Shefqet Dibrani
PËRFYTYRIMI MAGJIK PËRFAQËSON FRYMËN HYJNORE
( Arsim Halili, “MËKATAR MOS EJA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2012, faqe 80. ISBN 978-9951-594-12-2 )
Arsim Halili, ka krijuar profilin artistik në angazhimet letrare. Përveç kritikës ai shkruan edhe poezi, përmes të cilave ka gjetur mënyrën dhe formën e të shprehurit që karakterizohet me shije të hollë e të preft, mjaftë i saktë në atë që dëshiron ta shprehë, i thjeshtë në mënyrën e mendimit dhe me botë të veçantë poetike e cila e krakterizon si soj më vete, veçmas kur shkruan poezi të cilat manifestohen si lirizëm i hollë dhe metaforë jo aq e ngarkuar.Artikulimi poetik është nuancë e dallueshme dhe e stërholluar me të cilat e ka ndërthurur sakt kuptimin metaforik në lirikat e këtij libri poetik, të cilat nga libri në libër më mirë artikulojnë mendimin dhe duke e bërë poezinë më të kapshme dhe më përjetuese. Këto arrihen vetëm duke pasur të zhvilluar gjuhën e artit poetik, e cila te Arsim Halili është e pasur dhe ka vlerë estetike dhe gjuhësore.
Por poezia e Arsim Halilit, kjo e përfshirë në librin “Mëkatar mos eja”, disi duket më e veçantë, qoftë për ndjenjën e përkushtimit ose pse janë frymëzues të poetit, andaj përmbledhja me poezi është e rrallë për frymën e ligjerimit poetik dhe për strukturën e saj organike. Këto vargje janë të çiltërta, dhe me ndjenjë të përjetuar të cilat shfaqin emocionin e autorit përball figurës që i përkushton poezinë ose përball motivit të cilin synon ta realizojë, por gjithsesi është vetja e autorit, personaliteti i tij krijues që shfaqet përmes shprehjeve poetike, me gjuhë të rrjedhshme si gjakim i përhershëm i autorit për të shkruar e rrëfyer sa më pastër, sa më qartë dhe sa më kuptueshëm. Kjo ngritje artistike e Arsim Halilit, e ka bërë atë dhe poezinë e librit për të tërhequr vëmendjen e atyre që e lexojnë librin më me përkushtim.
Libri “Mëkatar mos eja”, nis me para ciklin që përbëhet nga dy poezi të cilat ua ka kushtuar prindërve: “At/ Pa ty bonjak jam / Nga agimi i fundit/ Diçka më mungon”, (faqe 5).Ndërsa cikli i parë, “PLEJADË PAVDEKËSIE”, përbëhet nga poezitë përkushtuese për figura të cilat kanë shënuar,siç shprehet vet poeti “pavdeksinë” e tyre: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Artan Abazi, Sherif Januzi, Nijazi Kadriu, e ndonjë tjetër. Ky cikël ka një ndjenjë përjetuese të arrirë kurse të gjitha poezitë edhe veç e veç qëndrojnë me ndjeshmërinë për të mos e harruar këtë “Plejadë të pavdekësisë”, ndërsa në anën tjetër edhe “Plagët e Luginës/ Një emër më shumë bartin”, (faqe 15).
Cikli i dytë, “PEIZAZHE DHEMBJESH”, kryesisht përbëhet nga poezitë meditative dhe përkushtuese, për treva e ngjarje, pastaj për të rikujtuar tmerrin që përjetoi jo vetëm qytetari por edhe guri, metaforë kjo e ndërtuar në poezinë “Guri i tmerrit” në të cilën është shprehur: “Gjymtyrët m’i dhunuan/ Te guri i tmerrit// Bllacë//Qentë/ Vetëm gjuhën s’ma hëngrën dot// Përmes sajbelbëzova/ Kush jam unë/ Bllacë”, (faqe 23). Topika (vendi), Bllacë, shqiptohet kryesisht si pasthirrmë e cila si lloj ofshame ka dal pas ndonjë tmerri të jetuar a përjetuar nga pamjet që trishtuan globin.
Cikli tjetër është, “DRITËJETË POETIKE”, me poezi përkushtuese ndaj personaliteteve letrare e poetike. Sigurisht, njohja e drejtpërdrejtë paska qenë përcaktuese për realizimin e lartë estetik të këtyre poezive të cilat edhe si mesazh letrar janë artistike, sidomos për krahasimin hiperbolik të qëndrueshëm, “Mbret ishe – Pa u ngjitur në fron”, për Beqir Musliun, kurse Dante Aligeri, sipas poetit, duhet ta dij se Purgatori është edhe në Gjilan, aty shihet më shumë Ferri se sa Parajsa, prandaj për motivin dhe mesazhin që e përcjell këtë poezi po e sjellim të plotë:
MEAFORË E HESHTUR
(Poetit Beqir Musliu)
Gjysmë shekulli
Fatprangosur jetove
Në vargje gjeje ngushëllim
Mbret ishe
Pa u ngjitur në fron
U metamorfizove në metaforë
Dante Aligerit i pate thënë
Purgatori shihet edhe në Gjilan
Më shumë ka ferr se parajsë
Nëpër vrima të kohës
Lirinë ëndrrove
Sihariq Beqë
Në qershor u përflak ferri
Pastaj u shndrit terri…
Faqe 41.
