U ndanë sot edhe pjesa tjetër e rezervuarve, bimëve mjekuese aromatike dhe fidanëve të dredhëzës për fermerët vitias
Në vazhdën e projektit të përbashkët mes Caritasit zviceran dhe Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka vazhduar sot realizimi i pjesës tjetër të këtij projekti, me ndarjen e rezervuarve të ujit, bimëve mjekuese aromatike dhe fidanëve të dredhëzës për fermerët e komunës së Vitisë.
Përfitues të këtij donacioni ishin shtatë fermerë, të cilët kanë përfituar mbjelljen e këtyre bimëve në sipërfaqe prej 10 ari.
Arton Elezi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka falënderuar Caritasin zviceran për gjithë bashkëpunimin që kanë pasur me Drejtorinë e tij.
Ai ka njoftuar gjithashtu se janë 3 përfitues të bimëve mjekuese aromatike dhe 4 të fidanëve të dredhëzës.
“Ky donacion është si pako e grantit në të cilën përfshihen edhe sistemi i ujitjes pikë pikë, rezervuar të ujit, foli e zezë, spërkatëse shpine, plehra minerale dhe organike, si dhe material mbrojtës kundër sëmundjeve të ndryshme dhe dëmtuesve”, ka thënë Elezi.