Është mbajtur ceremonia e pensionimit të nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Nënkolonel Azizi i ka takuar gjeneratës së katërmbëdhjetë (14) të Policisë së Kosovës, duke shërbyer me nder, përkushtim dhe profesionalizëm për 23 vite në Policinë e Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni përpos kolegëve, ishin edhe personalitete të larta të institucioneve të tjera të Rajonit të Gjilanit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan Kolonel Agron Rukiqi ka mbajt një fjalë rasti dhe ndër tjera ka cekur se “Nënkolonel Azizi ka udhëhequr me ndërgjegjshmëri, guxim nëpër sfidat më të vështira, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim ndaj detyrës. Me rastin e pensionimit ne shprehim një falënderim për angazhimin e palodhur të Nënkolonelit Azizi në ruajtjen e rendit dhe shërbimin ndaj qytetarit. Sot, ne e përshëndesim me admirim dhe dëshirojmë për të një pensionim me shëndet të plotë”.
Në këtë ceremoni kanë folur edhe përfaqësues nga institucionet tjera si Gjykata Themelore, Komuna e Gjilanit dhe OSBE me të cilat Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka një bashkëpunim të shkëlqyer.
Në shenjë falënderimi Nënkolonelit Azizi i është ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë dhe besnikërinë e treguar gjatë gjithë karrierës së tij policore.
Nënkolonelit Azizi ju urojmë një pushim të këndshëm me familjen dhe miqtë! /2LONLINE/