Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka zhvilluar punëtorinë (Fletnotimi Komunitar) për vlerësimin e shërbimeve shëndetësore në Komunën e Kamenicës.
Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të PRAK Kosova, Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, stafi shëndetësor si dhe qytetarë të Komunës.
Gjatë punëtorisë u diskutua se si të krijohet një dialog social mes stafit shëndetësor dhe qytetarëve në mënyrë që të gjendet zgjidhje për problemet me të cilat përballen ata dhe që i kanë lajmëruar.
Sipas PRAK Kosova, qëllimi i këtij projekti është i fokusuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në kënaqshmërinë e qytetarëve me shërbimet e ofruara, pasi për këtë qytetarët/pacientët kanë një rol legjitim dhe të rëndësishëm si vlerësues të kujdesit shëndetësor.
Po ashtu edhe Drejtoresha e DShMS-së Zajmi-Krasniqi ka mirëpritur këtë punëtori, duke thënë se janë duke punuar që qytetarëve të Kamenicës t’iu ofrojnë shërbime shëndetësore sa më cilësore.