Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Qendra Rinore “Fanar”, në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës, si dhe “Fondacionin Jahjaga” kanë organizuar Festivalin e Lojërave, të shoqëruar me aktivitete të ndryshme për të rinjtë e Komunës së Kamenicës.
Pjesëmarrës në këto aktivitete ishin edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me ish presidenten Atifete Jahjaga, njëherit edhe themeluese e “Fondacionit Jahjaga”, si dhe qytetarë të shumtë të Kamenicës.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se me muzikë dhe aktivitete të ndryshme u shënua Dita e Rinisë në Kamenicë.
“Me muzikë, lojëra, e aktivitete të ndryshme, u shënua Dita e Rinisë në komunën tonë. Këto aktivitete u organizuan nga Qendra Rinore “Fanar”, dhe në mbështetjen tonë. Të rinjtë e Kamenicës janë e ardhmja e këtij vendi”, tha Kastrati.
Edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se dje në nder të Ditës së Rinisë ishte një atmosferë e këndshme në Kamenicë.
“Të rinjtë zhvilluan lojëra nga më të ndryshme duke krijuar një atmosferë tejet të këndshme në hapësirat e Fanar dhe në fund duke shijuar bendin muzikor Offchestra. E kam thënë pothuajse në çdo cep të botës, dhe do e them gjithmonë, që rinia jonë është forca dhe motori i një Kosove më të mirë! Kjo po na vërtetohet çdo ditë e më shumë, pasi që për rininë tanë, sportistët, artistët, shkencëtarët nuk është me rëndësi vetëm pjesëmarrja – por edhe fitorja!”, shtoi ajo. /2LONLINE.com/