Në 25 vjetorin e Epopesë së Zhegocit, ku mbeten të vrarë 25 pjesëtarë të UÇK-së dhe 22 civilë, janë bërë sot homazhe te Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan.
Po ashtu u mbajt edhe tubim përkujtimor për dëshmorin, mësuesin dhe luftëtarin Njazi Osmani në Kishnapole.
Homazhet kanë vazhduar edhe te laipdari në Zhegoc.
Aktivitetet vazhdojnë me akademinë përkujtimore dhe zbulimin e Portës së Monumentit të Heronjve në Gjilan.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka folur në emër të kryetarit Alban Hyseni.
Ajo tha se janë këtu në nderim të Betejës së Zhegocit, ku janë vrarë 25 pjesetarë të UÇK-së dhe 22 civilë.
“Kjo betejë kishte rëndësi të madhe. Ndeshja frontale e 15 prillit 1999, ishte betejë e madhe, monument legjendar i Zonës tonë. Kishte luftëtarë e komandantë të mëdhenj çlrimtarë të UÇK-së në atë fushëbetejë” tha nënkryetarja.
Më tej ajo shtoi se Zhegoci ishte paralajmërimi më i madh dhe serioz, se Serbisë pushtuese i ishte vënë kufiri edhe në Zonën Operative të Karadakut, ashtu sikur edhe në Zonat tjera të lavdishme të UÇK-së në tërë Kosovën.
Ahmet Isufi, ish komandant i Zonës Operative të Karadakut, tha se po kujtojnë e nderojnë të rënët që ishin vënë në mision të çlirimit të atdheut.
“Po të mos ishin luftëtarët, dëshmorët, nuk do ta festonim këtë ditë”, tha Isufi.
Shemsi Syla, zv/ministër i Mbrojtjes, tha se është nder të jesh prezent në këtë fshat e në këtë shkollë e cila mban emrin e dëshmorit Njazi Osmani.
Drejtori i shkollës, Rasim Ajvazi, tha se me 15 prill 1999, mbi 10 mijë forca serbe ia kishin mësyer kësaj ane për të sulmuar trimat e UÇK-së dhe dëbimin e banorëve.
Ai tregoi se shkolla në Kishnapole ka shënuar edhe ditën e saj dhe nga sot do të mbajë emrin e Njazi Osmanit, ku dhe u dha një program kulturo-artisik.
Për kontributin e dhënë, familjes Osmani iu nda mirënjohje nga drejtori i shkollës. /2LONLINE/