(2LONLINE) – Me një Akademinë Përkujtimore, të mbajtur në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, përkujtohen dëshmorët e kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së, për të cilët u tha se ndonëse politika ditore shqiptare a ndërkombëtar mund ti harrojë, ata do të jenë përherë në kujtesën e historisë dhe në kujtesën kombëtare.
Sejdulla Kadriu, ish anëtar i Këshillit Politik të UÇPMB-së, ka thënë se Kosova Lindore padrejtësisht ishte ndarë nga trungu qysh prej viteve të dyzeta të shekullit të kaluar dhe asnjëherë nuk ju nda zullumi, por se edhe ajo pati bijtë e bijat më të devotshëm, që nuk reshten së rezistuari dhe në fund kapën edhe armët për ta luftuar okupatorin, sepse me përfundimin e luftës në Kosovës, nuk kishte përfunduar çlirimi i tokave shqiptare.
Kadriu u ka thënë familjarëve të dëshmorëve që të jenë krenarë sepse të tillë i patën bijtë e bijat që sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirim të trojeve shqiptare. Ata me trimërinë e tyre bënë që edhe Kosova Lindore të jetë për jetë e mot, trevë autoktone shqiptare,të frymoj shqip.
“Rruga e dëshmorëve ishte rrugë e dinjitetit. Ata me luftën e tyre e kanë vrarë robërinë, ndërsa tani na mbetet neve që ta bëjmë bashkimin, dhe ne nuk duhet ndalur se ecuri drejt realizimi të këtij qëllimi të shumë gjeneratave, e sidomos të këtyre trimave që po i kujtojmë sot“, ka thënë Kadriu.
Ndërsa, prof, dr Emin Kabashi ka thënë se në luftën për liri bien dhe trimat por fiton një popull, ndërsa ka thënë se lufta e UÇPMB-së, pa marrë parasysh se çka thotë politika ditore e shqiptarëve dhe e ndërkombëtarëve, i ka mësuar shqiptarët se atdheu duhet edhe kur të vret dhe se lufta e UÇPMB-së, e ka vënë në sprovë tërë politikën shqiptare, politikën rajonale dhe politikën evropiane, për faktin se lufta e tyre ishte veprim historik, mbi të cilin nuk mund të kalohet në heshtje, kurse politikat, cilado qofshin ato, një ditë harrohen.
Kabashi ka thënë se lufta e UÇPMB-së, dëshmoi se asnjë veprim tjetër nuk është i mjaftueshëm për t’u ndërruar gjendja e robërisë përveç luftës së armatosur.
“Kjo dëshmi mund të mos ketë efekt për politikën e ditës së Tiranës, në Prishtinë, në Shkup apo edhe në Beograd, por ajo ka hapur procesi ne madh historik, me të cilën një ditë, kurdo qoftë ajo ditë, do të jenë të detyruar të merren të gjithë, edhe Tirana, edhe Prishtina edhe Beogradi e Brukseli”, ka thënë Kabashi.
Ai tha tutje se lufta e shqiptarëve të Kosovës Lindore ishte luftë me përmasa historike e kombëtare, ishte luftë çlirimtare,ishte edhe përgjigje ndaj padrejtësive historike të Evropës ndaj shqiptarëve, por ishte përgjigje edhe ndaj politikës ditore të Tiranës e Prishtinës, të cilave u mjaftonte vetvetja duke harruar gjymtyrët e saj.
“Dëshmorët e Kombit që po i kujtojmë sot, asnjë politikë shqiptar,e asnjë politikë ndërkombëtare nuk mund ti heq nga kujtesa historike e shqiptarëve, pa marrë parasysh, u hiqet me forcë lapidari i ngritur për kujtimin e tyre, apo nuk u hiqet”, ka thënë Kabashi, për të shtuar se shqiptarët janë një popull historik dhe nuk vdes kurrë kujtesa e tyre historike e kombëtare.
Ndërsa ish zëvendëskomandanti i Shtabit të Pëgjithshëm të UÇPMB-së,Mustafë Shaqiri, ka rikujtuar fillet e krijimit të UÇPMB-së, duke kujtuar edhe betejat e para dhe dëshmorët e parë që ranë në altari ne lirisë, derisa edhe ish zëvendëskomandanti i ZOK-ut të UÇK-së, Shemsi Syla ka thënë se me përfundimin e luftës në Kosovës nuk përfundoi lufta çlirimtare por u dha kushtrimi edhe prej dëshmorëve që po i përkujtojmë sot dhe vazhdoi lufta në Kosoven Lindore për liri duke treguar kështu që shqiptarët janë unik e dëshmorët që mbajnë betimin e dhënë.
Edhe Xhaviti Jashari nga Shoqata e familjeve të Dëshmorëve tha se u deshtë edhe lufta e UÇPMB-së për të treguar se padrejtësitë ndaj shqiptarëve po vazhdojnë. Luftëtarët e lirisë, dëshmorët e kombitë ranë për lirinë e trojeve shqiptare dhe do të jenë kujtesë e përhershme e historisë sonë kombëtare, tha ai.
Në fund u dha edhe një dokumentar për luftën e UÇPMB-së. /2lonline/