Më 19 janar u mblodhëm familjarë, shokë të burgut që vuajtëm bashkë me të, miq e dashamirë, në përkujtim të njeriut tonë Sabit Rexhepit. Ishim bashkë një kohë të mirë, në përkujtim të ditës së ndarjes së përjetshme nga ne, nga jeta kjo, në ditën kur shkoi nga ne përgjithmonë.
U mblodhëm ta përujtojmë, sepse kishim edhe për çka e për se ta kujtonim e ta kujtojmë, sepse edhe e meriton të përkujtohet gjithnjë, jovetëm për veprat, mundin e sakrificën gjithjetësore, por edhe për komb e atdhe që u përkushtua me gjithë çmimin e lartë të sakrificës. Të gjithë folën nga pak nga diçka nga ajo që kishin ruajtë e nuk e kishin harruar, sepse nuk mund të harrohej ajo që e kishin ruajtë me shumë dhimbje e dashamirësi. Të gjithë që folën, treguan nga diçka –të dhimbshme, diçka të gëzueshme, diçka porosi jete, e diçka njerëzore, pa të cilën nuk bën njeriu.
Sabit Rexhepi ishte mbajtës i organizimit të përgjithshëm të Degës së ish të burgosurve politikë në Gjilan, duke ruajtur e mbajtur arkivën e degës në vend të punës në administratën komunale tek soliteri kur ishte. Ishte viteve të fundit mandej edhe Kryetar i degës së Shoqatës së ish të burgosurve politikë dhe dinte e ishte i përkuahtuar që çdo javë a dy javë t’i thirrte shokët në kafe e në ndejë shoqërimi e afërsie me shpenzime të veta!
Sabit Rexhepi ishte nga sa thanë të gjithë, njeri i plotë, me të gjitha vetitë njerëzore fisnike, me veti njeriu të dashur e të dobishëm për gjithsecilin që e pati ngat në jetë. Ai ishte i dobishëm për gjithçka dhe për secilin, e njeri i rrallë ishte veçmas në këtë kohë, të cilit lirisht mund t’i lije në dorë çdogjë në besim me plot siguri.
Sabit Rexhepi thanë shumë shokë e dashamirë, të flitëte drejt për drejt në sy e në ballë të shikonte, e të ndihmonte edhe të flisje e të përgjigjeshe, sepse i dhimbsej ai që nuk mund të flitëte e të shprehej! Sabit Rexhepi dinte vetëm të ndihmonte, të shkonte derë më derë tek shokë e miqë, e të panjohur kur duhej, e t’u ndihmonte, a t’u çonte lajmin për roje, siguri a fshehje nga ndjekja e armikut dhe të gjithë e dinin se ai ishte njeri i besimit dhe sigurisë.
Kështu, fjalë pas fjale e shembull pas shembulli, e për Sabit Rexhepin u fol e u dëshmua për shumë çka për mirë e për shembull, se si duhet të duket njeriu, si duhet të jetë njeriu e si duhet të qëndrojë njeriu, a bashkëkombëtari, që tani në këtë kohë e humbi më edhe udhën në oborr, e krejt shkaku i papërgjegjësisë e mosbesimit.
Sabit Rexhepi ishte Drejtues Reparti në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, kur pushteti e arrestoi në vend të punës atëherë dhe mandej e rreshtoi në grupin armiqësor si e quante atëherë pushteti me Nazmi Hoxhën në krye. Mbajti mandej gati gjashtë vjet burg në burgjet në Gjilan, Sarajevë, Foqë, e tjerë. Kur dual prej burgu, desh e arrestuan e humbën përsëri dhe ai ashtu pasi pau se nuk kishte çka të sillej kot në Gjilan, ilegalisht kaloi kufijt jugosllavë atëherë dhe shkoi në Gjermani. Mandej i pakënaqur me strehimoret edhe atje, kaloi në Shqipëri, në çka e ndihmon atëherë Nazmi Hoxha dhe Sabit Rexhepi ashtu shkon në Shqipëri dhe pas do kohe tek ai shkon edhe familja.
Në jetën në Shqipëri e ndihmo atëherë Nazmi Hoxha me vend pune në ndërmarrjen fabrikë të sapunit që e kishte atëherë, ku Sabit Rexhepi bëri më se pesë vjet. Mandej u kthye në Kosovë, në shtëpi, pas lufte dhe mezi kah viti 2007 punësohet në administratën e komunës në Gjilan punëtor administrativ ku punoi deri në pension.
Sabit Rexhepi botoi edhe librin në dy pjesë për Republikën e Kosovës, kronikë dhe roman, si dhe një libër me poezi, mjaft tërheqëse për secilin lexues. Ka edhe diçka në dorëshkrim që do të botohet, me aforizma, anekdota, e tjera.
Kështu, me fjalë miradie e përkujtimi njerëzor të thellë kaloi gjithë koha e ndejsë në kujtim të njeriut tonë sabit rexhepit, që na mbajti, na mësoi e na bëri rrugën për në jetë, me gojë, e me shkrime nga librat.
“ Më vjen keq” –shkruan në hyrje të librit të parë “Për Republikë”, -“që vonë e nisa e herët rashë, -por që kur rrëzohesha nuk ndeja shtrirë, më vjen mirë tash”!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për njeriun tonë e të gjithë atyre që e deshën dhe që nuk harruan mirësitë e tij, si dhe të tjerëve që janë të shumtë, që ia panë të mirën e u drejtuan falë ndihmës së tij. Familjarët, miqt, shokët e dashamirët! /2LONLINE/