Sot me një solemnitet rasti të mbajtur në hapësirat e KRU “Hidromorava” në Gjilan, u pensionua kuadri gjilanas në fushën e financave, Mr.Ecc. Abdylaziz Selmani. Ky kuadër i respektuar gjilanas, kudo që punoi : në ish NSHT 16 Nëntori (më vonë NSHT “28 Nëntori”) në KS “In-sig” dhe së fundmi në KRU “Hidromorava” Gjilan, dha kontribut të çmueshëm në fushën ekonomike e sidomos në lëmin e financave.
Granit Sylejmani, ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Hidromorava, në fjalën e tij të rastit, tha: “Kolegu ynë, Abdylaziz Selmani që po pensionohet sot punoi me profesionalizëm duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të këtushme, sidomos në departamentin e financave, respektivisht kontabilitet”.
Me këtë rast e falënderoi për punën e bërë ndër vite duke e uruar për pensionim dhe shëndet, e pastaj i dhuroi një dhuratë simbolike.
I pensionuari, Abdylaziz Selmani, ka falënderuar për organizimin e kësaj ceremonie gjithë punëtorët e kompanisë Hidromorava si dhe për mirëkuptimin dhe respektin e shprehur ndaj tij gjatë këtyre viteve të punës.”Kemi punuar së bashku për këto vite pa probleme, andaj edhe ju uroj shëndet të mirë dhe suksese në punën e mëtutjeshme. Uroj që edhe ju të pritni e gëzoni pensionet dinjitetshëm, kurse për kompaninë shpreh urimin që të jetë e suksesshme për të realizuar më të mirën e mundshme për gjithë qytetarët”.
Edhe Mumin Morina nga Hidromorava tha: “Kur erdhi Abdylaziz Selmani në këtë kompani para dy dekadave në cilësinë e drejtuesit financiar, ishte një situatë ndryshe. Kishte problem të mëdha në aspektin e furnizimit me ujë dhe me operim, financa, rroga dhe gjithçka tjetër. Por me kontributin e tij të vazhdueshëm dhe cilësor që ka bërë ndër vite, kompania është në situatën që e kemi sot”.
Ai tha se kompania Hidromorava vazhdimisht ishte renditur një ndër kompanitë më të mira në Kosovë, ashtu që falë kontributit të Abdylazizit ka arritur që ta mbaj rangun e lartë, që e ka edhe sot.
Morina e ka falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e tij duke i uruar jetë të shëndetshme në pensionim.
Ndërkaq, Merita Xhelili, menaxhere financiare në kompaninë Hidromorava, tha: “Abdylaziz Selmani, ishte pjesë e Departamentit të cilin unë e përfaqësoj për 8 vjet me radhë. E falënderoj shumë për kontributin e dhënë dhe I uroj shëndet”. /2LONLINE/