/2L ONLINE/ – Me shfaqjen e filmave shqiptarë “Kolonat” dhe “Vllau Jem” në natën e tretë, është përmbyllur shfaqja e filmave shqiptarë dhe të huaj për mërgatën, organizuar nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri.
Për tri netë me radhë u shfaqën disa filma shqiptarë dhe të huaj në ambient të hapur, në amfiteatrin e lagjes “Dardania”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vlerësuar të suksesshme këtë ngjarje kulturore, ku interesimi i mërgimtarëve për të përcjellë filmat ka qenë i jashtëzakonshëm.
“Pasi ndërtuam parkun modern në lagjen “Dardania”, me amfiteatër në ambient të hapur, u pa sa i rëndësishëm ka qenë ky projekt për qytetarët. Pjesëmarrja masive e mërgimtarëve tanë në shfaqjen e filmave, në veçanti e fëmijëve, më bënë krenar dhe po dëshmohet përditë se Gjilanin e kemi bërë kryeqendër kulturore të shqiptarëve”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, në natën e parë u shfaq filmi për fëmijë “Na ishte nje here nje vajze”, në natën e dytë u shfaqën filmat e huaj “Çlirimi” dhe “Veç Kuq”, ndërkaq të mërkurën qytetarët e Gjilanit patën rastin t’i shohin filmat “Kolona” dhe Vllau Jem”.
Të enjten do të mbahet koncerti për fëmijë para teatrit të qytetit, ora 12:00, përderisa në mbrëmje organizohet gala koncerti Rock & Popullore, ora 19:00, para platosë së teatrit të qytetit. /2L ONLINE/