Nexhat REXHA
/Zejnepe Alili- Rexhepi ”Nën pushtetin e Erosit”,Botoi”ARS”,Tetovë,2011.fq. 169./
(2L ONLIEN) – Poezia si konfiguracion i ka edhe transformimet e veta nëpër periudha të ndryshme kohore. Ajo vjen me zhvillimet shoqërore nëpër kulturat e përbotshme dhe si objektivë ka realizimin sa më përcaktues të motivimit, nëpër të cilin kalojnë fatet e njerëzimit. Duke përvijuar nëpër këto procese e praktika artistike, si dhe dallimet e tyre në këto faza të ndërrimeve prej gjeneratës në gjeneratë, vijnë edhe shpalosjet e brendshme tek autorët e kultivimit të kësaj tematike ,që ka krijuar koha e njeriu me lirikat e para të dashurisë, e deri te avancimet me dije e prurje të reja.
Në këtë objektivë vjen edhe poezia e vëllimit ” Nën pushtetin e Erosit ”, e Zejnepe Alili- Rexhepi , si vlerë e dokumentaritet i pamohueshëm në shkrimin poetik dhe si artikulim i brendshëm shpirtëror. Lirizmi i tërësisë artistike në poezinë e Zejnepes ndërlidh tendencën e avancimit në krijimin e transparencës sa më objektive, për të krijuar realen e përjetimit me çiltërsinë e fjalës së gdhendur.
Dashuria si nocion ka edhe përjetimin e brendshëm, nëpër të cilën kalojnë fatet e njerëzve, e këtë relacion kohësh e ndërlidhjesh, autorja e ka manifestuar me bimësinë e saj që nga zanafilla e njeriut të parë e deri në ditët e sotme. Kuptohet, duke i dhëne ngjyrimin e dukshëm, e për të afruar ndjejnjën sa më autentiketë secilit varg të saj, duke gjetur edhe elementin tradicional si begati e trashëguar, që dallon e specifiokn kulturën tonë në pkëtakimet e dashurisë.
Përjetësia e idilit ka shtrirje në të gjitha kulturat e përbotshme,e në këtë korrelacion, autorja ka depërtuar si dhe ka shtrirë tërësinë poetike në këtë vëllim. Kërkimi për lumturinë e trazuar nuk ka shteruar kurrë te njeriu i cilës do kohë, e këtë shpirt sa njerëzor po aq edhe qiellor e gjejmë në rrugëtim të kërkimit për të bukurën në art dhe në jetë. Këto pamje reflektojnë në të gjitha poezitë e librit” Nën pushtetin e Erosit ”, autorja ka shkrirë fatet deri në vetëflijim, lotin e ka shndërruar në pritje të gëzimit.
Pikëllimin e ka mundur me mallin peng, për të ardhur dashuria në kuptimin sa më real të saj. Në disa poezi e hasim pritjen dhe ajo pritje ka vetmin, kurse vetmia në poezinë e Zejnepes prodhon dashuri, kjo e bënë poezinë më të afërt për lexuesin e cilës do shtresë qoftë ai. Elementet e botës së brendshme shpalosin etninë ëndërruese nëpër kohë të ndryshme,kurse fatet i kanë edhe veçantitë e tyre, këto fate shpalosen bukur në arkën e kujtesë të femrës sonë.
Tematika e dashurisë ka lashtësi dhe duke depërtuar e njohur bukur në këto lashtësi, autorja ka arritur të na japë shkëlqimin e bukurisë dhe me aromën e saj e ka shpërndarë nëpër të gjitha zemrat e hapura, ajo i jep gjallëri e fuqi kësaj ëndrre magjike, në poezinë “Si në ëndërr”:
Ti zbret me flatrat e ëndrrës,
loz si era me lulet erëmira
në kopshtin e dashurisë gjuan shigjeta.
E unë pres,pres në ëndërr
shigjetë e ngulur në zemrën e mollës…
Ajo si në vegim bëhet shtojzovalle,
zanë mali a vashë me shtatin selvi.
faqet shegë përgjakur,
buzët me ëmbëlsi qershie
e gjoksin zjarr jetëgjatësie.
Fq.16.
Këto vargje dhe shumë të tjera në artikulim kanë brumin sa origjinal,po aq edhe mitik, sepse shtojzovallet kanë ruajtur erosin si traditë nga vlerat e një populli, e këtë thesar ajo e ka shkrirë bukur në vepër.
Loja e dashurisë ka kuptimësinë e saj më shumë si kërkesë për lirin e të dashurorëve, se sa si termë i përditshmërisë, autorja kërkon të ruhet dashuria e parterëve, sepse kuptimësia e saj ka vlerë vetëm nëse ajo kultivohet me baraspeshimin e të dy palëve,me kërkesë që dhembjen ta tejkalojnë pa e lënë lotin të thahet.
