Policia e Kosovës,trafiku rajonal në Gjilan është njoftuar për një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore në kryqëzim të rrugës së fshatit Përlepnicë me rrugën e fshatit Kosaqë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se ka ndodhur aksident komunikacioni rrugor me lëndime te rënda trupore, ku i përfshirë ka qenë një automjet i markës Opel Vectra, ngjyrë e kaltër me targa vendore dhe një këmbësore, shtetase e Kosovës (1994).
“Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur atëherë kur drejtuesi i automjetit të markës Opel Vectra, gjatë lëvizjes ne rrugën lokale te fshatit Përlepnicë dhe me të kaluar kryqëzimin e rrugës së fshatit Kosaqë, e përplas këmbësoren, e cila në momentin kritik ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majte në të djathtë në drejtim të lëvizjes së automjetit të përfshirë në aksident”, thotë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, si pasojë e kësaj përplasje, këmbësorja pëson lëndime të rënda trupore, por sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, ajo për momentin ndalet nën përkujdesjen e personelit mjekësor në spitalin rajonal të Gjilanit.
Ne lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili urdhëron pas intervistimit të të dyshimtit rasti të iniciohet me procedurë të rregullt në Gjykatë.