Diku në nismën e stinës më të bukur të vitit që shkoi – Pranverës, jemi njohur virtualisht, falë poezisë dhe këtij rrjeti social, pa e ditur se Jonida, që unë e quaj Jonë, figurativisht ishte pranvera vetë, anise kishte ardhur në jetë para gjashtëmbëdhjetë verave të po të njëjtit vit që sapo e përcollëm.
NGA: Sabit RRUSTEMI
Me kohë, përmes poezisë dhe një rrethi miqsh të përbashkët, sidomos nga ana e saj ( Llapi ), shkallë – shkallë u njohëm. Sepse ajo, disa prej tyre i kishte dhe të afërm, a unë me ta , o kisha banuar, o isha takuar nëpër hapësira të pakëndshme ( burgu ), apo dhe ishim rreshtuar më vonë në vizionin për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Për një kohë të shkurtër, Jona, përmes vargjeve të saj, të cilat i shkruante me një çiltërsi rinore dhe një korrektesë të theksuar gjuhësore, shpejt u bë nga poetët më të klikuar e komentuar në Fejzbuk, paksa edhe me lavde të tepruara e të paqëndrueshme.
Po ajo nuk ra në ndikimin e tyre. Me një mirësjellje të theksuar dhe një pjekuri jete, ajo i mbajti miqtë afër vetes, zgjeroi rrethin e tyre, po rriti edhe numrin e poezive.
Duke parë afinitetin e saj poetik, u bë dhe pjesë e revistës “Trekëndëshi poetik i paqes “,me poezinë “Simfoni ndjenjash”, e cila nuk arriti të përurohej, shkaku i shkallëzimit të pandemisë Covid -19, që në Kosovë, si në krejt botën, ndërroi rrjedhën e zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës.
Diku kah mes-vjeshta, Jona kishte bërë gati thuaja dorëshkrimin e saj poetik dhe shfaq dëshirën që ta botojë përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, për shumë arsye që s’dua t’i theksoj tash.
Nuk mund t’i thosha jo. Megjithatë, ajo do duhej të na i përcillte poezitë si tërësi, për t’i lexuar, vlerësuar dhe, pastaj do të vendosnim.
Pak pa hyrë në dimrin në të cilin jemi, fundi i nëntorit diku, na erdhi dorëshkrimi i saj…
…
Pas gati tri javësh lexim, vlerësim, tek -tuk ndonjë korrigjim, ndërrim renditjesh nëpër cikle, dorëshkrimi u finalizua për botim. Por, Jonida, shkaku i babait të saj mërgimtar si dhe Vitit të Ri, donte që librin ta kish në dorë para se të hyjmë në vitin tjetër.
Data 30 Dhjetor 2020, asaj gjatë do t’i mbetet në kujtesë. Mbase edhe nuk do ta harrojë. MALLI FSHIHET NËN QEPALLË do t’i jepej asaj të parës në duar, në shtypshkronjën “Star Print” të Prishtinës. E merrja me mend se si ndihej, sepse edhe vetë dikur para rrafsh tridhjetë vitesh kisha kaluar nëpër të njëjtat emocione. Nuk i thashë gjë, vetëm e urova, atë të parën, pastaj Fadilin, babain e saj, Deonin – vëllain dhe Xhelal Pirevën, dajën.
Pastaj aty afër, në një restorant lagjeje ngritëm edhe dolli.
…
Libri i parë i Jonida Shehollit përmbledh brenda kopertinave, poezinë e moshës, me të gjitha drithërimat e jetës dhe preokupimet e kohës.
Rrugëtimi poetik i Jonës, nis nga “Vatra e lashtë”, poezia hapëse e librit ( cikli i parë “Dritësim shprese”), e cila dëshmon lashtësinë e saj e të këtij populli si dhe virtytet e karakterin e tij të lashtë e mikëpritës, ku gjithherë ballin e kanë të hapur dhe mikpritjen.
Prej kësaj “Vatre” , ajo portretizon pastaj oborrin e fëmijërisë, rrugicën e vjetër ….prej nga shëtitë pak dhe nëpër toponime ( Lugu i Pirevës, Lumi i Vendlindjes ) duke u rrethuar nga dashuria e njerëzve prej të cilëve edhe rrethohet. E entuziazmuar ajo vazhdon tutje, poezi pas poezie e cikël pas cikli, duke shpaluar botën e saj poetike dhe prirjet që dëshmojnë për një poete që po vjen dhe për një emër mjaft premtues, bazuar po nga ky libër, i cili tash e tutje do të jetë në duart e lexuesve dhe të të gjithë të interesuarve dhe, pret të vlerësohet, ashtu si është, pa farë teprie, meqë krijuesja e re , mund ta vazhdojë tutje rrugën, duke punuar, duke u korrigjuar, duke i përfillur të gjitha sugjerimet dashamirëse – të arsyeshme, e vetëdijshme se krahina e Llapit i ka dhënë emra të mëdhenj letërsisë…
Kësaj rruge është nisur dhe Jona me MALLI FSHIHET NËN QEPALLË…
Zhegër/Rrajë Çepurit, 2 Kallnor 2021