Ne zgjedhjet e 6 tetorit, sovrani vendosi për ndryshimin; votoi për opozitën dhe ndëshkoi pozitën! Sovrani, me një dallim simbolik prej vetëm rreth 1%, thuajse barabarësish i dha besimin LDK-se dhe Vetëvendosjes (LVV), për të bërë qeverinë e ardhshme, duke iu dhenë të dyjave bashkë shumicën parlamentare me mbi 60 deputetë!
Shkruan: Faton BISLIMI
Diskutimet qe tani po bëhen për koalicionin LDK-LVV janë diskutime mbi bazën e vullnetit të popullit, dhe jo për dëshirë apo mosdëshirë të dikujt.
Fakti qe LVV e ka epërsinë simbolike prej rreth 1% ndaj LDK nuk do të duhej në asnjë moment t’u jepte atyre komoditetin e tepruar se fitorja është e tyre dhe vetëm e tyre! Fitorja e zgjedhjeve të 6 tetorit është fitore e ish-opozitës, fitore e përbashkët e LVV dhe LDK.
Nëse keni parasysh historinë e koalicioneve zgjedhore deri më tani, ne kemi pas parti që me rreth 10% te votave të sovranit ka marrë postin e Kryeministrit!
Andaj, është për t’u vlerësuar vendimi shumë parimor i LDK-së që Kryeministri do t’i takoje partisë fituese, pa marre parasysh diferencën e vogël në votat e sovranit. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë se fituesi, që përcaktohet me certifikimin e rezultateve zgjedhore nga KQZ, mund krye në vete të përcaktojë të gjithë rrjedhën e diskutimeve për koalicion e bile edhe të tregojë kush nga ana e LDK-së ku e ka vendin ne koalicionin e ardhshëm.
LDK nuk i detyrohet asgjë LVV-së! LDK i detyrohet vetëm vullnetit të sovranit, e besoj njëjtë duhet të reflektojë edhe LVV! Andaj, LVV nuk duhet të hutohet nga 1% i epërsisë e të nënvlerësojë 25% e LDK-së, e aq me shumë, faktin që të dyja bashkë përfaqësojnë mbi gjysmën e elektoratit të zgjedhjeve të 6 tetorit!
Vetëm me respekt të ndërsjellët, LDK e LVV e qojnë në vend vullnetin e sovranit. Kjo nënkupton që në rastin e zgjedhjes se Kryeministrit nga radhët e LVV, vendimi për një gjë të tillë dhe për koalicion, normalisht se do të kalojë nëpër organet vendimmarrëse të LDK-së, respektivisht nëpër zyrat e LDK-së! Nuk ka kurrgjë të keqe këtu! Realisht ka vullnet për koalicion dhe ecje përpara bashkë, duke lënë anash, jo lehtësisht, të kaluarën e hidhur të veprimeve të LVV-së kundrejt Qeverisë së kaluar të LDK-së. Por, politikat shtetndërtuese të LDK-së gjithherë kanë shkuar përtej personales dhe partiakes, andaj është e kuptueshme dhe e pritshme që edhe ne këtë rast do të ndodhë e njëjta gjë!
Reagimet e LVV ndaj këtij vullneti të LDK-së janë sa të panevojshme po aq edhe të paarsyeshme.
Besoj se këto eufori nuk do të kalojnë kufirin e një ekzaltimit të momentit nga dëshira e madhe për të ardhur në pushtet, dhe LVV e LDK do të vazhdojnë bashkëbisedimin dhe harmonizimin e programit qeverisës ashtu që nga një qeveri e ardhshme në mes LDK e LVV, qytetarët e Kosovës të përfitojnë një shtet në shërbim të qytetarit dhe jo pushtetarit; që Kosovës t’i kthehet shpresa!
Bashkë, kjo është e mundur!