Ambasadorja e SHBA-së, Tracey Jacobson, u takua sot me përfaqësuesit e Rrjetit Evropian të Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) për të diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit në Kosovë.
“Më vjen mirë që ambasada e SHBA- së po i bashkohet organizatave tjera ndërkombëtare si ENEMO-ja në vendosjen e vëzhguesve në vendvotime nëpër tërë Kosovën me 1 dhjetor”, tha ambasadorja Jacobson. “Ne jemi duke shikuar nga afër dhe presim që përmirësimet e arritura në rrethin e parë të zgjedhjeve të ruhen. Nëse me 1 dhjetor procesi do të ketë defekte apo mashtrime përparimi i bërë në rrethin e parë të zgjedhjeve të nëntorit do të bëhet i pakuptimtë”, transmeton RTK.
“Poashtu, ne nxisim gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të raportojnë tek autoritetet e Kosovës çfarëdo problemi që ata shohin. Në zgjedhjet e nëntorit qytetarët bënë më shumë ankesa se kurdoherë më parë dhe ne presim nga policia e Kosovës dhe prokurorët të vazhdojnë përkushtimin e tyre për hetimin dhe ndjekjen e mashtrimeve të paraqitura. Qytetarët e Kosovës janë ata që janë më së miri të pozicionuar për të raportuar çfarëdo problemi apo parregullsie që ata e vërejnë – dhe ne inkurajojmë të gjithë qytetarët: nëse shihni diçka, thuani diçka”.
Ambasadores iu bashkëngjit ekipi kyç i ENEMO-s, përfshirë Shefin e Misionit, Zllatko Vujoviq, dhe Shefin e Zyrës së Institutit Demokratik Kombëtar në Kosovë, Alexander Chavarria. Përmes USAID-it Qeveria e SHBA- së përkrahë përpjekjet e ENEMO-s për vëzhgimin e zgjedhjeve përmes Institutit Demokratik Kombëtar.
USAID ka ndihmuar misionet e kaluara vëzhguese të ENEMO-s në Kosovë, përfshirë në vitet 2009 dhe 2010. ENEMO punon në Kosovë në bazë të një ftese nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.