Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, që nga 14 korriku 2016, kur ka hy në fuqi Konventa e Apostiles, ka lëshuar mbi 13 mijë vula apostile për dokumente të ndryshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në shtete të jashtme.
Aderimi i Kosovës në Konventën e Hagës për heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve të huaja publike, apo siç njihet ndryshe Konventa Apostile, u ka krijuar shumë lehtësira qytetarëve nga Kosova sa i përket legalizimit të dokumenteve të ndryshme.
Udhëheqësi i Divizionit për Shërbime Konsullore në MPJ, Arton Krasniqi ka thënë se në Konventën e Apostiles Republika e Kosovës është pranuar nga 83 shtete.
Krasniqi ka folur për përfitimet që kanë qytetarët e Kosovës me hyrjen në fuqi të kësaj konvente. “Nga momenti i hyrjes në fuqi të kësaj konvente, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë një përfitim jashtëzakonisht të madh, pasi që nuk do të kenë më nevojë të legalizojnë dokumente në shumë institucione vendore dhe Ambasada të huaja”, ka thënë ai.
Dhënia e vulave apostile në Divizionin e Shërbimeve Konsullore në kuadër të MPJ-së bëhet me procedurë mjaftë të shpejtë. “Vulat e para janë lëshuar që nga 18 korriku 2016 dhe deri më tani kemi mbi 13 mijë vula apostile të lëshuara pa pagesë, me një procedurë jashtëzakonisht të shpejtë”, ka deklaruar Krasniqi.
Deri më tani, ky shërbim në MPJ ka qenë pa pagesë. Ndërkohë, nga fillimi i vitit, kjo pas hyrjes në fuqi të rregullores për lëshimin e vulës apostile, ky shërbim do të jetë me pagesë.
“Konventa e Hagës për Heqjen e kërkesës për Legalizimin e dokumenteve publike të huaja, është krijuar për të lehtësuar verifikimin e ligjshmërisë së dokumenteve publike të lëshuara në një Shtet Kontraktues dhe qarkullimin e lirë të tyre si dhe marrjen e dokumentit të njëjtë publik në të gjitha Shtetet Kontraktuese pa hyrë në proces të legalizimit të atij dokumenti publik”, thuhet në njoftim.