Ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare baca Adem Demaçi, Veprimtar i Çështjes Kombëtare, i vuajtur me burg politik më se 29 vjet, Hero i Kombit, shkrimtar, organizator, diplomat, përfaqësues e identitet i kombit në gjithë botën, shenjë dalluese për mirësi e virtyt, çfare ishin gjithmonë vetitë dhe veçoritë e kombit tonë.
Baca Adem u ngrit në mbrojtës të të drejtave të kombit këtu te ne në Kosovë, me këtë edhe në gjithë trojet ku jetonin shqiptarët, veçmas në kohën e ish pushtetit komunist jugosllav. U lind më 26 shkurt 1936 në Podujevë, kur zyrtarisht është i shkruar atë kohë.
Në vitin 1958, pas disa shkrimeve të botuar me shumë sukses, iu botua në Revistën Letrare “Jeta e Re” romani “Gjarpijt e gjakut” që ishte një pëmbledhje me mjaft artizëm për atë kohë, e ku prapa tregimit në thellësi ishin një sërë përdukjesh artistike për gjendjen e rëndë të kombit atëherë dhe me të baca Adem preku me trimëri dhëmbjet e trupit të kombit që dergjej në sundim të huaj, e me shumë mashtrime, për kinse një drejtësi edhe për shqiptarët, si për gjithë të tjerët.
Ishte një pushtet me sundim mjaft dinak, i cili përmes përçarjes së kombit në dy pjesë, -ku njëra nisi të jetonte “mirë” -e tjetra rëndë, -kishte një plan afatgjatë për shuarjen e gjithë pjesës së kombit që ishte këndej.
Emri i bacës Adem atëherë u rrit shpejt dhe pushteti “popullor” atëherë e arrestoi, më 19. 11. 1958, për “veprimtari kundër popullit dhe shtetit” si ishte atëherë maska mbrojtëse e regjimit. Çdo shqiptar që ishte ndokushi e që donte diçka të bënte për mirë, arrestohej, shpallej armik dhe shuhej. Prej atëherë filluan vuajtjet e rënda të bacës Adem e të shokëve të tij, nëpër burgjet jugosllave, me shumë e shumë shqiptarë tjerë, për të arritur rreth tridhjetë vjet vuajtje burgu, në një regjim çfarë ishte, atëherë!
Dikush edhe atëherë, sikur edhe tani, jetonte mirë, e dukush shkret, e me atë, edhe baca Adem për dikend ishte idol dhe atdhetar, e për dikend, bukëpërmbysës, mosmirënjohës, e tjerë. -Të jesh njeri, me tërë sfidën që ofron jeta, -apo të mos kesh kurrfarë parimesh dhe të pranosh çdo pushtet, por të jetosh mirë? -Ata që pranonin pushtetin jetonin mirë dosido, anise në frikë, -dhe në atë mirësi gjenin shkakun dhe arsyen e vendimit të tyre që mos të moralizonin për asgjë, sepse sipas tyre, jeta nuk ka parime morale por ekzistenciale.
Kjo ishte edhe tek popujt tjerë, por popujt tjerë ishin të shumtë dhe të lidhur, kurse ne shqiptarët ishim të paktë dhe të vetëm. Vetëm një disciplinë e hekurt morale e zbatuar me përpikmëri edukate e pikash morale e shpëtoi popullin tonë nga zhdukja në të gjitha teritoret…
Nga burgu baca Adem përfundimisht u lirua më 21 prill 1990. Prej atëherë u kyq në të gjitha veprimtaritë kombëtare që kërkonte koha dhe nevoja atëherë, e deri në përfundim të luftës më 1999, kur Kosova u çlirua nga pushtimi serb. Me kohë, duke iu pëprshtatur kohës së re dhe rethanave, me gjithë të mirat që solli liria, gjërat nuk shkuan si duhej në Kosovë dhe baca Adem shpesh kërkoi të drejtoheshin punët, mos të merrej çështja nëpër këmbë, sepse ishin në pyetje vlerat jetësore të kombit, të arritura pas më se dymijë vjetëve e të paguara me jetë e vuajtje të të shumtëve të sakrifikuar të kombit, si dhe se duhej që të gjithë të kombit të kishin të mirat e pushtetit barazi dhe drejtësinë e ligjeve.
Pak kush e dëgjoi thirrjen e tij për rrugë të drejtë dhe drejtësi, shumica shkuan pas fitimeve e lakmisë, duke u kthyer shumica sërish në hujin e vjetër të mosbrengosjes morale për asgjë, vetëm e vetëm për të bërë për vete sa më shumë të mira. Kur nuk dëgjojnë më njerëzit e shtëpisë, i zoti i shtëpisë mbetet vetëm dhe i lënë anash, e me këtë edhe drejtësia mbetet anash…
Por baca Adem gjithë jetën sa qe gjallë e kreu detyrën e tij që ia dha vetes, pa e detyruar kush, por vetëm me vendim të vet njerëzor, për të mirë të kombit.
–“Ja ku e keni tash lirinë ma në fund”, -tha një herë. –“Nëse doni, -mbajeni, -nëse nuk doni, l’shone!? –Nëse doni të jini të lirë, mbajeni, -nëse iu pëlqen ajo tjetra ma shumë, l’shojeni këtë, kthe’nu! Unë sa di, nuk ka ma mundësi tjetër, përveç lirisë, për juve dhe nuk ka kush vjen ma tjetër, ma i fortë, që të na përkrahë!? Por, po ndiej, -shumë që po thonë se kjo nuk o liri!? –Hajt pra, nisjani ju e silleni lirinë, si mendoni ju!? –Por disa tjerë po i ndiej se po thonë, që o liri me krejt të mirat!? Nuk o liri me krejt, por me q’eto që i ka! Por, edhe këto që i ka e që i pat, po shoh se shumë të mira po i mungojnë, sepse dikujtë edhe tash po i pengon liria dhe po ia heqin shumë të mira kësaj lirisë!? Shumë kushi, as tash, as atëherë nuk mërzitet hiq për këtë lirinë, veç mendon mbrapshtë, si ta shfrytëzon këtë lirinë për t’u pasunue vetë, me të gjitha mënyrat!…-Këtyne, -kjo liria u pengon, -ta dijmë këtë mirë! Edhe atëherë kështu u ka pengue, -edhe tash u pengon! Për këtë, dikush çdoherë, duhet të ngritet e ta mbron këtë lirinë!? Kjo punë te ne ishte gjithmonë vullnetare, -çështje personale, vendim i lirë, për mbrojtje! Unë besoj se gjithmonë do të ketë të tillë vullnetarë, që me vendim të vet personal e me jetë të vet, do të ngriten, ta mbrojnë lirinë!”…
Veprimtaria letrare e bacës Dem Demaçi është tregim në vete. Pa daljes nga burgu, baca Adem botoi shumë vepra letrare, të cilat na i la tani në trashëgim të përhershëm.
Baca Adem do të jetë përgjithmonë identitet dhe dritë e pëhershme në jetë të kombit tonë.
Kryesia e Degës së SHBPK –së në Gjilan.