Unë Gani Neziri, nga Gjilani, rruga ‘’Mark Gashi’’ nr-4, si qytetar i Republikës së Kosovës shpreh revoltën time publikisht duke treguar papajtueshmëri nga aspekti qytetarë lidhur me vendimin qeveritar që ka të bëjë me Faljen e borxheve publike, që nga viti 2000 e deri në vitin 2017?!!!
Se kujt i shkoi mendja kaq mbrapsht, kujtoj se është mirë për t’u hetuar!
Faljen e borxheve të krijuara ndaj shtetit nga qytetarë të paqytetëruar e jo shtetformues e kuptoj si veprim të gabueshëm qeveritar, ose i qëllimshëm nga vet planifikuesit-propozuesit e krijimit të këtij ligji që më bënë të dyshoj se (ndoshta) ka për bazë, vetë borxhet e tyre të mëdha personale ose të ndërmarrjeve që udhëhiqen nga miqtë e tyre.
Përndryshe, cili është kuptimi pozitiv i faljes së borxhit shtetëror për qytetarin e pandershëm? Qytetarin që nuk ka respektuar shtetin e vet pikërisht në kohën e fillimit të konsolidimit, madje, atëherë kur shteti më së shumti kishte nevojë.
Ndërkohë që, për pjesën tjetër të qytetarëve të ndershëm që ishin në nivel patriotik duke kryer me kohë obligimet ndaj shtetit, nuk është paraparë me ligj asnjë e mirë (benificion) për të shtuar kurajon e tyre dhe respektin për shtetin ?! Me çka dua të them se; mbështetur në këtë
Falje borxhi, të pameritueshme fillim e fund, do të duhej që për qytetarët e ndershëm të krijohej po ashtu ‘’Ligji i lirimit’’ nga obligimet e ardhshme shtetërore për po aq vjet sa u shpërblyen të pandershmit qytetarë. Madje, dhe për ndonjë muaj më shumë, në shenjë respekti për ta.
Padyshim se forma e parë e veprimit qeveritar për të ‘’inkurajuar’’ qytetarët e pandershëm deri dje, demoralizon skajshëm qytetarin e ndershëm që nuk i ka mbetur borxh shtetit as edhe një qindarkë që nga fillimi i shtetformimit.
E them me përgjegjësi të plotë qytetare dhe ligjore: ndjehem thellësisht i zhgënjyer, i dekurajuar deri në funddhe i papajtueshëm me nxjerrjen e këtij Ligji selektiv.
Nuk dua të marr leje nga askush për kte që po e them sepse, ‘’pa pardon’’ jamë njëri nga ata të shumtit qytetarë të Kosovës që nuk i kamë borgj shtetit dhe organeve tjera përcjellëse as edhe një qindarkë Leku a Euro-je. (Tatimi në pronë, Hidro, Higjienë, Rrymë, Telefon dhe askund tjetër).
Me respekt!
GANI NEZIRI