Dialogimi si fuqi imagjinative konkretizon e fuqizon mendimin e shprehur në vargje, me tërë dramatacitetin që ka poezia , Zejnepja arrin të mund dashurinë baladë, e këtë kuptim lirik ajo e ringjall me gjakimin shpërndarës për dashurinë pa dhembje të gjata. Akordimi i vargjeve ka melodinë e pranueshme edhe ajo vjen me sistemim të momenteve të caktuara. Ajo ka njohuri të mjaftueshme të figuracionit poetik, duke gjetur fjalën e gdhendur në funksionalitetin saj si dhe duke e stolisur atë me anën e figurës së krahasimit. Fenomenet e natyrës arsyetojnë ngrohtësinë, sepse stina e pranverës simbolizon gjallërinë me aromë, kurse peizazhet e kësaj stine sjellin koloritin e ngjyrave nga më të bukurat,sikur dashuria që prekë nëpër thellësi të trokitjeve të zemrës. Kështu rrjedhin lirshëm edhe vargjet e saj, ato kanë vijimësinë e përcaktuar nëpër të gjitha flladitjet e këtyre pritjeve.
Në botën poetike të femrës spikaten disa veçori artistike, që dallojnë imazhin e reflektuar në brendi të mesazhit artistik, këto pamje e refleksione janë të pranishme edhe në vëllimin poetik ” Nën pushtetin e Erosit ”, duke ngritur pikëpamje të detajuara të këtij pushteti të përjetshëm. E kjo mund të vërehet bukur në poezinë e Zejnepes , sepse ajo është me veten dhe me zërin e brendshëm të botës femërore, kështu përmbajtja, mesazhi vijnë të brumosura me estetik dhe i japin jo vetëm sharmin vargut të saj, por ato shpalosin shumë anë të ndrydhura të botës indiferente nëpër kohë. Apo siç shkruan Shaip Beqiri në pasthënien e vëllimit poetik “Këmisha e pranverës” të Natasha Lakos: ” Janë disa nyja të jetës që i përkasin sall botës femërore, të cilat kurrnjëherë më parë nuk ishin dukur kaq të rëndësishme për t`u trajtuar artistikisht, derisa zgjidhjen e tyre zunë ta bëjnë vetë femrat krijuese”*.
Nëpër këto vlime vijnë edhe poezitë e këtij libri të Zejnepes, sepse aktet morale janë trajtur me konstruktivitet të zanafillës, pa implikime të damkosjes, ato shfaqin botën esenciale me shtruarjen e qartësisë reale, në raport me ndryshimet shoqërore. Për këtë arsye edhe poezia e saj spikat në kuptimin e brendshëm, me vizion e pohim për të madhështuar të bukurën në art e në jetë. Dhe kështu, poezia si përjetim e destinim arrin qëllimin përmes vargut,duke shfaqur fotografinë, melodinë e dëshiruar me lexuesin, këtë objektivë e ka realizuar me sukses të kënaqshëm në të gjitha ndërtimet, si në ide e formësim për të dhënë pikëpamjet e dialogimit në himnizimin e fjalës dashuri si mbisunduese e botës njerëzore.
Autorja në tërësinë poetike të këtij vëllimi rrezaton të bukurën me tendencë të shumimit të dashurisë, kjo edhe arrihet me fjalën e zgjedhur dhe figuracionin e goditur artistik. Kur poezia ka melodi e gjallërim të dukshëm natyror, ajo të jep shpresën për të ngazëllyer ditën që vjen. Këtë amshim deri në përjetësi e jep tingëllima e theksuar dhe harmonia e vargjeve si qëllim, e lajtmotiv në arritjen e lumturisë.
Poetja në këto parashtrime të përgjithshme, konkretizon idilin dhe intimen e ngritë në nivelin e të përgjithshmes, kështu titulli i librit arrin e mbulon mesazhin e tërësishëm poetik. Figura e Erosit mitologjik shtrin kuptimin e shfaqjes nëpër kohë .Autorja me ngritjen e vokacionit artistik në këto lirika të arritshme, si në përmbajtje e mesazh ka mundur kohët, duke kultivuar dashurinë për të gjitha kohët.
….
*.Natasha Lako:Këmisha e pranverës”,”Rilindja”,Prishtinë,1984.fq, 115,
( Vështrim i paraqitur më 8 Nëntor 2014, gjatë vlerësimit të portretit letrar e studimor të poetes e studieses nga Tetova, Zejnepe Alili – Rexhepi, në ediicionin e pestë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”