Edhe poezitë tjera të këtij cikli që u kushtohen: Din Mehmetit, Rifat Kukajt, Visar Zhitit, Majlinda Rama’s e Anjeza Sakajt, janë lirika poetike të cilat kanë estetikë dhe artistikë të ndertuar me shije dhe stil poetik, kurse poeti është mirë për t’i patur model në krijimet e ardhshme të kësaj natyre. Ndoshta kanë ndikuar njohjet me shkrimtarët, ose thellësia e njohjes së kulturës dhe shkrimit letrar ka bërë që këto poezi të realizohen si perla lirike me estetikë të pranueshme dhe mbase edhe të klasifikohen si realizim i suksesshëm poetik.
Cikli “E IMJA KËNGË JE”, përbëhet nga njëzetë e shtatë poezi, dhe duket të jetë pjesa më e qëndrueshme e librit, nga e cila shohim më mirë profilizimin poetik të Arsim Halilit, i cili poezisë i ka shtuar vlerë dhe cilësi universale. Vetë metafora e titulluar në këtë cikël shpjegon se poeti për motiv ka zgjedhur këngën, përkatësisht jetën, gjallërinë dhe ngadhnjimin, mbase ngadhnjimin edhe të vet poetiti cili ka shkruar se “Nëse të ndjek hija ime/ Bjeri vërdallë të kaluarës”, pra kujtoje rrugën nëpër të cilën ke ardhur deri këtu, sepse “Pasthirrmat e mia/ Thellë ne zemrën tënde/ Do të brohorasin”, (po aty, faqe 49). Pa dyshim poezi që dallojnë dhe mirë të realizuara janë: Mozaik vjeshte, Imazh, Në portretin tënd, I braktisur, Rini e vjedhur, Neon i kristaltë, Emblemë dashurie, Diatezat pësojnë, e ndonjë tjetër, ndërsa në njërën sish ai shprehet: “Mëkatar… mos eja/ Imazh i tjetërsuar je”, (faqe 65).E poezi emblematike, jo vetëm të këtij cikli, por të librit e veçojmë poezinë:”Jam vetëm një emër”, në të cilën poeti çiltërisht dhe mjaftë estetikisht e ka ndërtar metaforën poetike, e njëkohësisht edhe portretin e vet si poet i talentuar:
JAM VETËM NJË EMËR
Në shtatë ëndrrat e javës
Përpelitem midis teje
Shtatë yjet më buzqeshin
Me hënën rishtazi kuvendojmë
Në shtatë këngët e mia
Lotin më rrëmben
Matanë shtatë brigjeve
Arkitekturë vertikale të sodis
Në shtatë lumenj
E jotja fytyrë fërgëllon dashuri
Nëse prushi i buzëve tua më djeg
Shtatë lëkurat e mia
Mos u tremb jam vetëm një emër
Faqe 70.
Poezia e Arsim Halilit tashmë ka zënë vend me rëndësi në kulturën e poezisë shqipe, qoftë për vlerën që ka, e për metaforën ose për shtrirjen tematike të kësaj poezie në të cilën janë trajtuar figura të shumta përmes të cilave mëtohet të përfshihen edhe pjesët dhe pjesëzat e atdheut, përkatësisht gjeografia poetike, ose të themi më poetikisht është konstruktuar Profili i Atdheut, që shkon përtej kohës që e jeton poeti dhe përtej asaj gjeografie që detyrohemi t’i themi Atdheu Real ose Atdheu Funksional, qoftë i poetit ose i vet shqiptarëve.
Tek e fundit është thirrma poetike e shprehur si pasthirrmë, në vet titullin e librit “Mëkatar mos eja”, kurse në anën tjetër kjo përmbledhje poetike shpalos prirjen poetike në të cilën gjejmë kalvarin historik, përpjekjet e brezave, sakrificën e tyre dhe më në fund lexojmë shpirtin dhe zemrën artistike dhe të konsiloduar të poetit, i cili poezisë shqipe i dhuron vargje sublime, që përjetohen me ndjenjë dhe kanë përfytyrim magjik sepse përfaqësojnë frymën hyjnore në tejjetën e Arsim Halilit. /2LONLINE/