Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Agrikulturë (KZHEA) ka miratuar raportin e vetë të punës si dhe të drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ku nënvizohen çështjet e trajtuara me prioritet gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti.
“Nga sektori i zhvillimit ekonomik dhe bujqësia kemi trajtuar çështje të ndryshme, siç janë strategjia lokale për zhvillim socio-ekonomik, strategjia për gratë ndërmarrëse, pastaj sistemi i ujitjes pikë-pikë te vishnjat, furnizimi me centrifuga për bletarë, furnizimi me serra, ndërtimi i infrastrukturës në viset rurale, organizimi i takimeve me biznese të mesme dhe me fermerë dhe të tjera”, ka thënë kryesuesja Jehona Hyseni.
Ndërkaq, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Agim Zuzaku, ka theksuar se gjashtë 6-mujorit të parë të këtij viti janë hartuar dy dokumente bazike, të cilat përcaktojnë zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit – Strategjia për zhvillim socio-ekonomik lokal (2017-2021) dhe Strategjia për gratë ndërmarrëse (2017-2021).
Është themeluar ndërmarrja publike “Tregu”, e cila menaxhon të gjitha tregjet që operojnë në nivel lokal.
Shumë shpejt fillon ndërtimi i shëtitores mbi lumin Mirusha, në pjesën ku shtrati është i mbyllur dhe kjo pritet ndikojë edhe në zhvillimin e bizneseve në këtë zonë.
Projekti “Masat për efikasitet energjetik në ndërtesat publike”, ku përfitues është edhe komuna e Gjilanit, është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një kompanie këshilluese për dizajnimin e shkollave dhe realizimin e auditimeve energjetike në shkollat e përzgjedhura.
Inkubatori i biznesit është rinovuar dhe po krijohen kushte më të mira për aktivitet të cilat lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve të vogla.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 272 biznese të reja, ku janë punësuar 480 punëtorë, ndërkaq janë shuar 45 biznese. Zuzaku ka thënë se arsyet për shuarjen e një biznesi mund të jenë të ndryshme, meqë disa biznese themelohen sa për të aplikuar për ndonjë grant, ose shuhen për arsye të tjera.
Ai i ka përmendur edhe aktivitetet e fundit, siç ishte Panairi i prodhimeve vendore, që ka për qëllim krijimin e një brendi të prodhimeve të Anamoravës, ndërkohë që projekti tjetër parasheh sigurimin e hapësirave të veçanta për këta prodhues në super-marketet e Gjilanit.
Me pyetje e interesime të tjera, në plotësimin e raportit, kanë kontribuar edhe Bashkim Shala, Fatmir Hoxha, Jakup Bajrami, Agron Shurdhani e Hevzi Xhelili dhe në të gjitha çështjet e ngritura kanë marrë përgjigje nga drejtori Agim Zuzaku si dhe kryesuesja e KZHE, Jehona Hyseni.
Sa i përket punësimit në ndërmarrjen “Tregu” të 13 punëtorëve të larguar nga “Ecohigjiena”, të cilën e ka ngritur Bashkim Shala (PDK), Zuzaku ka thënë se në rrethanat e krijuara është dashur të bëhet një zgjidhje e përkohshme për këta punëtorë, në mënyrë që të mos lihen në rrugë, derisa gjyqi të vendos për rastin e tyre. Përndryshe, ata konsiderohen punëtorë të “Ecohigjiena” dhe largimi i tyre nga puna, është i padrejtë, ka thënë Zuzaku.