Konferenca rajonale dy ditore (17-18 maj) e cila ishte organizuar nga Policia e Kosovës, e ndihmuar nga Misioni i EULEX-it, në të cilën morën pjesë drejtorët e policive të shteteve rajonale, të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë, përfundoi sot në orët e pasdites.
Gjatë kësaj konference e cila u vlerësua mjaft e suksesshme, krerët e policive të shteteve pjesëmarrëse kanë paraqitur diskutime dhe prezantime të ndryshme, të cilat janë cilësuar si mjaft të dobishme dhe të rëndësishme për pjesëmarrësit.
Vlen të potencohet se të pranishmit u dakorduan për nevojën e intensifikimit të komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët në fusha të ndryshme policore, që kanë për qëllim luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Mbylljes së kësaj konference i parapriu një konferencë e përbashkët për media, ku në vijim keni deklaratën zyrtare të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës z. Naim Rexha të dhënë në konferencë.
Deklarata e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Naim REXHA
Si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kam kënaqësinë të flas në emër të një numri të partnerëve tanë rajonal, të cilët na janë bashkangjitur dhe kanë gjetur kohë të marrin pjesë në këtë konferencë të vlefshme. Gjatë dy ditëve që shkuan, përfaqësuesit e lartë të policisë nga: Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe Sllovenia, janë mbledhur së bashku këtu në Prishtinë për Konferencën Rajonale të Shefave të Policisë.
Gjatë konferencës, ne si grup, kemi diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me kërcënimet trans-nacionale dhe si mund kjo të ndikojë në stabilitetin rajonal. Kemi dëgjuar katër folës të ftuar, të cilët kanë ofruar perspektiva të ndryshme për fenomenin e kërcënimeve trans-nacionale, të cilat kanë përfshirë fusha tematike të ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe ndikimi i rrjeteve të krimit të organizuar trans-nacional.
Të gjitha delegacionet e konferencës, kanë arritur në përfundim që: ne duhet të përpiqemi të rrisim bashkëpunimet ekzistuese brenda rajonit; vetëm duke miratuar një qasje të partneritetit rajonal mund të trajtojmë sfidat me të cilat përballemi si rajon. Jemi përqendruar në rëndësinë e bashkëpunimit strategjik, që në fund të fundit do të çojë në një punë efektive operative për të mirën dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve tanë.
Konferenca u ka ofruar një mundësi përfaqësuesve të lartë të agjencive policore të rajonit që të takohen dhe të diskutojnë këtë fushë shumë të rëndësishme të punës.
Policia e Kosovës është shumë e kënaqur që ka qenë nikoqire e Konferencës së Dytë Rajonale të Shefave të Policisë dhe falënderon kolegët tanë që na janë bashkangjitur në konferencë e cila ka qenë jashtëzakonisht e dobishme. Të gjitha delegacionet e pranishme shpresojnë që ky forum të vazhdojë dhe që partnerët e tjerë rajonal të cilët nuk ishin të pranishëm në këtë rast të jenë të pranishëm në ndonjë konferencë të ardhshme.