Në kuadër të Manifestimeve me rastin e “Ditëve të Diasporës”, sot në Viti është hapur Panairi i nëntë me radhë tradicional regjional “Ti ruajmë vlerat tona tradicionale”.
Ky aktivitet i cili organizohet nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në bashkëpunim me Grupin e Veprimit Lokal “Vitia” dhe organizatës IKC (Iniciative for Kosovo Community), ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të promovojë ndërmarrjet vendore dhe ndërmarrësin, si dhe në krijimin e ndërmarrjeve të reja e sidomos tek femrat.
Ky Panair i prodhimeve vendore, gjithashtu ka për synim që të forcojë bashkëpunimin dhe të rris partneritetin mes prodhuesve vendor dhe institucioneve komunale.
Duke bërë hapjen e këtij panairi, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se komuna e Vitisë njihet si rajoni i kultivimit të vlerave tradicionale në shumë fusha, por më shumë njihet në prodhimet bujqësore siç janë kulturat lavërtarie, pemëtaria, perim-kultura, bletaria, blegtoria, si dhe atë të trashëgimisë kulturore.
Ai më tej theksoi se qëllimi i këtij panairi, është ruajtja dhe promovimi i prodhimeve tradicionale, si dhe fuqizimi I fermerëve dhe bizneseve që veprojnë në rajonin e Anamoravës.
Gjithashtu për rendësinë e organizimit të Panairit por edhe promovimit të prodhimeve , foli drejtori i Departamentit të këshillimoreve për bujqësi dhe zhvillim rural Hysni Thaqi, Fjolla Raifi menaxhere e projektit ReLOaD, si dhe Fadile Demelezi nga GLV e Vitisë.
Pjesëmarrësit dhe prodhuesit e këtij panairi, prezantuan prodhimet e tyre nga sektori i bujqësisë, industrisë ushqimore, bletari, kopshtari, artizanale etj. Panairi do të jetë I hapur sot dhe nesër me 2 gusht.