot e di sa kisha fjetur, O zot sa jam vonuar, Pasha t’Lumin kot lutemi, Zoti nuk më thotë harroje, si Zoti Një etj.
Pritjen dhe vetminë autori i pasqyron si dy degë në një pemë dhe ashtu i përcepton si në jetën ëndërrimtare ashtu edhe në përjetimet e tij reale. Citoj:
Ti s’je
ke ikur një natë më parë
Në Natën ma të uruar të Motit
mbeta vetëm me Pritjen
Autori pritjen gjithashtu e mbulon edhe me faljen për hir të ndjeshmërisë të tij dhe motivit të fuqishëm që ka kapluar shpirtin e tij. Nuk mund të kuptohen ndryshe shprehjet poetike direkte pos që janë atraktive janë edhe kuptimplotë. Në jetën reale shumë nga individët ndihen identikë në raste të caktuara dhe poashtu në gjendje të tillë emocionale e shpirtërore, prandaj nuk mund të themi se poezia e Sabit Rrustemit nuk i takon një realiteti e nuk mund t’a mohojmë se pjesë e këtij realiteti shpesh jemi edhe ne si lexues apo adhurures të artit poetik.
Për hir të dashurisë edhe ne shpeshë mbyllim sytë dhe falim. Falja dhe kërkim falja është njerëzore dhe kjo varet nga individët dhe situatat e krijuara. Dashuria është spektër i gjërë duke filluar nga familja, farefisi, shoqëria etj. Citoj:
Për hir të dashurisë që s’shuhet
gjithë torturat e pritjes
vonesat
mungesat
e heshtjet
i qofshin falë
Motivi i vetëm dhe i fuqishëm që kompleton një vepër të tërë si ky me lirika dashurie dhe përfundon me një mesazh të qartë për vendin se ku mbeti personazhi muzë që ka frymëzuar autorin e saj, poashtu si ndihet vet autori. Citoj:
Keq u thera shpirti im
mbeta me Ty
veç në Libër
Por, unë si përfundim kam përzgjedh poezinë që kompleton, realizon në të njëjten kohë dhe fuqizon prurjet e kësaj vepre duke i dhënë shpirt asaj e që lirisht mund të themi se është mesi i artë i vet librit. Poezi e realizuar përmes bindjes, vendosmërisë dhe guximit. Kështu që konstatoj se poezia e Sabit Rrustemit i takon bindjes në forcën e dashurisë. Citoj:
Poezia ”Shkurt e Shqip”
Si ajo shkozë Çepuri do të thahem
flakë e zjarrtë për ndjenjat do të bëhem
as of as if prej goje s’kam për të lëshuar
edhe hi n’mbetsha prapë kam për të kërkuar
( Tetor, 2022 )