Nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është mbajtur takimi i fundit regjional në Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit, me mesazhin “Moment reflektimi i zinxhirit institucional”.
Ky takim u shënua me pjesëmarrje të drejtuesve të institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtar, i udhëhequr nga përgjegjësi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit profesional e institucional, për të ofruar me gjithë kapacitetet tona mbrojtje për viktimat e krimit, si dhe rikuperim e rehabilitim të plotë gjatë gjithë procedurave ligjore.
Kjo tryezë diskutimi shërbeu për t’i vënë në pah sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjatë punës me rastet kur ofrohet ndihmë e mbrojtje viktimave të krimit, me theks të veçantë tek qëllimi i shënimit të kësaj jave si ngritje e vetëdijesimit të qytetarëve për t’i raportuar rastet, sensibilizim për viktimat e krimit, si dhe gatishmëri e përgjegjësi institucionale në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.
Po ashtu, në këtë tryezë regjionale u dhanë rekomandime nga pjesëmarrësit si, vlerësimi i rrezikshmërisë, me fokus kryesor tek dhuna në familje dhe veprat e tjera penale, aplikimi i praktikave të reja në ofrimin e mbrojtjes viktimave të krimit, bashkëpunim më i ngushtë ndërinstitucional, etj.
Në fund të diskutimeve përgjatë këtij takimi u potencua se, duhet mundësuar të gjithë viktimave një proces i drejtë dhe koherent, me theks në rehabilitim të plotë për viktimat e krimit, në mënyrë që t’iu sigurojmë një jetë normale nga ajo çka kanë përjetuar. /2LONLINE/