Pas më se 36 vitesh në shërbim dhe përkujdesje ndaj pacientëve, është pensionuar mjeku gjilanas, Hajriz Ibrahimi.
Në vitin 1988, Dr. Hajriz Ibrahimi filloi për herë të parë punën si mjek në shërbimin e vaksinimit pranë ish- Shtëpisë së Shëndetit në Gjilan (tani QKMF).
Ai ka ofruar shërbime shëndetësore në fshatrat Zhegër dhe Shurdhan të Gjilanit për një periudhë kohore. Nga aty, në fillimet e vitit 1994, regjimi i atëhershëm dhunshëm e dëboi nga puna.
Po në të njëjtin vit, Ibrahimi themeloi ordinancën e tij të pavarur të mjekësisë së përgjithshme “Preventiva” në Gjilan, ku zhvilloi veprimtarinë e tij private, deri në mbarimin e luftës.
Në vitin 1999, Dr. Hajriz Ibrahimi u rikthye në punë pranë ish- Shtëpisë së Shëndetit si mjek në dispanzerin e fëmijëve, ndërsa, në vitin 2000, u zgjodh Drejtor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, për një mandat katërvjeçar duke dhënë kontribut kyç në fillimin e implementimit të Mjekësisë Familjare.
Dr. Ibrahimi shquhet për natyrën e tij të qetë dhe shumë humane, duke patur një rol të jashtëzakonshëm për vite me radhë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit.
Ai pensionohet më datë 06 Maj 2024, pranë QMF-së ”28 Nëntori” në Gjilan, me një ceremoni të përgatitur nga familjarët dhe kolegët e tij, të cilët e uruan dhe e falënderuan për kontributin e tij ndër vitesh. /2LONLINE/