Pas 42 viteve përvojë pune në një ceremoni me përplot emocione, mirënjohje e lavdërime në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është organizuar takim me rastin e pensionimit të z. Refik Ibrahimi Zyrtar për Çështje Akademike njëherësh edhe Kryetar i Sindikatës në UKZ.
Me këtë rast Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi e ka përgëzuar z. Ibrahimin për pensionimin dhe kontributin e dhënë në UKZ, derisa e ka uruar për punën që e ka bërë dhe për rezultatet që i ka arritur gjatë punës së tij prej katër dekadash, në periudha kohore shpesh jo të mira, por në të cilat ai ka ditur më së miri ti përballojë, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë e rrethanave historike që vendi i pati nëpër vite.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm Dr. Sc. Vaxhid Sadriu në emër të Stafit Administrativ e ka uruar z. Refik Ibrahimi për pensionimin, duke thënë se ne të gjithë krenohemi me punën e mirë që ka bërë Refiku në gjenerata të tëra. Ai po ashtu ka thënë se ai na ka mishëruar me vullnet të paepur dhe me një përkushtim të madh, andaj ne e kemi model punën e tij.
Vet z. Refik Ibrahimi në një letër falënderimi ju është drejtuar të gjithë bashkëpunëtorëve. Ai ka thënë se gjatë 42 viteve, stafi më të cilët ka punuar kanë qenë gjithmonë mbështetja e tij, duke u bërë miq dhe shokë të vërtetë. Z. Ibrahim i ka falënderuar secilin veç e veç për punën, për atmosferën e ngrohtë miqësore në ekip, për disponimin e shkëlqyer dhe qëndrimin optimist. Ai po ashtu u ka dëshiruar të gjithëve suksese të vazhdueshme, fitore të mëdha dhe plane të mëdha, duke i porositur që të ruajnë optimizmin në situatat më të vështira dhe stresuese, sepse vetëm kështu mundë të shkojmë drejt sukseseve dhe vendimeve të drejta në jetë!
Refik Ibrahimi ka kaluar gati gjysmë shekulli në arsim dhe mund të themi se tërë jetën e tij ia ka kushtuar arsimit.
Që nga vitet e 80-ta, z. Ibrahimi ka punuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu”, e më pas Fakulteti i Edukimit në Gjilan si Shef i Shërbimit të Studentëve.
Gjatë viteve të 90-ta, ka qenë kohë shumë e vështirë në çdo sferë të jetës, veçanërisht për arsimin, ku Refik Ibrahimi ka punuar me shumë përkushtim në kushte të vështira, pasi që në atë kohë okupuesi serb nuk i lejonte të punonte, por Refik Ibrahimi nuk u ndal asnjëherë në asnjë moment duke i pranuar të gjitha rreziqet që mund t’i ndodhnin, ai ishte aty për çdo shërbim të studentëve.
Në përfundim të karrierës profesionale si Zyrtar për Çështje Akademike njëherësh edhe Kryetar i Sindikatës në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, z. Refik Ibrahimi ndihet i lumtur dhe krenar që ka arritur të nxjerrë kuadro shumë të suksesshëm dhe se siç ka thënë edhe vet ai çdoherë do të jetë në gjendje të ju ndihmojë edhe nga larg kolegëve, sa herë që paraqitet nevoja.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan i dëshiron shumë shëndet z. Refik Ibrahimit dhe uron që ta shijoj pensionimin, të ndihet krenar dhe i lumtur çdoherë për punën e palodhshme që ka bërë gjatë gjithë jetës. /2LONLINE/