Liderët politik shqiptarë kanë përfunduar takimin urgjent të zhvilluar në orët e mbrëmjes në zyrat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Bujanoc.
Spektri politik shqiptar i Luginës biseduan me kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, nga i cili kërkuan kthimin e librave të konfiskuara në shkollën “Zenel Ajdini”, në Raincë të Preshevës.
Takimi i cili zgjati mbi dy orë nuk dha rezultate konkrete, derisa kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, pas takimit i tha gazetarit të portalit Titulli.com se librat e konfiskuara “mbetet nën arrest”.
“Biseduam në lidhje me tekstet mësimore të konfiskuara në shkollën fillore “Zenel Ajdini” në Raincë, me shpresë se librat, përkatësisht tekstet shkollore për nxënësit e klasës së parë deri në të katërtën për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, do të lirohen sa më shpejt”, u shpreh Mustafa.
Nga ana tjetër kryetari i Trupit Koordinues për këto tri komuna, Zoran Stankoviq, gjatë prononcimit për media tha se janë marrë vesh që ligji të respektohet së bashku me procedurat.
“Jemi marrë vesh që ligjet e këtij shteti duhet të respektohen, ndërsa procedura për prurjen e librave nga Shqipëria në këto hapësira mund të bëhet sikur deri më tani, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili duhet të japë propozimet të cilat i dërgohen Ministrisë së Arsimit të Serbisë, ku inspektorët përgjegjës shikojnë propozimet dhe më pas Ministri lejon përdorimin e atyre librave”, tha Stankoviq.
Gjatë këtij takimi, i cili, siç mësohet është mbajt me kërkesë të palës shqiptare, u bisedua edhe për gjyqësinë, shpërndarjen e rrjetit të ri të gjyqësisë, gjyqeve themelore dhe prokurorive themelore, të cilat para se të themelohet në komunat e Luginës, paraprijnë ndryshimet e nevojshme, që së shpejti pritet të aprovohen në Parlamentin e Serbisë